Ndërlidhjet

NYT: Trashëgimia frymëzuese e Kennedyt


Pesëdhjetë vjet pas vrasjes së John F. Kennedyt, ai mbetet objekt i admirimit pothuajse universal, shkruan gazeta “New York Times”.

Megjithatë, sipas saj, trashëgimia e tij këtë vit ka ngjallur zemërimin e skeptikëve, të cilët thonë se Kennedy është i padenjë për gjithë këtë lajkatim.

“John F. Kennedy ka qenë ndoshta presidenti më i keq amerikan në shekullin e kaluar. Ai ka kaluar 35 muaj në Shtëpinë e Bardhë duke u endur nga kriza në dështim”, ka shkruar gazetari Thomas E. Ricks.

Sipas mosbesuesve, ai ka qenë vetëm imazh dhe pa substancë, një ‘playboy’ i cekët, gabimet e të cilit në politikën e jashtme minojnë çdo pretendim ndaj madhështisë.

Kritikat e tilla jo vetëm që hedhin hije mbi arritjet reale të Kennedyt si udhëheqës i brendshëm dhe i jashtëm politik, por po ashtu nuk arrijnë të vlerësojnë rolin qendror të presidencës: për të frymëzuar dhe inkurajuar vendin që të ecë përpara – një rol që Kennedy e ka kryer më mirë se çdo president tjetër në kujtesën moderne, shkruan “New York Times”.

Kritikët tallen me imazhin e tij si një njeri i devotshëm familjar. Siç ka shkruar gazetari Timothy Noah, ata ankohen se ai ka qenë “tradhtar i sëmurë, madje patologjik, i martesës – vetëkënaqja e pamatur e të cilit ka kërcënuar shkatërrimin e presidencës së tij”.

Kritikët po ashtu kapen për problemet e tij të fshehura shëndetësore: A do ta zgjedhnin votuesit atë, para Richard M. Nixonit, po të kishin njohuri të plota për sëmundjen e tij të Addison-it apo probleme të tjera, citon “New York Times” kritikët.
Kritikë janë edhe për të drejtat civile.

Vonesa e tij në nënshkrimin e një urdhri ekzekutiv, për t’i dhënë fund diskrminimit në strehimin publik, të cilin e ka premtuar gjatë fushatës së vitit 1960, emërimi i gjyqtarëve federalë diskriminues, ankesa e Martin Luther Kingut se Kennedy nuk ka pasur “pasion moral” për të luftuar për trajtimin e barabartë të zezakëve – të gjitha këto kanë bindur disa historianë se vendimi i mëvonshëm i Kennedyt për të kërkuar ligj për të drejtat civile, ka qenë dobi e pastër politike.

Po ashtu, vendimi i Kennedyt për të rritur numrin e këshilltarëve ushtarakë në Vietnam, kombinuar me mbështetjen e tij të dyshuar për grusht-shtetin që ka vrarë presidentin e Vietnamit të Jugut, Ngo Ding Diem, është thënë se ka shërbyer si parahyrje për luftën shkatërruese të Lyndon Johnsonit.

Të gjitha këto kanë merita, por presidenca 1000-ditëshe e Kennedyt është më frymëzuese për të arriturat e saj sesa për të metat, shkruan “New York Times”.

Ai ka shpëtuar botën nga një luftë bërthamore me diplomacinë e tij të mprehtë, gjatë konfrontimit me Bashkimin Sovjetik, në lidhje me Kubën, në tetor të vitit 1962. Dhe, siç e ka thënë ai vetë privatisht në atë kohë, udhëheqja ushtarake ka dashur të bombardojë dhe pushtojë, por asnjë i gjallë nuk do të shpëtonte për t’iu thënë se e kanë gabim.

Derisa kritikët përqendrohen në imtësirat e atyre 13 ditëve, suksesi i vërtetë i Kennedyt është ajo që erdhi pas, shkruan gazeta.

I etur për të shmangur përsëritjen e tensioneve sovjetike-amerikane në lidhje me Kubën, ai ka ndjekur krizën me shprehje private të interesit në një afrim me zotin Kastro.

Çfarë është më e rëndësishme, ai ka arritur një marrëveshje me udhëheqësin sovjetik, Nikita S. Khrushchev, për ndalesën e testeve bërthamore, e cila ka eliminuar pasojat e rrezatimit në atmosferë.

Sa për Vietnamin, ajo që ka rëndësi është se Kennedy i ka rezistuar me sukses presionit për të dërguar më shumë se këshilltarë ushtarakë. Ka prova solide për padurimin e tij për t’i dhënë fund rolit ushtarak të Amerikës në luftën civile të këtij vendi.

Por, derisa Kennedy nuk ka arritur shumë në aspektin e legjislasionit, përvoja e tij duhet të shihet në kontekst.

“New York Times” shkruan se agjenda e tij legjislative është mbajtur peng nga një Kongres konservativ, i dominuar nga ligjvënësit jugorë, të cilët i kanë parë reformat si kërcënim për diskriminimin racial.

Kennedy ka parë presidencën si qendër jetike të qeverisë. Ai ka pasur qëllim të lëvizë vendin dhe botën drejt një të ardhmeje më paqësore, jo vetëm përmes legjislacionit, por edhe frymëzimit.

Ambiciet presidenciale të Kennedyt janë vënë mbi të kuptuarit e tij të asaj çfarë kanë bërë Washingtoni, Jeffersoni, Lincolni. Sikurse ata, ai është mbështetur në fjalën e folur, por ai ka pasur avantazhin e televizionit për të arritur deri te miliona njerëz në gjithë globin. Dhe, sikurse paraardhësit, ai ka parë nevojën për veprime, që i kanë dhën kuptim retorikës së tij.

Kërkesat në fjalimin e tij inaugurues – që amerikanët të vënë vendin para interesave personalë dhe që njerëzit kudo në botë t’i bashkohen një kërkimi të ri të paqes – kanë gjetur përmbajtje në Korpusin e Paqes dhe në Aleancën për Përparim.

Krahasuar me presidentët e tjerë të fundit, dështimet e të cilëve kanë sulmuar vetëbesimin kombëtar, kujtimet e Kennedyt vazhdojnë t’i japin vendit besimin se ditë të tij më të mira janë përpara, shkruan “New York Times”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG