Ndërlidhjet

Niveli i ulët i sigurisë në punë ka bërë që gjatë këtij viti në Kosovë, 17 punëtorë, kryesisht në fushën e ndërtimtarisë, të humbin jetën në vendin e tyre të punës, ndërkaq 35 të tjerë të lëndohen.

Numri i të lënduarve mund të jetë më i madh, pasi jo gjithmonë pronarët e kompanive paraqesin rastet e lëndimeve, thonë zyrtarë qeveritarë.

Vdekja e punëtorëve dhe lëndimi i tyre në vendet e punës, ka ndodhur në sektorin privat, kryesisht në ndërtimtari. Sektori i ndërtimtarisë konsiderohet se ka numrin më të madh të të punësuarve.

Edhe vitin e kaluar, sipas Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale, 17 persona kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, ndërkaq 45 punëtorë janë lënduar.

Por, Zyrtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thonë se 26 është numri i punëtorëve që vitin e kaluar kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës.

Basri Ibrahimi, kryeinspektor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se siguria në punë nuk është në nivelin e duhur. Edhe pse inspektimi, sidomos gjatë sezonit të verës, ndodh zakonisht, Ibrahimi, thotë se kompanitë private nuk përmbushin kushtet e nevojshme për punë.

“Çështje e sigurisë në punë lënë hapësirë për të dëshiruar edhe pse ka avancime për çdo vit më shumë, mirëpo ende nuk është në gjendjen e kënaqshme apo ashtu siç e parasheh ligji".

"Kurse ne po bëjmë çmos që të jemi sa më prezent në terren, dhe që ta vëmë ndikimin tonë. Por, për fat të keq nuk kemi arritur që ta sjellim gjendjen e sigurisë në vendin e punës në nivelin e duhur", tha Ibrahimi.

Ndryshe, të hënën një i ri 19 vjeçar, në Gjilan ka humbur jetën, duke rënë nga kati i shtati i ndërtesës ku ishte duke punuar.

Vdekja e punëtorëve dhe lëndimi i tyre në vende e punës paraqitet si shqetësim për përfaqësues të punëtorëve.

Avni Ajdini, nënkryetar në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, konsideron se në sektorin privat nuk funksionojnë sindikatat, dhe nuk ka kush të paraqesë problemet në mjedisin ku punojnë.

Në këtë mënyrë kompanitë private thotë Ajdini, punëtorët po i shfrytëzojnë si “skllav” dhe jo punëtorë që më ligj gëzojnë të drejtat e tyre.

“Punëtorët punojnë si skllevër. Unë e them këtë sepse kemi mjaft shqetësime të mëdha për humbjen e punëtorëve dhe për humbjen e gjymtyrëve të punëtorëve në vendet e tyre të punës".

"Por, në kompanitë private nuk ka sindikatë, sepse ata të cilët e ngrisin zërin për themelimin e sindikatës largohen nga puna. Çdo organizatë duhet të ketë sindikatën brenda për brenda, që inspektorati i punës të kontaktojë më bazën pse ka ndodhur një rast i caktua”,
tha Ajdini.

Edhe disa qytetarë konsiderojnë se në sektorin privat punëtorët nuk janë të sigurt në vendet e tyre të punës. Agim Vrajolli nga Prishtina thotë se për shkak të kushteve të vështira ekonomike, shumë të rinj po detyrohen të punojnë në sektorin e ndërtimtarisë, pa masa mbrojtëse dhe pa shikuar rrezikun që mund ti kanoset.

“Qytetarët e Kosovës siguri në vendin e punës nuk kanë fare. Sidomos në sektorin privat, zakonisht në ndërtimtari dhe gurëthyes në disa sektorë që punët janë më të vrazhda, siguria nuk ekziston. Nuk kanë as mjetet elementare të punës, si veshmbathje adekuate, kapela dhe shumë gjëra tjera”, shprehet Vrajolli.

Sidoqoftë, siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me Ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës.

Por, sipas Basri Ibrahimit, sektori privat nuk respekton ligjet në fuqi. Ai tregon se për këtë çështje vetëm gjatë këtij viti, janë gjobitur mbi 100 kompani por që nuk ka sjell efektin e duhur.

Dënimet për punëdhënësit për shkak të mungesës së sigurisë në ambientet e punës, sipas Ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës, janë nga 100 deri në 20 mijë euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG