Ndërlidhjet

Përfaqësues të konsorciumit Axos capital si ofertuesit më të mirë në ofertën për shitjen e 75 për qind të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës iu kanë bërë thirrje deputetëve të Parlamentit të Kosovës që të mos e bllokojnë procesin e privatizimit të PTK-së.

Gjatë një konference për media ata kanë kërkuar nga deputetë që të kuptojnë rëndësinë e finalizimit të këtij procesi dhe si proces mos të keqpërdoret politikisht nga askush.

Përfaqësuesi i konsorciumit Axos capital, Jan Budden ka theksuar se finalizimi i procesit të shitjes së 75 për qind të aksioneve të PTK-së është në interesin e popullit të Kosovës.

“Ne jemi këtu si investitorë të zotuar dhe jemi të sigurt se ky proces do të finalizohet. Ne shpresojmë që përfaqësuesit e popullit të Kosovës në Parlamentin e Kosovës do të kuptojnë rëndësinë e finalizimit të këtij procesi dhe nuk është në interesin e askujt që ky proces të keqpërdoret politikisht nuk ka interes më të madh nacional në këtë kohë se sa të ketë investim masiv”, ka theksuar Budden.

Konsorciumi “Axos capital” kishte ofruar 277 milionë euro për 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Komisioni për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës kishte shpallur këtë ofertë si ofertën më të mirë.

Nënshkrimi i kontratës me këtë kompani ishte shtyrë dy herë derisa afati i ardhshëm është caktuar për 26 dhjetor të këtij vit.

Jan Budden thotë se presin që në dhjetor të bëjnë nënshkrimin e kontratës.

“Nëse ky proces dështon që unë nuk besoj që do të ndodh, do të jetë një shenjë dramatike për Kosovën”, thekson Budden.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu, ka thënë se procesi i shitjes së PTK-së ka mbetur në një udhëkryq që kërkon zgjidhje.

“Në rrethanat e krijuar kam drojën se lidhur me privatizimin e PTK-së kemi arritur në udhëkryq, nëse në këtë udhëkryq humbim rrugën e drejtë kompania jonë më përfituese (PTK) do t’i përmbush të gjitha kushtet që të kthehet në një barrë të re dhe të rëndë në kurrizin e ekonomisë dhe shoqërisë sonë, të cilën askush serioz në botë nuk do të dëshironte ta blinte”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndryshe, procesi i shitjes së 75 për qind të aksioneve është përcjell me debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës.

Kjo çështje kishte bllokuar edhe punimet e Parlamentit, pasi që ishte opozita ajo e cila kundërshtonte miratimin e shitjes së 75 për qind të aksioneve.

Opozita kishte kërkuar formimin e komisionit hetimor parlamentar për privatizimin e PTK-së me pretendimet se procedurat nuk kishin përfillur ligjet.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG