Ndërlidhjet

Trepça mund të negociohet me Serbinë (?)


Trepça
Trepça
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, ka shfaqur shqetësimin lidhur me mundësinë që Kompleksi i Trepçës të jetë një nga çështjet për diskutim në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përfaqësuesit e këtij konsorciumi kanë theksuar se dëshirojnë t’i tërheqin vërejtjen Qeverisë së Kosovës dhe partive politike parlamentare që çështjet e lidhura me statusin, pronësinë dhe të ardhmen e Kompleksit Trepça, të mos përfshihen në asnjë mënyrë në këtë dialog.

Visar Azemi nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm, ka theksuar se shqetësimet, të cilat i kanë paralajmëruar, kanë për bazë indikacionet se çështja e Kompleksit Trepça, do të tentohet të futet si temë diskutimi në dialogun Kosovë - Serbi.

“Ky paralajmërim që e bëmë sot, është i lidhur drejtpërdrejt me disa paralajmërime në media, që kryesisht kanë qenë, por ka indikacione edhe nga Komisioni Evropian se kjo çështje do të tentohet të futet në bisedimet me Serbinë”.

“Kjo është arsyeja pse ne e bëjmë këtë paralajmërim, jo vetëm për ta paralajmëruar Qeverinë, por gjithë spektrin politik, duke filluar edhe me deputetët në Kuvendin e Kosovës, që të jenë shumë të kujdesshëm kur kjo çështje të kërkohet nga ta që të votohet në Kuvend, ose pavarësisht se në çfarë mënyre do të kërkohet edhe mendimi i deputetëve në Kuvend”
, ka thënë Azemi.

Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Politike dhe Juridike, i cili është në kuadër të Konsorciumit, ka theksuar se duke u nisur nga fakti që Trepça është aset nacional i Kosovës, futja e këtij kompleksi si temë diskutimi në dialogun e Kosovës me Serbinë, do ta dëmtonte seriozisht edhe procesin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Sipas tij, Trepça përbën një instrument, përmes të cilit Kosova duhet ta ndërtojë të ardhmen e saj ekonomike dhe në asnjë mënyrë, siç ka thënë ai, nuk duhet lejuar që Trepça t’i plotësojë edhe kërkesat ekonomike të një shteti të huaj.

Korenica ka theksuar se revitalizimi i Trepçës duhet të bëhet vetëm në kuadër të ligjeve të Kosovës.

“Në asnjë mënyrë Kosova të mos pranojë, me çfarëdo insistimi ndërkombëtar, që Trepça të bëhet pjesë e dialogut Kosovë - Serbi. Në këtë mënyrë, jo vetëm që ndërton një precedent shumë të rrezikshëm, përmes të cilit i japim Serbisë të drejtën që të ndërhyjë në proceset e revitalizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike në Kosovë, por gjithashtu edhe për faktin që Trepça duhet të jetë planifikimi, përmes të cilit Kosova e ndërton të ardhmen e saj ekonomike dhe jo hapësira, ku Serbia shndërrohet në përfituese të një pasurie kombëtare, që juridikisht, politikisht, por edhe praktikisht është pjesë vetëm e Kosovës”, është shprehur Korenica.

Ai ka shtuar se paralajmërimi i tyre nuk nënkupton se Qeveria e Kosovës e ka bërë fakt të kryer çështjen e Trepçës, si temë bisedimi me Serbinë, por sipas tij, përmes paralajmërimit, kërkohet nga kjo qeveri që të mos vendos një gjë të tillë në të ardhmen.

“Natyrisht që çdo gjë që është paralajmëruar më parë, sa i përket dialogut me Serbinë, në fund të fundit, ka dalë të jetë e vërtetë. Unë besoj që Trepça përbën tejkalim të limiteve të atyre gjërave që mund të negociohen. Meqë ky është një aset kombëtar i Kosovës, nuk e dimë se me çfarë logjike, qoftë politike, qoftë juridike, dikush mund të pretendojë që ta fusë Trepçën në negociata me një shtet të huaj. Serbia për këtë nuk ka as edhe një fije legjitimitet politik ose juridik”, ka shtuar Korenica.

Ndryshe, Azemi ka theksuar se Konsorciumi beson që Treça duhet të mbetet aset shtetëror, por njëkohësisht edhe të hapen rrugët për investime të huaja, sipas modeleve të ndryshme të biznesitL:

“Pra, mundet, shumë thjesht, të koncesionohet menaxhmenti. Kjo mund të jetë një prej sektorëve të Trepçës, por në asnjë mënyrë të privatizohet ose të futet në dialog me Serbinë, në mënyrë që kjo çështje të zgjidhet me shtetet fqinje”.

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm ka vlerësuar se futja eventuale e çështjes së Treçës, si temë bisedimi në dialogun e Kosovës me Serbinë, do të nënkuptonte ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit dhe shkelje të sovranitetit të saj.
XS
SM
MD
LG