Ndërlidhjet

logo-print

Ngrihen çmimet - kërkohet ndërhyrja e shtetit


Treg në Prizren

Treg në Prizren

Në Kosovë çmimet e produkteve të konsumit po shënojnë ngritje nga muaji në muaj, ndonëse jo në përqindje të lartë, por që është një ngritje gati e papërballueshme për shumë familje me të ardhura të ulëta mujore.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se indeksi i tërësishëm i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,8 për qind në muajin tetor 2013, krahasuar me muajin shtator 2013.

Ngritje e çmimeve vërehet te energjia elektrike, gazi dhe lëndët tjera djegëse.

Indeksi i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,2 për qind në muajin tetor 2013, krahasuar me muajin tetor të vitit të kaluar.

Qytetarët ankohen se çmimet po bëhen të papërballueshme për xhepin e tyre dhe po ulin standardin e tyre jetësor.

Ngritje e çmimeve, në muajt e fundit përveç lëndëve djegëse, sipas qytetarëve, është vërejtur te produktet e konsumit, siç janë buka, vaji, perimet dhe veshmbathja.

Zejnepe Berisha, amvise, tregon se të ardhurat mujore të familjes së saj janë të ulëta, derisa çmimet janë të larta. Sipas saj, pagat po mbesin të pandryshueshme, por çmimet çdo muaj po shënojnë ngritje.

“Problemi kryesor gjatë dimrit mbetet pagesa e energjisë elektrike, mundohemi të mos shpenzojmë shumë... Realisht nuk furnizohemi me ngrohtoren e qytetit. Këtë vit kemi vendosur të ngrohemi me dru në mënyrë që edhe shpenzimet të jenë më të ulëta”, tregon Zejnepja.

E, çmimet në Kosovë do të varen edhe nga ecuria në tregun global. Në projeksionet e Qeverisë së Kosovës në buxhetin e vitit 2014 është paraparë se do të ketë një ngritje të çmimeve prej rreth 1.5 për qind.

Për familjen katër-anëtarëshe të Sinan Haxhollit, ngritja e vazhdueshme çmimeve, sidomos atyre ushqimore, është një barrë e madhe. Sipas kryefamiljarit, me ngritjen e çmimeve, po bie edhe fuqia blerëse.

“Çdo vit në Kosovë ka inflacion, ka ngritje të çmimeve, ushqimi është bërë shumë i shtrenjtë, gjërat që ke mundur t’i blesh para një viti, nuk arrin t’i blesh sot me atë çmim. Mund të them që janë dyfishuar çmimet. Për një familje që ka vetëm një të punësuar, është vështirë t’ia dalë muajit”, shton Haxholli.

Njohësit e çështjeve ekonomike, ndërkaq, thonë se shteti i Kosovës duhet të bëjë ngritje të pagave karshi çmimeve. Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj thotë se kjo mënyrë praktikohet gati në çdo vend të botës ku ka ngritje të çmimeve:

“Kjo mënyrë praktikohet gati në gjitha vendet e botës, kur ka ngritje të çmimeve. Në vendet e tjera ku udhëhiqet politikë e mirëfilltë ekonomike, që nënkupton politikën monetare, por edhe politikën me dogana, me taksa, me tatime, shteti mund të ndërhyjë, qoftë përmes politikës së taksës, ku ngre taksat në ato produkte që dëshiron të zvogëlojë ofertën, ose zvogëlon taksat për ato produkte, të cilat me çdo kusht ofrohen në treg”.

Qytetarët e Kosovës i janë nënshtruar kësaj stihie - mungesa, në njërën anë e shtetit - dora e shteti nuk qëndron këtu në ruajtjen e mirëqenies së qytetarit fare pos që i është lejuar një gjë e tillë stihisë së tregut, e tregu di të bëjë çudira”, konsideron Ramosaj.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, paga neto te shumica e punonjësve kosovarë është 300 deri 400 euro në muaj. Numri i të punësuarve në nivel vendi arrin mbi 300 mijë persona, ndërkaq shkalla e papunësisë në 30.9 për qind.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG