Ndërlidhjet

Pas zgjedhjeve, s’ka federalizim të Kosovës


Foto arkivi
Foto arkivi
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara është diskutuar të martën raporti i rregullt i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kanë shprehur pikëpamje të ndryshme për ecurinë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë edhe komunat veriore, të banuara me shumicë serbe.

Thaçi ka theksuar posaçërisht rëndësinë që kanë zgjedhjet komunale për Kosovën dhe procesin e integrimit të komunitetit serb.

“Ky moment ka vulosur dhe mbyllur të gjitha tendencat eventuale për ndarje territoriale të Kosovës, apo federalizim të saj mbi baza etnike. Kështu, këto zgjedhje janë një fitore e qytetarëve, e të gjitha subjekteve politike dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”.

“Kemi dhënë shembullin më të mirë se Kosova është vend demokratik dhe se procesi zgjedhor është mbajtur në frymë dhe kulturë politike të lartë”,
ka thënë Thaçi.

Homologu i tij serb, Daçiq, ka kritikuar institucionet kosovare, duke thënë se ato nuk janë përpjekur që të sigurojnë një mjedis të përshtatshëm për zgjedhjet në veri

Ai i ka bërë thirrje Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar që të sigurojnë kushte për mbajtjen e rrethit të dytë të zgjedhjeve në komunat me shumicë serbe, “në mënyrë që të mos përsëritet shkelja e procedurave zgjedhore, ashtu si më 3 nëntor”.

Në ditën e zgjedhjeve komunale, persona të maskuar kanë demoluar tri qendra votimi në veri të Mitrovicës, çfarë ka çuar në përsëritjen e zgjedhjeve atje.

Kryeministri Thaçi ka thënë para Këshillit të Sigurimit se incidentet janë shkaktuar nga “grupet ekstremiste serbe”.

Thaçi dhe Daçiq kanë shprehur po ashtu pikëpamje të ndryshme për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, të paraparë me marrëveshjen për normalizimin e marrdhënieve midis dy vendeve.

Përderisa kryeministri kosovar ka thënë se ai do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se nuk do të ketë funksione ekzekutive dhe legjislative, kryeministri serb ka thënë se asociacioni do të ketë përgjegjësi në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit, si dhe do të ketë Kuvendin, kryetarin dhe organin ekzekutiv.

Këshilli i Sigurimit u ka bërë thirrje të dyja palëve që të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, për çfarë janë zotuar pozitivisht edhe dy kryeministrat. (v.tela)
XS
SM
MD
LG