Ndërlidhjet

Punësimi në institucionet shtetërore - më tërheqës


Shkup...
Shkup...
Papunësia e gjeneratave të reja, gjegjësisht moshës nën 30-të vjeçare, është një nga problemet më serioze me të cilën ballafaqohet Maqedonia, theksohet në raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian duke apostrofuar si problematike faktin se nga të rinjtë më shumë preferohet punësimi në administratën shtetërore.

Të dhënat zyrtare flasin qartë se gjysma e të rinjve, gjegjësisht 46 për qind e moshës nga 15 deri 29 vjeçare është e papunë.

Gjersa të rinjtë thuan se puna në institucionet shtetërore është më joshëse për një arsye të vetme, ndjehesh më i sigurt në ruajtjen e punës.

Xhemshit Dibrani dhe Jetmir Bela të cilët krahas studimeve punojnë në firma private thonë se shpresojnë që kjo të jetë përkohshme gjersa të diplomojnë dhe të gjejnë një punë në institucionet shtetërore.

“Po dua të punoj në punë të shtetit sepse rrogat janë më të mira dhe njëkohësisht vendi i punës është më i sigurt”, thotë Xhemshit Dibrani.

“Po gjithsesi preferoj punën në institucionet shtetërore sepse ka më shumë beneficione”, thotë Jetmir Bela.

Tatjana Andonovska, edhe pse ka një punë në një firmë në Qendrën Tregtare të Shkupit si juriste, ajo thotë se do ta braktiste edhe për rrogë më të vogël në administratë.

Po punoj në një firmë private por unë punën do ta lija menjëherë nëse do të kisha mundësi të punësohem në administratë sepse presioni nga punëdhënësi është më i vogël”, thotë Tatjana.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë ka realizuar disa fushata për të inkurajuar të gjithë ata që kanë diplomuar në lëmi të ndryshme të hapin një biznes privat duke rrëfyer praktikat e “lindjes” së brendeve të njohura botërore.

Por Dona Kosturanova, nga Qendra Maqedonase e të Rinjve, konsideron këto fushata nuk kanë efekt sepse në esencë Maqedonia prodhon kuadër të diplomuar por të pa kualifikuar gjë që reflektohet me mungesën e guximit dhe ideve për të hapur biznes privat.

“Fushat e ndryshme mediatike dhe inkurajimi i të rinjve nuk janë ata të cilët krijojnë sipërmarrës, por sipërmarrësia kërkon posedim të shkathtësive dhe njohurive për biznese të caktuara”, thekson Dona Kosturanova duke sqaruar se duhet angazhuar më shumë në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimorë, krijimin e kushteve që të rinjtë të praktikohen më shumë në profile të caktuara.

Nga ana tjetër, Hasan Jashari nga Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë thotë se administrata shtetërore nga të rinjtë shihet si mundësia më e mirë për punësim, kjo sipas tij është si rrjedhojë e mentalitetit të krijuar me vite se puna në zyre është më prestigjioze.

“Unë kam pasur rastin me studentët e mi të cilët studiojnë politikat sociale dhe u lëshoj një film të shkurtër ku një djalë i vogël në rrugë i bie trumpetës dhe kërkon për njerëzit. Pyes studentët kush nga ju do të marrë ta lajë sepse puna parësore e një punëtori social është kjo, që të kujdeset për të pastrehët. Pothuajse të gjthë përgjigjen ‘jo unë nuk do të mund ta bëja’ gjë që flet se ata nuk janë të përgatitur të bëjnë punën parësore që i takon një punëtori social”, thekson Hasan Jashari.

Ndryshe, faktori ndërkombëtarë disa herë i ka tërhequr vërejtjen Maqedonisë se administrate e vendit është e stërngarkuar dhe paraqet barrë për buxhetin e shtetit.
XS
SM
MD
LG