Ndërlidhjet

Nevojat e të rinjve në Kosovë për mbështetje nga institucionet, qoftë qendrore, qoftë komunale, janë të mëdha, ndërkohë që buxheti i ndarë për ta, as për së afërmi nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e të rinjve, vlerësojnë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Megjithatë, ata kanë pikëpamje të ndryshme lidhur me angazhimin e institucioneve përgjegjëse për të rinjtë.

Zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, vlerësojnë se kuota për investime për të rinjtë, e ndarë nga buxheti i përgjithshëm i kësaj ministrie, në vitin 2013, është menaxhuar mjaft mirë.

Përderisa pjesa e ndarë e buxhetit për Departamentin e Rinisë përbën vetëm rreth 6 për qind të buxhetit të përgjithshëm prej rreth 19 milionë eurosh të kësaj ministrie, Jehona Shyti, këshilltare e lartë e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se ministria ka financuar një numër të madh projektesh me dobi për të rinjtë, si dhe ka mbështetur edhe mjaft aktivitete të tyre.

“Buxheti për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për vitin 2013, ka qenë 19.1 milionë euro dhe nga ky buxhet, kanë qenë të planifikuara mbi 1 milion e 200 mijë euro për sektorin e rinisë. Prej këtyre 1.2 milion eurove, 500 mijë kanë qenë të ndara për investime kapitale, ndërsa rreth 700 mijë euro kanë qenë për mbështetje të projekteve të ndryshme, të cilat janë paraparë nga organizatat e ndryshme joqeveritare dhe që normalisht, kanë mbuluar fushën e rinisë”, ka shpjeguar Shyti.

Ajo ka shtuar se buxheti prej 700 mijë eurosh ka qenë i ndarë për realizimin e disa politikave që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka të ndara, si: edukimi joformal, puna vullnetare, mbështetja e qendrave rinore që operojnë në të gjithë Kosovën, si dhe mbështetja e këshillave lokale dhe këshillit qendror për veprimin rinor.

Sipas saj, mbështetja për të rinjtë ka shkuar edhe përmes projekteve që kanë dalë nga konkursi i projekteve, që kanë qenë të hapura në Departamentin e Rinisë të Ministrisë përgjegjëse.

Këto projekte kanë pasur të bëjnë me politikat e integrimit shoqëror, sigurisë njerëzore dhe edukimit shëndetësor.

Gjithashtu, Shyti ka theksuar se ka pasur edhe donacione nga organizata të ndryshme ndërkombëtare që kanë financuar projektet e të rinjve dhe për të rinjtë.

Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga subjekti opozitar, Lidhja Demokratike e Kosovës, Sadri Ferati, njëherësh anëtar i Komisionit parlamentar për Arsim, Kulturë, Rini, Sport, Administratë Publike, Qeverisje lokale dhe Media, duke folur për radion Evropa e Lirë ka kritikuar institucionet qendrore dhe ato lokale përgjegjëse për kulturën, duke thënë se nuk kanë bërë aq sa kanë mundur për të rinjtë.

Sipas tij, këto institucione ende nuk kanë dhënë ndonjë ide që do të qartësonte se si duhet qasur me mbështetje për të rinjtë kur është fjala për jetën publike, argëtimin, aftësimin, pjesëmarrjen më aktive të tyre në kulturë, në sport dhe aktivitete rinore.

“Unë mendoj që është investuar pak. Ndonëse është buxheti i vogël, nganjëherë edhe te Ministria (për Rininë), por edhe tek komunat, kam vërejtur se janë në atë krizën ndërmjet rezultateve kulmore – pra, që mbështeten krijuesit profesional, të veçantë - dhe pjesës së masivizimit dhe akomodimit të rinisë në këto aktivitete”.

“Dhe, gjithmonë, këto buxhete të vogla shkojnë në përkrahje të një aktiviteti të fuqishëm, të një përvjetori ose çfarëdo dhe shihet se pastaj tërë vitin të rinjtë mbesin pa mbështetje”
, ka theksuar Ferati.

Edhe Jehona Shyti pajtohet se buxheti, i cili ndahet për mbështetjen e të rinjve, është i vogël dhe nuk mund t’i plotësojë të gjitha nevojat e të rinjve.

Por, sipas saj, përgjegjësia për mbështetjen e të rinjve është e ndarë në disa dikastere:

“Ne konsiderojmë se ky buxhet as për së afërmi nuk i plotëson nevojat dhe kërkesat e rinisë. Megjithatë, është e rëndësishme që rinia mbështetet edhe nga ministritë tjera dhe jo vetëm nga Ministria e Kulturës, sepse buxhet për rini ka edhe në Ministrinë e Arsimit, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ministritë tjera".

"Por, normalisht, ka buxhet edhe nëpër komuna, të cilat gjithashtu mbështesin projekte të rinisë. Mirëpo, për buxhetin, të cilin Ministria (KRS) e ka pasur dhe e ka menaxhuar gjatë këtij viti, mendojmë se e ka menaxhuar në mënyrën më të mirë”, ka sqaruar Shyti.


Në këtë pikë, pajtohet edhe deputeti Ferati duke theksuar se mbështetja gjithë shoqërore është më e suksesshme, por siç thotë ai, akterët me përgjegjësinë më të madhe në këtë çështje janë institucionet qendrore dhe lokale.

Ndryshe, në mjaft raste, sikurse edhe në anketat me të rinj, të cilat Radio Evropa e Lirë i ka zhvilluar më parë, të rinjtë shprehin mendimin se investimet për ta janë të pakta, si dhe shprehin pasigurinë për perspektivën e tyre.

Në mjaft raste ata thonë se po t’u jepej mundësia, do të iknin jashtë vendit. Për deputetin Ferati këto shqetësime të të rinjve janë krejtësisht të kuptueshme.

“Neve tash na ndodhë që të rinjtë tanë, me magjistratura, konkurrojnë për rojtarë, për shoferë. Ata, përveç kësaj, kanë mungesë të kualitetit të jetës publike dhe mbesin në mëshirën e kafiterive, që ta paguajnë një kafe ose t’ua paguajë dikush një kafe”.

“Ata, ashtu- kështu, nuk e kanë perspektivën e punësimit, por e kanë edhe jetën e dobët. Normalisht, se gjithçka u është mërzitur”.

“Një buxhet paksa më i madh në nivel të ministrisë, por edhe nëpër komuna, që pikërisht i favorizon të rinjtë dhe pjesën kualitative të jetës, siç është sporti, kultura, aktivitetet rinore, sigurisht që fëmijëve tanë, në pritje të punësimit, do t’ua bënte jetën pak më të ëmbël, më të lehtë”
, është shprehur Ferati.

Ndryshe, buxheti i vitit 2014 për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, por që pret procedurat e miratimit nga Kuvendi i Kosovës, është paraparë të jetë 19.9 milionë euro.

Megjithatë, Jehona Shyti ka theksuar se ende nuk dihet saktësisht se cila do të jetë përqindja e mundshme e këtij buxheti, që do të ndahet për Departamentin e rinisë, por sipas saj, ajo nuk do të jetë më e vogël se buxheti i vitit 2013.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG