Ndërlidhjet

logo-print

Sa është i sigurt aviacioni rus?


Aeroplan rus - ilustrim

Aeroplan rus - ilustrim

Mark Krutov and Claire Bigg
Derisa banorët e Tatarstanit mbajnë zi për 50 viktimat e rrëzimit të një aeroplani në kryeqytetin e republikës, Kazan, fatkeqësia ka sjellë në qendër të vëmendjes sigurinë e transportuesve rajonalë rusë.

Boeing 737, i operuar nga kompania Tatarstan Airlines, është rrëzuar të dielën, derisa ka bërë përpjekje të aterojë në Kazan, duke vrarë të gjithë njerëzit në bord.

Hetuesit thonë se aeroplani, i cili ka qenë duke fluturuar nga Moska, është përplasur për tokë dhe ka shpërthyer në flakë.

Ata po hetojnë për gabime të pilotit dhe për probleme teknike.

Banorët janë shumë të zemëruar me kompaninë Tatarstan Airlines dhe me autoritetet e aviacionit rus.

“Është e paimagjinueshme; kjo është e tmerrshme, thjesht e tmerrshme. Do të doja t’i kujtoja agjencitë tona të ashtuquajtura kontrolluese, që të mos japin certifikata për aeroplanët që secili e di se nuk do të duhej të fluturonin. Secili tashmë e di se në çfarë gjendjeje është aviacioni ynë kombëtar. Pra, nga njëra anë, kjo nuk është e habitshme. Është turp që njerëzit vdesin”, thotë një banor me emrin Dmitry, teksa hedh lule në aeroportin e Kazanit.

Derisa siguria ajrore është duke u përmirësuar në gjithë botën, Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror ka thënë vitin e kaluar se normat e aksidenteve në Rusi janë në rritje.

Që nga rënia e Bashkimit Sovjetik, në këtë vend kanë dalë një mori transportuesish të vegjël. Aeroflot ka monopol virtual në industrinë ajrore.

Ekspertët thonë se shumë kompani ruse vënë në vend të parë përfitimet, pastaj sigurinë.

Trajnimi i pamjaftueshëm i pilotëve dhe mplakja e flotës ajrore konsiderohen si faktorë që po ashtu ndikojnë në sigurinë e fluturimit.

Andrei Fomin, redaktor i revistës ruse të aviacionit “Vzlyot”, thotë se autoritetet e aviacionit në Rusi janë duke bërë gjithçka të mundur për të rregulluar industrinë.

“Sa i përket kontrollit të shërbimeve dhe respektimit të të gjitha procedurave të kërkuara, autoritetet e aviacionit janë mjaft serioze. Tatarstan Airlines, ashtu si edhe transportuesit e tjerë, është kontrolluar nga organet federale dhe lokale të Rosaviatsia-s (Agjencisë së Transportit Ajror të Rusisë). Por, është e pamundur të kontrollohet çdo hap i secilit pilot dhe teknik. Gabimet ndodhin”, thotë Fomin.

Në Kazan, megjithatë, Tatarstan Airlines cilësohet si kompani e varfër, e zhytur në borxhe, që operon me aeroplanë shumë të vjetër.

Irek Murtazin, gazetar i pavarur që punon si sekretar shtypi për ish-presidentin e Tatarstanit, Mintimer Shaimiev, thotë se kjo kompani ajrore nuk do të duhej të lejohej në treg.

“Gjatë pesë vjetëve të fundit, kompania ka pasur pesë drejtorë të ndryshëm. Gjendja e saj është thjesht katastrofike. Kompani të tilla ajrore nuk do të duhej të ekzistonin. Ajo është projekt i udhëheqjes së Tatarstanit”, thotë Murtazin.

Tatarstan Airlines, që ka nisur të zëvendësojë aeroplanët e saj Boeing 737 me Airbus 319, këmbëngul se Beoing-u i saj fatkeq ka qenë në gjendje të mirë dhe se ka pasur mirëmbajtje të rregullt ndërmjet fluturimeve.

Dy pasagjerë që thonë se kanë fluturuar me aeroplanin e njëjtë nga Kazani në Moskë, po ashtu të dielën, janë cituar nga mediat ruse të kenë thënë se ata kanë dëgjuar vibracione derisa kanë ateruar në Moskë.

Aeroplani është ndërtuar 23 vjet më parë dhe ka shërbyer për transportues të tjerë, përfshirë kompanitë ajrore në Ugandë, Rumani, Brazil dhe Bullgari, para se të porositej nga Tatarstan Airlines, në vitin 2008.

Në vitin 2001, ai është dëmtuar në një aksident, gjatë aterrimit në Brazil, në të cilin nuk ka pasur të lënduar.

Përplasja e së dielës ka tërhequr paralele të dhimbshme me tragjedinë e një anijeje në Tatarstan, dy vjet më parë. Anija e vjetër me emrin “Bulgaria” është fundosur në Vollga, duke shkaktuar mbytjen e 122 njerëzve.

“Tragjedia e ‘Bulgaria’-s ka qenë zile paralajmëruese se nuk duhet të fluturoni apo lundroni me copa mbeturinash. Për fat të keq, kjo zile paralajmëruese nuk është përfillur dhe ja ku është rezultati. Republika është në zi”, thotë Murtazin.(v.tela)
XS
SM
MD
LG