Ndërlidhjet

Përfundojnë rivotimet në veri të Mitrovicës - pjesëmarrja 22.38 %


Serbët rivotojnë në Mitrovicën e veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:09 0:00

Paradite pos pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it janë vërejtur edhe anëtarët serbë të së ashtuquajturës ''Mbrojtja civile''

Në orën 19 janë mbyllur tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, ku qytetarët kanë votuar në zgjedhjet e përsëritura.

Procesi i përsëritjes së votimit në tri qendrat në pjesën veriore të Mitrovicës, u zhvillua pa ndonjë incident dhe nën masa të rrepta sigurie.

Votimi është zhvilluar nën masa të rrepta sigurie, ndërkohë që para qendrave të votimit, përveç pjesëtarëve e të Policisë së Kosovës, pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it, në afërsi kanë qëndruar edhe pjesëtarët e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile", strukturë kjo paralele në veri, si dhe persona me veshje të zeza, të cilët nuk janë identifikuar.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it ishin vendosur në pozicionet, ku më 3 nëntor kishin qëndruar kundërshtuesit e zgjedhjeve.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina, i ka vizituar ushtarët e KFOR-it, të cilët kanë përcjellë votimin e përsëritur në Mitrovicën e veriut.

Në paraqitjen e orës 20 para mediave, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka theksuar se pjesëmarrja në votime e qytetarëve në tri qendrat e votimit në Mitrovicën e veriut, deri në orën 19:00 është 22, 38 për qind ose 5 mijë 231 persona me të drejtë vote, prej të cilëve 997 votues kanë votuar me kusht.

“Dalja e votuesve në tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore ka qenë 22,38 për qind, ose 5 mijë 231 persona me të drejtë vote, prej të cilëve 997 votues kanë votuar me kusht”, ka bërë të ditur Daka.

Megjithatë, Daka ka theksuar se ka pranuar rekomandimin e misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian që votat nuk do të numërohen në vendvotime, por në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve në Fushë Kosovë.

”Duke u bazuar në rekomandimet e OSBE-së, KQZ-ja ka marrë vendim që procedurat, pas mbylljes së vendvotimeve, të zhvillohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve”, ka deklaruar Daka.

Kryetarja Daka ka theksuar se të gjitha vendvotimet në të tri qendrat e votimeve janë mbyllur me kohë dhe nuk është shënuar ndonjë incident apo ndonjë raportim për ndonjë parregullsi që do ta lëndonte procesin zgjedhor.

Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, patën deklaruar më herët se ditën e diel do të marrin masa të rrepta të sigurisë.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës, 24 orë më parë kishin siguruar objektet ku u mbajt votimi. Prania e pjesëtarëve të EULEX-it dhe KFOR-it është e shtuar ndërkohë që rrjedhën e votimeve e ka vëzhguar misioni i Bashkimit Evropian.

Rreth mesditës, zyrtarët e Policisë së Kosovës, kanë njoftuar se kanë reaguar për largimin e pjesëtarëve të së ashtuquajturës “Mbrojtje civile”, të cilët kanë qenë të pranishëm afër qendrave të votimit në Mitrovicën e veriut. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se personat në fjalë janë larguar me bazë ligjore.

“Personat që janë larguar, janë larguar me bazë ligjore, duke u bazuar se për ofrim të sigurisë në Republikën e Kosovës janë Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i, si të vetmet institucione që duhet të jenë prezent. Për këtë qëllim është vepruar dhe të njëjtit janë larguar”, ka deklaruar Kelani.

Ai ka shtuar janë paraparë mbi 200 zyrtarë policorë, të cilët janë prezent në detyrë për ruajtjen e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor dhe po aq janë rezervë, të cilët në rast nevojë mund të inkuadrohen.

Mirëpo, korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Mitrovicën e veriut ka regjistruar pamjet, të cilat vërtetojnë se pjesëtarët e “Mbrojtjes civile” nuk ishin larguar nga afërsia e qendrave të votimit dhe se ata ende qëndrojnë aty, pranë pjesëtarëve të KFOR-it.

(Pamje të xhiruara rreth orës 15 në Mitrovicë të veriut nga korrespondenti Fatmir Aliu)
Anëtarët nga "Mbrojtja civile"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:08 0:00

Ndryshe, qytetarët e Mitrovicës së veriut kanë votuar për të zgjedhur njërin nga pesë kandidatët për të parin e komunës.

Në zgjedhjet e 17 nëntorit kanë garuar Kërstimir Pantiq nga Iniciativa Qytetare “Serbe”, Oliver Ivanoviq nga Iniciativa Qytetare “Srbija, demokracia, drejtësia”, Dimtrije Janiçeviq nga Partia e Pavarur Liberale, Agim Deva nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Adrijana Hoxhiq, e cila aktualisht është drejtoreshë e Zyrës së Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën e veriut.

