Ndërlidhjet

logo-print

Rasti Bytyçi: Kongresi amerikan shton trysninë; prokuroria serbe me prova të reja


Pamje nga homazhet në Prishtinë, në nderim të vëllezërve Bytyçi, 27 shkurt 2002

Pamje nga homazhet në Prishtinë, në nderim të vëllezërve Bytyçi, 27 shkurt 2002

Prokuroria për krime lufte në Serbi thotë se gjatë hetimeve të reja, ka siguruar të dhëna për persona që janë direkt të përfshirë në vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Agron,Yll dhe Mehmet Bytyçi, shtetas amerikanë me origjinë nga Kosova, janë vrarë me plumb në pjesën e prapme të kokës, ndërsa trupat e tyre të pajetë janë gjetur në vitin 2001, në varrezën masive në Petrovo Sello, në Serbi.

“Në procedurat paraprake hetimore kemi të dhëna të reja, por në këtë moment nuk mund të them se për sa persona bëhet fjalë dhe as të zbuloj emrat e tyre. Të gjithë ata, për të cilët të dhënat na tregojnë se kanë qenë direkt të përfshirë në vrasje, kanë qenë ose janë pjesëtarë të MPB-së”, ka thënë prokurori serb për krime lufte, Vlladimir Vukçeviq, për beogradasen “Blic”.

Fatos Bytyçi, vëllau i viktimave, i cili aktualisht gjendet në Beograd, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se tash e 14 vjet është duke zhvilluar bisedime me autoritetet e rendit në Serbi dhe ka pasur premtime edhe më herët se kjo çështje do të zgjidhet.

Duke shfaqur skepticizëm në zotimet që janë dhënë deri më tash, zoti Bytyçi tha se nuk do të heqë dorë nga ky rast.

Në takimet që ai ka zhvilluar me përfaqësues të institucioneve të drejtësisë në Beograd, ai thotë se "të gjithë kanë frikë nga Guri", duke iu referuar kësisoji një ish zyrtari të lartë policor, Goran Radosavljeviq Guri, dikur gjeneral në policinë e Serbisë dhe udhëheqës i xhandarmerisë serbe…

“Ata kanë shumë frikë nga Guri, unë nuk e kuptoj kur më thonë se ‘është me rrezik të ndiqen penalisht ata njerëz që vranë vëllezërit tuaj”, thotë zoti Bytyçi, duke cituar takimet që ka pasur me përfaqësues të rendit në Serbi.

Ky gjeneral serb është tërhequr nga policia në vitin 2005 dhe për një kohë konsiderohej se qe zhdukur nga vendi. Në vitin 2007 ai rishfaqet në publik.

Për të raportohet se aktualisht është anëtar i Partisë Progresive të udhëhequr nga zëvendës kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq dhe që drejton një kompani sigurie në Beograd.

Zoti Bytyçi fajëson pikërisht këtë, siç e quan ai, miqësi, të cilën e ndërlidh "me interesa të mëdha financiare dhe krim”, pse ish gjenerali serb nuk është vënë para drejtësisë ende.

“Por, nuk ka fare rëndësi, të gjithë kryesit e kësaj vepre do të përballen me drejtësinë dhe ne do t’i gjejmë edhe bosët e tyre gjithashtu”, ka thënë zoti Bytyçi për Radion Evropa e Lirë, duke besuar se zoti Guri nuk ka vepruar krjetësisht i vetëm.

Ai citon edhe rezolutën e ngritur në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara mbi këtë rast, më datë 22 tetor të këtij viti, duke thënë se qeveria serbe edhe mund të bëjë disa hapa më tej.

Rezoluta është prezantuar nga kongresistët Eliot Engel dhe Michael Grimm dhe ka pesë pikë përfundimtare:

(1) Ata individë që janë përgjegjës për vrasjen e shtetasve amerikanë në korrik t ëvitit 1999, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi në Serbi, të vihen para drejtësisë;

(2) Është e pafalshme se si asnjë individ asnjëherë nuk është gjetur fajtor për ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi ose për çfarëdo krimi tjetër të ndërlidhur me vdekjet e tyre dhe asnjë person nuk është madje duke u përballur me akuzat për këto krime të tmerrshme;

(3) Qeveria e Serbisë dhe ministritë e zyrat relevante, përfshirë këtu edhe Zyrën e Prokurorit për Krime Lufte, duhet ta bëjë prioritet hetimin dhe të nis ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundshme të ish zyrtarëve dhe atyre aktualë, për të cilët besohet se janë përgjegjës për vrasjet, në mënyrë direkte apo indirekte;

(4) Shtetet e Bashkuara duhet të zotojnë burime të mjaftueshme për të ndihmuar në plotëni dhe të monitorojë me efektivitet përpjekjet e qeverisë serbe dhe ministrive e zyrave relevante për të hetuar dhe ndhekur penalisht sa më shpejtë të jetë e mundshme të atyre personave që besohet se janë përgjegjës për vrasjet, në mënyrë direkte apo indirekte;

(5) Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, apo mungesa e tij, duhet të jetë faktor thelbësor në zhvillimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Serbisë.

Për vrasjen e vëllezërve Bytyçi kanë qenë të akuzuar policët Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, të cilët pas dy gjykimeve janë liruar.

Me vendimin e fundit për shfajësimin e tyre, në maj të vitit 2012, patën reaguar edhe Shtetet e Bashkuara, fillimisht përmes Ambasadës në Beograd, e cila kishte kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të sillte para drejrtësisë përgjegjësit për vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

Procesi gjyqësor kishte filluar në vitin 2006 dhe ishin dëgjuar gjithsejt 105 dëshmitarë.

Gjykata e Apelit në Beograd e kishte anuluar vendimin e shkallës së parë të këshillit të dikurshëm për krime të luftës të Gjyqit të Qarkut në Beograd, sipas së cilës të akuzuarit Popoviq dhe Stojanoviq ishin liruar nga akuzat. Procesi i ri gjithashtu përfundoi me vendimin për shfajësimin e të akuzuarve.

Lexoni edhe këtë: SHBA e shqetësuar për rastin "Bytyçi"
  • 16x9 Image

    Arbana Vidishiqi

    Arbana Vidishiqi është Drejtore e Shërbimit për Ballkanin në Radion Evropa e Lirë. Me gazetari merret që prej vitit 1997, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 1999. Është e martuar dhe ka një fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG