Ndërlidhjet

Pirja e duhanit nën tenda - shkelje e Ligjit


Ilustrim
Ilustrim
Nga data 22 maj e këtij viti, Ligji për kontrollin e duhanit ka hyrë në fuqi.

"Merr frymë lirshëm", ishte mesazhi që u jepej kosovarëve nga ajo ditë. Vullneti i qytetarëve me të hyrë në fuqi të këtij ligji, për ta zbatuar atë nuk ka munguar.

Por me rënien e temperaturave, ky Ligj ka filluar të shkelet, thonë zyrtarë që merren me inspektimin e Ligjit për kontrollin e duhanit.

Ibrahim Tershnjaku, inspektor sanitar, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga muaji shtator e deri tani janë dënuar me gjoba 35 subjekte afariste me nga 3 mijë euro.

Kjo si pasojë e asaj se pronarët e kafeneve po improvizojnë hapësira të rrethuara me tendë për duhanpirësit, gjë që konsiderohet e kundërligjshme.

"Të gjitha ato improvizime të cilat e shkelin Ligjin, do të merren masa të gjobës sepse me Ligjin për kontrollin e duhanit janë precizuar saktë në dispozitë ligjore se çka është hapësirë e mbyllur, pa marrë parasysh materialin me të cilin është i mbuluar ajo. Në qoftë se është hapësirë e mbyllur nuk ka kurrfarë tolerance me dispozitë ligjore".

"Ne tash për çdo ditë kemi intensifikuar masat e gjobës, dhe sot kanë dalë para mëngjesit në ato subjekte ku po shkelet Ligji, pasi që departamenti për mbrojtjen e konsumatorit na informon se te cilat subjekte ne fakt shkelet Ligji. Në Prishtinë ka shumë pak vende ku shkelet Ligji, derisa në vendet tjera të Kosovës më shumë. Deri tash janë shqiptuar rreth 35 gjoba, që nga fundi i shtatorit deri tani", bëri të ditur Tershnjaku.

Derisa zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se hapësirat e rrethuara të cilat po mbyllen për shkak të temperaturave të ulëta, dhe tymosja brenda saj, ndalohet me Ligj.

Faik Hoti, drejtor i departamentit të informimit në Ministrinë e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në çdo hapësirë të mbyllur, pa marrë parasysh materialin me të cilin mbyllet, ndalohet tymosja e duhanit.

"Hapësirë e mbyllur është çdo hapësirë e mbyllur me tavan që është i lëvizshëm ose jo dhe i rrethuar në dy ose më shumë anë pa marrë parasysh llojin e materialit. Kështu që nëse tendat e improvizuara nga subjektet e ndryshme i kanë hapësirat e hapura, disa anë të hapura që e lejojnë daljen e tymit jashtë, nuk do të ishte problem, por në qoftë se ato janë të mbyllura do të është shkelje e ligjit".

"Andaj ne si Ministri në bashkëpunim me inspektoratin sanitar ditë më parë ka bërë thirrje subjekteve që tendat e tilla të bëhen sipas Ligjit e jo të krijohen hapësira të mbyllura dhe të tymoset duhan aty sepse ligji e ndalon tymosjen në hapësira të mbyllura", tha Hoti.

Ndërsa, Shkumbin Spahiu, nga organizata KADC, njëherësh anëtar i grupit punues të Ligjit për kontrollin e duhanit, thotë se pret nga qytetarët që të bashkëpunojnë dhe njëherësh të respektojnë ligjin, sepse është obligim i secilit.

Sipas tij, kryeqyteti është vendi ku ky ligj po respektohet më shumë, krahasuar me vendet tjera të Kosovës.

"Në Prishtinë gjendja është më e mirë, derisa me ftohjen e motit janë bërë shkelje më të mëdha, sidomos në orët e vona, pas orës 23, dhe kjo po bëhet me vetë iniciativën e pronarëve të lokaleve, duke i ofruar taketuket për duhan për myshterinj pas kësaj ore brenda lokaleve. Tani mendoj se duhet një mobilizim më i madh i inspektorëve".

"Ne kemi formuar grupin punues në Prishtinë, ku janë të përfshirë Organizata Botërore e Shëndetësisë, Policia e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë si dhe inspektorati sanitar. Policia e Kosovës ka ofruar mbështetjen që t'i përkrahim grupet e inspektorëve sanitar që bëjnë mbikëqyrjen e respektimit të ligjit për kontrollin e duhanit, dhe shpresojmë që këtë javë ose javën tjetër do të dalim në kafe bare për t'i inspektuar", u shpreh Spahiu.

Edhe udhëheqësi i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skënder Syla, konsideron se Ligji për kontrollin e duhanit duhet të zbatohet në tërësi, duke cekur se nga ky ligj, kosovarët do të kenë së pari dobi shëndetësore, pastaj ekonomike, të mjedisit dhe sociale.

Syla gjithashtu shton se ndalimi i tymosjes në vende publike do të dëshmojë faktin se do të shpëtohen me mijëra jetë njerëzish, me mijëra sëmundje dhe do të kursehet buxheti i limituar i Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e këtyre sëmundjeve, sepse dihet që vdekjet e parakohshme që ndodhin në Kosovë, janë si pasoja e duhanpirjes.
XS
SM
MD
LG