Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Kompanitë këshillohen nga ekspertë të huaj


Fabrikë qumështi në Maqedoni

Fabrikë qumështi në Maqedoni

Qeveria e Maqedonisë ka vendosur të ndihmojë biznesin në vend me angazhimin e ekspertëve të huaj në sferat që drejtuesit e kompanive vlerësojnë se kanë nevojë.

Për këtë qëllim, është shpallur edhe konkursi për kompanitë e interesuara dhe, sipas qeverisë, deri tani janë paraqitur një numër i konsiderueshëm i bizneseve të ndryshme.

Me rëndësi është se propozimi ynë ka hasur në interesim të mirë nga kompani të ndryshme, që nga ato më të voglat, me më së paku pesë punëtorë, e deri tek ato me mbi 1 mijë të punësuar. Gjithsej janë paraqitur 98 kompani të sektorëve të ndryshëm, si nga industria ushqimore, teknologjia informatike, veprimtaritë shërbyese, tregtia, bujqësia e kështu me radhë”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev.

Një nga ata që kanë konkurruar është edhe Sllavço Jordanov, pronar i një kompanie të industrisë së ushqimit. Ai thotë se marketingu ka qenë pika e dobët e kompanisë së tij dhe shpreson në përmirësimin e këtij segmenti, pasi të ketë siguruar ndihmën e ekspertëve të jashtëm.

“Mendoj se kjo na mungon pak në organizimin e kompanisë tonë, pra pjesa e marketingut. Na thanë se pa pagesë do të sjellin ekspertë nga jashtë, shpresoj se do të kemi ndihmë në këtë drejtim”, thotë Jordanov.

Por, ndryshe nga ai, mendojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, e cila mbledh një numër të madh të kompanive.

Masa e Qeverisë vlerësohet si populiste pasi kompanitë siç thekson Arben Halili, kanë nevojë për lehtësira brenda shtetit dhe jo për ekspertë të jashtëm.

“Kam frikë se më shumë po bëhet një përpjekje nga ana e Qeverisë për të promovuar vetveten, se sa për t’i dalë në ndihmë biznesit. Për ne do të ishte më e pranueshme që në vend të këtyre masave, të bëhen hapa konkretë, respektivisht të ofroheshin lehtësira doganore, të ofroheshin lehtësira për bërjen e biznesit në Maqedoni, mbi të gjitha për gjetjen e tregjeve të reja për kompanitë vendore”.

“Gjithashtu, lehtësira për ardhjen e investimeve nga diaspora që është një efekt tjetër që ne si Odë Ekonomike po e promovojmë. Ne nuk jemi kundër ekspertizave të tilla, por kam frikë se efektet që pretendohen se do të arrihen përmes këtyre masave, do të jenë vetëm një dëshirë në letër”,
shprehet Halili, drejtor ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.

Ai thotë se kompanitë në vend po hasin në vështirësi të shumta në bërjen e biznesit. Sipas tij, me rëndësi do të ishte zbatimi në praktikë i ligjeve të miratuara. Halili potencon se janë miratuar shumë rregulla ligjore, por që nuk zbatohen në praktikë.

“Klima e biznesit në Maqedoni është më e rënduar, ka shumë masa të ndryshme, të cilat në aspektin ligjor dhe formal janë kaluar nga ana e qeverisë, por ne si Odë Ekonomike na intereson aspekti i zbatimit të tyre në praktikë, pasi kjo në mënyrë direkte reflektohet në punën e kompanive tona. Në këtë drejtim, në vend që të silleshin masa të shumta në vëllim, ne jemi për atë që ato masa të cilat janë në letër, të jenë masa efektive dhe të zbatohen në praktikë”, vlerëson Halili.

Ekspertët thonë se çdo ndihmë është e mirëseardhur për mbështetjen e biznesit në vend, por sikur kjo të ishte e sinqertë.

Sipas tyre, iniciativa e qeverisë është e palogjikshme për faktin se ajo vazhdimisht jashtë vendit paraqitet me lëvdata nga më të ndryshmet se Maqedonia është një vend me kuadër të arsimuar dhe me specialistë të të gjitha fushave dhe nga ana tjetër, paguan ekspertë të jashtëm që të mësojnë afaristët e vendit se si duhet të udhëheqin me ekonominë.

E gjithë kjo, sipas tyre, flet qartë se bëhet fjalë për masë populiste sikur edhe shumë masa tjera të ndërmarra më parë.

Por, pavarësisht kundërshtimeve që vijnë, Qeveria është e vendosur për të realizuar këtë projekt, i cili tani hyn në fazën e dytë që nënkupton vizita nëpër kompanitë e paraqitura që të përcaktohen ekspertët, për të cilët ato kanë nevojë.
XS
SM
MD
LG