Ndërlidhjet

logo-print
Besa Hoxha, 22 vjeçare, është disenjatore e modës, e cila planifikon që së shpejti të hapë biznesin dhe t'i shesë rrobat e saj.

Ajo thotë se është mjaft problematike të hysh në një treg të modës si një emër i panjohur, e sidomos kur për marketing duhet të shpenzojë shuma të mëdha parash.

Besa ka dëgjuar të martën se rrjeti social Facebook e ka njohur Kosovën si lokacion, dhe ajo e mirëpriti këtë lajm, për arsye se tash do të mund t'i reklamojë produktet e saj duke i synuar banorët e Kosovës.

"E kam pasur si plan ta hap një faqe në Facebook, ku do të mund t'i promovoja produktet e mia, rrobat në këtë rast; tani besoj që do ta kem më lehtë ta 'targetoj' grupin specifik të cilit dua t'i drejtohem, pasi që tash Kosova njihet si lokacion dhe nuk kam nevojë të shkoj përmes Serbisë. Do të thotë, tash e tutje nuk do të dalë Prishtina/Serbia/Kosovo, por do të dalë Prishtina/Kosovo", thotë Hoxha.

Facebook njihet si rrjeti më i madh social në botë, me 1.5 miliard përdorues aktiv. Biznese të ndryshme globale kanë reklamuar produktet e tyre përmes kësaj faqeje, duke e promovuar veten nga afër me përdoruesit e Facebook-ut.

Në këtë rrjet social marketingu mund të bëhet edhe falas, duke hapur një faqe dhe shpërndarë atë. Por, nëse një kompani dëshiron të zgjerojë audiencën e saj, këtë mund ta bëjë me një pagesë minimale, edhe prej 5 dollarëve amerikanë.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, tregon për përfitimet që do t'i kenë kompanitë kosovare, pas njohjes së Kosovës nga rrjeti më i madh global social.

"Facebook-u sot është aparati kryesor i reklamimit dhe promovimit të bizneseve. Ndërrmarjet kosovare nuk kanë arritur ta definojnë tregun e tyre lokal, dhe fakti që kompanitë e huaja kurrë nuk e kanë ditur se sa përkrahës i kanë në Kosovë, definitivisht na ka vendosur në një pozitë të pabarabartë. Kosovarët ose kanë qenë të regjistruar si pjesë e Shqipërisë ose si pjesë e Serbisë", bën të ditur Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Në marketingun e Facebook-ut tashmë gjendet Kosova si shtet...

Në marketingun e Facebook-ut tashmë gjendet Kosova si shtet...


Qeveria e Kosovës e njeh faktin që njohja nga Facebook-u nuk është njohje politike; ky rrjet social nuk njeh shtete, por lokacione.

Por, megjithatë, kjo njohje ka efektin e vet.

"Në komunikim me Facebook-un, vetëm ditën e parë [të martën], mbi 200 mijë persona e kanë ndërruar lokacionin, dhe kjo tregon që është kuptuar shumë shpejt. Nuk ka dyshim që pas gjashtë muajsh ose një viti, kompanitë kosovare do të inkorporojnë Facebook-un në fushatat e tyre të marketingut", thotë zëvendësministri i Jashtëm.

Selimi, i cili udhëheq promovimin digjital në Kosovë, thotë se me këtë realitet të ri, tregu i marketingut në Kosovë do të definohet më qartë.

Se qasja në këtë treg është e kufizuar, e thonë edhe një njohësit e ekonomisë dhe marketingut. Njëri prej tyre është Naim Gashi.

"Një përkushtim më i madh i marketingut, duke përfshirë edhe rrjetet sociale siç janë Facebook, Twitter dhe llogaritë tjera në internet, krijon favore të mëdha për bizneset brenda Kosovës".

"Të gjithë ne e dimë se marketingu ka një kosto, mirëpo marketingu nëpërmjet rrjeteve sociale ka një kosto zero, ndërsa efektet janë shumë universale dhe të shumanshme",
thotë për Radion Evropa e Lirë, Naim Gashi.

Sipas tij, njohja nga Facebook-u do ta zgjerojë komunikimin e kosovarëve me kompanitë dhe produktet vendore, si dhe do t'ia hapë dyert Kosovës me tregun global.

Diplomacia digjitale ka arritur që deri më tash ta bëjë të njohur Kosovën, si entitet të veçantë "politik", përveç Facebookut edhe në rrjetet Linkedin dhe Twitter.

Synimi i ardhshëm është Google dhe domeni .ks ose .ko.
XS
SM
MD
LG