Edhe më heret, zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, ka deklaruar se ky mision ka rekomanduar që numërimi i fletëvotimeve të zgjedhjeve të përsëritura duhet bërë në Qendrën për Numërim dhe Rezultate, në Prishtinë.

“Rekomandimi i OSBE-së ka qenë që numri i fletëvotimeve të bëhet në Qendrën për numërim të votave në Prishtinë dhe ne po shpresojmë për një skenar të tillë, që i gjithë materiali, pas mbylljes së vendvotimeve, të dërgohet në Prishtinë dhe atje të numërohen votat. Këtu e kemi Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in. Të gjithë janë këtu, por pse të mos ndërmarrim masa shtesë për ta zbritur rrezikun në minimum. Kjo edhe është arsyeja pse rekomandimi ynë qëndron ende që numërimi i votave të bëhet në Prishtinë”, është shprehur Gaon.

Megjithatë, ai ka theksuar se prania e Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it ishte mjaft domethënëse dhe votimi është zhvilluar mirë dhe nuk ka pasur incidente.

Në Mitrovicën e veriut, ditën e votimeve ka qenë i pranishëm edhe ministri pa portofol i Qeverisë së Serbisë Aleksandër Vulin. Ai është shprehur i kënaqur me zhvillimin e procesit zgjedhor:

“Unë jam i kënaqur se si gjithçka po kalon qetë, dhe njerëzit pa atmosferë të frikës, presionit dhe trazirave po vijnë dhe po e kryejnë detyrën e tyre qytetare”.

Ai ka theksuar se pret që në xhiron e parë të ketë fitues të garës, për kryetar të komunës së Mitrovicës së veriut.

Ndryshe, Nebojsha Joviq, nga Shtabi për bojkotimin e zgjedhjeve, e ka quajtur okupim situatën gjatë procesit zgjedhor në Mitrovicën e veriut.

“Ajo që mund të shihet nuk përngjan me asgjë tjetër përveç se me okupim. Do të thotë, sot kemi ushtarë, policë, njerëz të armatosur. Vetëm bomba dhe minahedhës që nuk kanë”, ka theksuar Joviq.

Në anën tjetër, që në orët e para të ditës, qytetarë të Mitrovicës së veriut kishin filluar ta realizonin të drejtën për të votuar. Shumica prej tyre në votimet e 3 nëntorit nuk kishin dalë, siç thanë ata, për shkak të frikës.

Kështu ka thënë edhe Jelena Petroviq, e cila pret që pas zgjedhjeve situata në qytetin e saj të ndryshojë në shumë aspekte.

“Nuk kemi guxuar të dalim në votime. Jemi frikësuar, sepse flisnin gjithçka dhe nuk dola të votoj herën e kaluar. Por tash po. Pres që të bëhet më mirë, të përmirësohet situata dhe të ardhurat të jenë më të mira”, është shprehur Petroviq.

Milica Nikoliq, ka thënë se kishte votuar dhe se këtë e kishte bërë për një të ardhme më të mirë për të rinjtë:

“Unë votova dhe e bëra timen, vetëm që ju të rinjtë të jeni mirë, shëndosh dhe në harmoni dhe jo të jetë kështu siç ishte dhe si nuk duhet të jetë. Neve nuk na nevojitet askush, ne duhet vet të jemi në harmoni me njëri tjetrin. Unë ju dëshiroj gjithë të mirat të gjithëve, pavarësisht se kush dhe çfarë është”.

Janko Markoviq kishte votuar me bindjen se më pas do të vendoset rendi dhe ligji në qytetin ku jeton ai:

“Duhet të ketë pushtet këtu. Më mirë të ketë çfarëdo pushteti se sa fare pa pushtet këtu. Unë kam votuar për këtë, por edhe sepse e kam obligim qytetar. Mendoj se këtë të drejtë duhet ta shfrytëzoj secili”.

Në tri qendra të votimit, me 27 vendvotime, në Mitrovicën e veriut, të drejtën për të votuar në zgjedhjet e përsëritura e kishin 23 mijë e 378 persona.

Zgjedhjet u përsëriten për faktin se në këto tri qendra votimi, më 3 nëntor, votimi ishte ndërprerë, kur persona të maskuar kishin sulmuar qendrat, duke thyer kutitë e votimit dhe duke dëmtuar materialin zgjedhor.

Vendimi për përsëritjen e zgjedhjeve është marrë në raundin e fundit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, më 6 nëntor.
XS
SM
MD
LG