Ndërlidhjet

Buxheti nuk ndahet në baza rajonale


Ilustrim
Ilustrim
Subjektet opozitare në vend janë të pakënaqura me ndarjen e buxhetit nëpër komuna. Sipas tyre, në ndarjen e buxhetit ka dominuar politika, pasi pjesa më e madhe e buxhetit është ndarë nëpër komunat që udhëheq partia në pushtet, dhe nuk janë marrë për bazë kriteret që buxheti të ndahet në mënyrë të drejtë.

Por, pavarëisht kundërshtimeve të opozitës, Kuvendi i Kosovës të enjten ka miratuar në parim projektligjin për buxhetin e vitit 2014.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Naser Osmani, kritikoi ekzekutivin për mënyrën e shpërndarjes se buxhetit nëpër komuna. Ai tha se projekt buxheti është ndarë në mënyrë jo-proporcionale duke u dhënë prioritet komunave të drejtuara nga Partia Demokratike e Kosovës.

“Ka investime të mëdha në komunat që udhëhiqen apo janë udhëhequr nga PDK-ja, ose pretendohet të udhëhiqen nga kjo parti. Ndërsa, komunat që nuk udhëhiqen nga ta, janë lënë krejt anash. Është e çuditshme, pse qe disa vjet me radhe nuk ka investime qeveritare për Komunën e Prishtinës”.

“Unë kam bërë një krahasim, për pesë vitet e fundit të investimeve në arsim, për kokë të nxënësve janë investuar 97.4 për qind në Skëndëraj dhe vetëm 2.6 për qind në Prishtinë, ose 38 herë është investuar më shumë, për kokë nxënësish se sa në Prishtinë”, tha Osmani.

Edhe zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksuan se mjetet më të mëdha buxhetore janë ndarë në komunat ku ka qeverisur partia në pushtet.

Ernest Luma, zëdhënës në këtë parti, tha se në komuna e Pejës dhe Gjakovës, ku ka udhëhequr AAK-ja, më buxhetin e këtij viti ishte lënë anash, në krahasim me buxhetin e vitit të ardhshëm, që siç tha ai, ekzekutivi është treguar më zemërgjerë.

“Ka pasur favorizime ekstreme në komunat ku ka udhëhequr PDK-ja, ku ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë, ose përmes partnerëve të saj të koalicionit. Por, janë diskriminuar komunat me rëndësi jetike. Për shembull, komuna e Gjakovës dhe Pejës nuk kanë e pasur mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në të gjitha nivelet”.

“Por, kësaj radhe një shpërndarje më proporcionale ka ndodhur dhe Qeveria konsiderojmë se megjithatë është treguar më zemërgjerë mbase për specifike në rrethanat e reja, në të cilat ajo është gjendur”
, theksoi Luma.

Edhe deputetja nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Fetoshi tha se konsideron që buxheti i Kosovës po ndahet në baza rajonale. Fetoshi, njëherit anëtare në Komisionin për Buxhet dhe Financa, në Kuvendin e Kosovës, vlerësoi se janë favorizuar komunat që udhëhiqen nga partia në pushtet.

Ajo, madje, theksoi se si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë komunal mjete më shumë janë ndarë për mallra dhe shërbime se sa për projekte kapitale.

“Buxheti për mallra dhe shërbime nëse i shikojmë në nivelin komunal është pesë herë më i madh se sa buxheti për subvencionet. Çka do të thotë se ky buxhet është i ndërtuar në atë mënyrë që më shumë të shpenzohet, se sa të investohet për prodhim. Është e vërtetë se disa komuna janë favorizuar sa i përket ndarjes së buxhetit, aty ku qeveris partia në pushtet ka më shumë buxhet se sa në komuna tjera”, u shpreh Fetoshi.

Sidoqoftë, ministri i Financave, Besim Beqaj, në seancën e së enjtes para deputetëve tha se me projektbuxhetin, Qeveria e Kosovës ka arritur që t’i financojë kërkesat me prioritet të secilës organizatë buxhetore dhe njëkohësisht të ruajë, siç u shpreh ai, stabilitetin buxhetor që është parakusht për rritje të qëndrueshme ekonomike.

Sipas projeksioneve të Qeverisë, të hyrat buxhetore për vitin e ardhshëm parashihen të jenë 1 miliard e 458 milionë euro, ndërsa shpenzimet do të arrijnë në 1 miliard e 590 milionë euro.
XS
SM
MD
LG