Ndërlidhjet

Në të gjitha pikat e shitjes McDonald’s në Shkup, Ohër dhe Tetovë së shpejti priten të hapen restorante të ushqimit të shpejtë të markës së njohur greke Goody`s.

Mediat vendore në Maqedoni pohojnë se hapja e këtij zinxhiri ushqimesh pritet të hapet së shpejti, por afati i saktë ende nuk është definuar.

Goody`s është kompania më e madhe e ushqimit të shpejtë në Greqi e themeluar në vitin 1975 në Selanik.

Deri më tani, kjo kompani ka hapur restorantet e saj në Qipro, Bullgari dhe Portugali.

McDonald`s në Maqedoni është mbyllur më 14 maj të këtij viti, pas 15 vitesh funksionimi. Vetëm një muaj më vonë, janë hequr të gjitha reklamat e kësaj kompanie, pasi u bë i ditur vendimi se McDonalds nuk rikthehet në Maqedoni.

Filip Stojanovski, një qytetar nga Shkupi, thotë se “së paku tre herë në javë shkonte në McDonald’s” dhe ndihet keq për mbylljen.

Ian, një punonjës nga Portugalia, menaxher i një banke komerciale në Shkup, thotë gjithashtu se ndjen mungesë për McDonaldsin.

Ka edhe të atillë që nuk e kanë parapëlqyer këtë lloj ushqimi, por tash u mungon ajo që dikur mund të quhej si pikë-takim mes miqsh dhe familjesh.

Opinioni në Maqedoni nuk ka shumë njohuri për arsyen e vërtetë të mbylljes së McDonaldsit.

Në kohën e mbylljes, ishte publikuar vetëm një deklaratë e shkurtër e drejtoriti të kompanisë “SJ” që përfaqësonte kompaninë McDonald’s në Maqedoni, Svetozar Janevski.

Zoti Janevski arsyetohej me një vendim të njëanshëm të McDonalds-it.

“Kompania amerikane në mënyrë të njëanshme shkëputi marrëveshjen, arsyet nuk mund t’ju them, pasi që janë shumë të parëndësishme”, pati deklaruar Janevski, duke shtuar se procesin do ta zgjidh përmes institucioneve të drejtësisë.

Në mediat botërore ndërkaq citohej një mosmarrëveshje ndërmjet zotit Janevski dhe përmbushjes së detyrimeve nga ana e tij karshi kompanisë McDonalds.
XS
SM
MD
LG