Ndërlidhjet

Lotari fiskale për vjeljen e tatimeve


Ilustrim
Ilustrim
Qeveria e Maqedonisë ka vendosur organizimin e një lotarie të pazakontë, me llogaritë fiskale të qytetarëve të dhëna nga shitësit e dyqaneve.

Një masë e këtillë është ndërmarrë pasi aksionet e kontrollit të inspektorëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, nuk kanë dhënë rezultate të kënaqshme, pavarësisht gjobave të shqiptuar ndaj subjekteve afariste për mosdhënie të llogarive fiskale.

Tërheqja e parë e lotarisë fiskale do të bëhet më 30 dhjetor. Për të marrë pjesë në lojë, çdo qytetar do të duhet që të dorëzojë nga 20 llogari fiskale, ndërsa fondi shpërblyes përfshin banesë, makinë, dyqan dhe shumë shpërblime tjera.

Ministri i Financave, Zoran Stavreski, tha se beson se kjo metodë që praktikohet edhe në vende tjera, do t’i motivojë qytetarët që të kërkojnë faturat nga subjektet afariste që hezitojnë ta bëjnë një gjë të tillë për t’i ikur shlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit.

“Është vështirë të parashikohet se çfarë efekte do të ketë kjo masë, por besojmë se do të jenë pozitive. Çdokush që merr pjesë në transaksione financiare, duhet ta kuptojë se përveç taksapaguesit, edhe konsumatori ka detyrime, ai duhet të kërkojë llogarinë fiskale. Ne kemi vendosur që të aplikojmë masa motivuese dhe jo gjoba”, deklaroi Stavreski.

Por, qytetarët janë të ndarë në qëndrime nëse vendimi i Qeverisë do të japë rezultatet e dëshiruara. Disa prej tyre thonë se kanë humbur besimin për shkak të krizës së rëndë ekonomike dhe vështirë se do të marrin pjesë në lojëra të tilla.

“Nuk ka teori që të marr pjesë në një lojë të tillë, kjo është tallje me popullatën. Veç kësaj, vlerësoj se nuk qëndrojnë edhe pretendimet se nuk jepen llogaritë fiskale. Unë nuk mbaj mend se dikush nuk më ka dhënë faturën për atë që kam blerë”, tha Martin Stojanovski, ndërsa një tjetër qytetare theksoi:

“Në bazë të përvojave të mëhershme, ndoshta nuk ka shumë hapësirë për të besuar, por nuk e di. Unë, personalisht, nuk do të marr pjesë në këtë lotari, sepse besoj se nuk është diçka e drejtë. Ky është mendimi im“.

“Loja shpërblyese, megjithatë, është fat. Por, mendoj se ne nuk jemi të lumtur me një standard të tillë. Sidoqoftë kam nisur t’i ruaj faturat dhe të marr pjesë në lojën shpërblyese, nuk i dihet ndoshta edhe kam fat”, tha Biljana, një grua që po dilte nga një market në Shkup.

Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë për organizimin e një lotarie të këtillë nuk shihen mirë edhe nga ekspertët e ekonomisë. Profesori Bilall Kasami tha se qeveria në vend që t’i kontrollojë lojërat e shumta të fatit që gjenden në çdo rrugë të Maqedonisë, ajo po bëhet pjesë e një dukurie të tillë.

Ndërsa, me rëndësi, sipas tij, është edhe fakti se me këtë masë, qeveria vërteton dështimin e saj për grumbullimin e tatimeve.

Në koncept, lotaria llogaritet apo futet në lojërat e fatit, kjo në aspektin etiko-moral është një pikëpyetje, sepse qeveria në vend që të kontrollojë këto dukuri që ndodhin në shoqëri, ajo bëhet pjesë e saj. Unë mendoj se qeveria për herë të parë ndoshta përmes këtij sistemi e pranon në mënyrë publike se nuk është e aftë të grumbullojë taksat“, vlerësoi Kasami, profesor i Ekonomisë në Universitetin Ballkanik në Shkup.

Lotaria fiskale është e para e këtij lloji e organizuar nga institucionet shtetërore dhe vjen pas kontrolleve të shumta të inspektorëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, të cilët kanë mbyllur qindra objekte afariste për shkak të mosshlyerjes së detyrimeve ndaj shtetit.

Aksionet janë realizuar nën mbikëqyrjen e forcave policore për shkak të reagimit të afaristëve, të cilët akuzojnë shtetin për plaçkitjen e mallit të tyre.
XS
SM
MD
LG