Ndërlidhjet

Buxheti në duart e deputetëve


Ilustrim
Ilustrim
Miratimi i buxhetit për vitin 2014 pritet të jetë një nga sfidat kryesore të qeverisë aktuale të Kosovës, pas humbjes së vazhdueshme të përkrahjes në Kuvendin e Kosovës muajve të fundit.

Dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, janë deklaruar se nuk do ta mbështesin në formën e propozuar këtë buxhet, përderisa subjekti tjetër opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka disa vërejtje dhe kërkesa para se të vendos se do të votojë për apo kundër.

Me krijimin e një fraksioni të deputetëve nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, edhe votat e tyre mund të jenë përcaktuese për kalimin apo jo të buxhetit.

Mirëpo, pavarësisht kësaj gjendjeje, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci beson se buxheti do të miratohet në leximin e parë gjatë seancës që do të mbahet të enjten, më 21 nëntor.

“Besoj fuqishëm që buxheti për vitin 2014 do të merr shumicën e votave të deputetëve. Buxheti është i shpërndarë në mënyrë të drejtë në tërë territorin e Kosovës. I plotëson deri diku nevojat për vitin 2014 dhe se është e qartë që edhe ne edhe çdo qytetar i Kosovës do të kishte pas dëshirë që ky buxhet të mos jetë vetëm 1.5 apo 1.6 miliard euro por të jetë edhe 4 apo 5 miliard euro”, thotë në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, deputeti Adem Grabovci.

Ndërkohë, subjekti më i madh opozitar, LDK-ja, përmes shefit të Grupit Parlamentar, Ismet Beqiri ka konfirmuar sërish se nuk do ta mbështes miratimin e buxhetit në formën se si është projektuar.

Beqiri ka thënë se arsyet e votës kundër buxhetit kanë të bëjnë me projektimin e tij, si buxhet të varfërisë dhe buxhet që nuk garanton krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ne do të votojmë kundër. Arsyet janë të njohura, vazhdon logjika e projektimit të buxhetit jo zhvillimor dhe absolutisht nuk dallon nga buxhete e viteve të kaluara. Është e njëjta logjike dhe e njëjta ndarje e padrejtë”, thotë Beqiri.

Kundër buxhetit të projektuar për vitin 2014 është shprehur edhe Vetëvendosje e cila konsideron se projektimi i shpenzimit të parasë publike më shumë është bërë sipas interesave të ministrave dhe grupeve të interesit dhe jo në favor të zhvillimit të Kosovës.

Marrë parasysh se seancat e fundit të Kuvendit në pikat më të nxehta janë ndërpre për shkak të mungesës së kuorumit dhe për faktin që partitë e koalicionit qeverisës vlerësohet se kanë humbur shumicën e nevojshme, për miratimin apo jo të buxhetit përcaktues do të jetë pozicioni që do të mbajnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe një grup i deputetëve që po cilësohen si neutral e të cilët kryesisht vijnë nga radhët e partisë më të madhe në pushtet.

Deputeti i AAK-së, Ahmet Isufi tha se edhe kjo parti politike ka shumë vërejtje, por nuk ka ende qëndrimin përfundimtar.

“Është buxhet që duhet shqyrtuar sepse ka vërejtje shumë në të”, tha për Radion Evropa e Lirë, deputeti Ahmet Isufi.

Projektligji për buxhetin e vitit 2014 do të del në shqyrtim të parë në seancën e nesërme, e enjte 21 nëntor.

Sipas projeksioneve të qeverisë të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm parashihen të jenë 1 miliard e 458 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të arrijnë në 1 miliard e 590 milionë euro.
XS
SM
MD
LG