Ndërlidhjet

Hoyt Yee: SHBA-ja do ta shohë Kosovën në BE


Presidentja Atifete Jahjaga(majtas) priti zv.ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee.

Presidentja Atifete Jahjaga(majtas) priti zv.ndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha të enjten se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të mbarojë me një marrëveshje, e cila do t’i paraprijë integrimit të mëtejmë të të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.

Jahjaga paraqiti këtë ide gjatë takimit që zhvilloi të enjten në Prishtinë me zëvendësndihmëssekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee, ku ndër temat e shtjelluara, sipas një komunikate për shtyp të zyrës saj, ishin edhe dialogu dhe zbatimi i marrëveshjeve që prodhoi.

“...dialogu ndërmjet të dyja vendeve, duhet të përmbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje ligjore që do të mundësonte që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë rrugët e tyre respektive drejt BE-së, duke mos e bllokuar njëra - tjetrën”, shkruan në njoftimin e lëshuar pas takimit nga zyra e saj për shtyp.

Presidentja e Kosovës, po ashtu, tha se normalizimi i plotë i raporteve ndërmjet të Prishtinës dhe Beogradit, duhet të bëhet përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE.

Sipas njoftimit të Presidencës, zëvendësndihmëssekretari i shtetit i SHBA-së, Hoyt Yee, vlerësoi të arriturat e Kosovës dhe tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në proceset nëpër të cilat po kalon, dhe theksoi “se Kosova duhet të vazhdojë të punojë në demokratizimin e vendit dhe të thellojë reformat e saj të brendshme”.

Tutje në këtë komunikatë thuhet se diplomati amerikan tha se SHBA-ja do që të shohë Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit pjesë të BE-së.

Presidentja Jahjaga i tha mysafirit amerikan se dialogu ka dhënë rezultate me arritjen e marrëveshjeve që duhet të zbatohen në tërësi, duke nënvizuar se produkt i këtij procesi është edhe mbajtja e zgjedhjeve komunale në pjesën veriore të Kosovës.

Ajo theksoi se prania e SHBA-së në procesin e dialogut, përkrah lehtësuesit të tij në këtë rast Bashkimit Evropian, si dhe në të gjitha proceset e tjera për Kosovën, “është e domosdoshme”.

Zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, gjatë ditës u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në vend dhe rajon.

Shefi i Qeverisë së Kosovës, sipas një njoftimi nga zyra e tij për shtyp, me diplomatin amerikan, gjithashtu bisedoi për dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve.

“Kjo marrëveshje ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke i kontribuar në mënyrë të veçantë paqes dhe stabilitetit në rajon”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për rolin mbështetës dhe konstruktiv, që po u japin të gjitha proceseve demokratike në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të thellohen edhe më tutje.

Takimet e zëvendësndihmëssekretarit të shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee, kanë qenë të mbyllura për media. (f.aliu)
XS
SM
MD
LG