Ndërlidhjet

Produktet e dyshimta ende në treg


Ilustrim
Ilustrim
Ndonëse, disa produkte të konsumit, kryesisht perime të importuara nga vendet fqinje të Kosovës, konsiderohen me cilësi të dyshimta, ato vazhdojnë të hyjnë në tregun e Kosovës pa u penguar nga askush.

Përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë është Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë, si autoritetet shtetërorë.

Zëdhënësi i i këtij mekanizmi, Lamir Thaçi në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, bën të ditur se nuk kanë marrë ndonjë masë për ndalimin këtyre produkteve.

“Këto produkte ende janë në treg. Nuk kemi marrë asnjë ndalesë pasi që nuk kemi rezultate, pasi që ndalesat i marrim mbi rezultatet e analizave”, tregon Thaçi.

Produktet të cilat cilësohen si të dyshimta janë trangujt e importuar nga Maqedonia dhe Shqipëria dhe disa lloje të perime tjera, të cilat nuk bëhen të ditura nga zyrtarë të AVUK-ut.

Mostrat e këtyre produkteve janë marrë para dy javëve dhe janë dërguar në një laborator në shtetin e Italisë.

Sipas zëdhënësit të AVUK-ut, Lamir Thaçi rezultatet e këtyre analizave pritet të mbërrijnë në Kosovë në fund të kësaj jave.

“Ne i kemi marrë mostrat e trangujve të importuara nga Maqedonia dhe nga Shqipëria dhe po ashtu kemi dërguar mostra edhe të disa perimeve tjera dhe jemi në pritje të rezultateve. Mostrat kanë mbërri në adresën e laboratorit dhe në bazë të premtimeve që kemi, ata kanë thënë që deri nga fund të javës do të jenë rezultatet, por nuk mund ta dimë ditën, në momentin e parë ato dërgohen në mënyrë elektronike dhe ne mund t’i kemi rezultatet konfirmative”, bën të ditur Thaçi.

Produktet me cilësi të dyshimta të cila po qarkullojnë në tregun e Kosovës që nga java e kaluar ka ngritur shqetësime të mëdha tek organizatat për mbrojtjen e konsumatorit dhe qytetarët.

Një shqetësim i ngritur kishte të bënte me mungesën e laboratorit në Kosovë që bënë analiza të tilla. Mungesa e laboratorit, shumë herë brenda këtij viti kishte rrezikuar shëndeti i qytetarit të Kosovës, kishin thënë përfaqësues të Organizatës Joqeveritare “Konsumatori”.

Doganat e Kosovës tregojnë se vetëm gjatë këtij viti janë importuar vetëm nga Maqedonia 1.6 milion kilogram tranguj dhe se këto produkte vazhdojnë të hyjnë në tregun e Kosovës.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci tregon se të gjitha produktet me mauna të cilat hyjnë në tregun e Kosovës iu kërkohen certifikata e cilësisë së mallit e cila lëshohet nga autoriteti kompetent dhe se deri më tani siç thotë Stavileci të gjitha kompanitë i kanë plotësuar të gjitha kushte për tu bërë zhdoganimi i mallit.

“Në momentin kur një maune vjen për zhdoganim, atëherë ajo maune duhet të ketë disa certifikata nga agjencioni se ai produkt është i shëndetshëm dhe mund të konsumohet në Kosovë. Në atë moment që një kompani e prezanton një dokument të tillë që e lëshojnë në këtë rast AVUK atëherë dogana fillon procedurat e zhdoganimin si çdo mall tjetër. Dogana zhdoganimin e fokuson në aspektin e tarifimit të drejtë dhe mbledhjes së taksave”, bën të ditur Stavileci.

Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë është në fuqi që nga viti 2004. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve dhe formave të tjera në tregun e lirë.

Ligji siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.

Por, ligji si i tillë shumë herë ishte vlerësuar nga organizatat joqeveritare se nuk ka gjetur zbatim në praktikë, derisa ishte kërkuar që të merren masa konkrete për mos zbatim, pasi që rrezikohet shëndeti i qytetareve.
XS
SM
MD
LG