Ndërlidhjet

NYT: Putin i qepet së kaluarës


Vladimir Putin, foto nga arkivi

Vladimir Putin, foto nga arkivi

Ish-republikat e Bashkimit Sovjetik ishin sovrane, vende të pavarura për gati 22 vjet, të lira për të zhvilluar marrëdhënie ekonomike dhe politike, me çfarëdo shteti të jashtëm ose bllok tregtar, që ato zgjedhin, shkruan në fillim të editorialit të vet, e përditshmja New York Times.

Gazeta shpjegon se “duket se me këtë pikë është anashkaluar presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i cili po bën çdo gjë të mundshme për t’i parandaluar këto vende nga zhvillimi i lidhjeve të afërta me Evropën, bile duke iu kërcënuar një vendi, me ndërprerje të furnizimit me gaz, i cili i duhet për dimër”.

“Lufta e Ftohtë duhet të përfundojë për secilin”, tha kancelarja gjermane, Angela Merkel, këtë javë. Por, duket se kjo nuk vlen për Putinin, shkruan New York Times.

Javën e ardhshme, gjashë ish-republika, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina, parashihet të takohen me liderët e Bashkimit Evropian në Vilnius të Lituanisë, për të diskutuar për forcimin e lidhjeve ekonomike, politike dhe diplomatike me BE-në.

Në vitin 2004, Lituania së bashku me Estoninë dhe Letoninë, u bënë anëtarët e parë të Bashkimit Evropian nga ish-republikat sovjetike.

Për t’u kualifikuar për lidhje më të forta, të gjashtë vendet duhet të demonstrojnë progres në reformat demokratike dhe gjyqësore, që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Ato do të duken të vështira për disa, siç është Ukraina, e cila deri tash, ka refuzuar ta lejojw ish-kryeministren e vet të burgosur, Yulia Tymoshenko, të udhëtojw për trajtim mjekësor në Gjermani, shkruan New York Times.

Shfrytëzimi i levës tregtare nga ana e Evropës për inkurajimin e demokracisë është konstruktive dhe e arsyeshme. Përpjekja e Rusisë për t’i goditur me shkop të trashë ish-vasalët në varshmërinë e vazhdueshme ekonomike, nuk është.

Bashkimi Evropian ofron diçka reale dhe atraktive. Rusia, e cila dëshiron që ato vende t’i bashkohen unionit doganor, që e ka formuar me Bjellorusinë dhe Kazakistanin, ofron kërcënime, shkruan NYT.

Në muajin shtator, zëvendës kryeministri i Rusisë ia ka tërhequr vërejtjen Moldavisë, se mund ta humbë qasjen në gaz këtë dimër, nëse i forcon lidhjet me Evropën. Pastaj e ka ndaluar importin ne verës së Moldavisë.

Hap pasues ishte kërcënimi për dëbimin e mijëra shtetasve të Moldavisë, që punojnë në Rusi.

Liderët e Moldavisë nuk tërhiqen, dhe i kanë vazhduar negociatat me Evropën, dhe tash po punojnë për reduktimin e varshmërisë ekonomike të këtij vendi nga Rusia.

Pengesat ruse kanë pasur shumë më tepër sukses në Armeni, e cila llogarit në mbështetjen ruse në kontestin kufitar me Azerbajxhanin, dhe është pajtuar për t’iu bashkuar unionit doganor.

Lituania, që tashmë është anëtare e Bashkimit Evropian, ishte subjekt i keqtrajtimit tregtar, siç duket në shenjë të ndëshkimit për organizimin e samitit ë javës së ardhshme të gjashtë vendeve me Bashkimin Evropian.

Ngjashëm, Rusia është kërcënuar me ngadalësimin e importeve të Ukrainës, me inspektime të vështira doganore, megjithëqë pengesa kryesore e lidhjeve të fuqishme të Ukrainës me union përfshin politikat vendëse, shkruan e përditshmja New York Times.

Në çdo rast, Ukraina, që është e fuqishme ekonomikisht, në mënyrë perfekte ka të drejtë ta zgjidhë kursin e saj, ashtu siç kanë të drejtë edhe ish-republikat e tjera sovjetike.

Në vitet e zbehjes së Bashkimit Sovjetik, presidenti i fundit i tij, Mikhael Gorbachev, kishte folur në mënyrë optimiste për Evropën e pas Luftës së Ftohtë, që zgjatet e pandarë prej Atlantiku e deri te Urali.

Por, zoti Putin, duket se gjatë synon kthimin e ditëve, kur perdja e hekurt e ndante kontinentin, duke i errësuar horizontet e satelitëve dhe të republikave sovjetike në lindje, vendet që tash synojnë t’i gëzojnë në mënyrë më të plotë frutet e pavarësisë, shkruan në fund të editorialit e përditshmja New York Times.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG