Ndërlidhjet

S’ka mjete për shpagim për mësimdhënësit e viteve ‘90


Ilustrim
Ilustrim
Përfaqësues të punëtorëve të arsimit në Kosovë shprehen të indinjuar, pasi në projektbuxhetin e vitit 2014 nuk janë ndarë mjete për shpagimin e punëtorëve të arsimit shqip për periudhën 1990- 1999, ashtu siç është premtuar nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.

Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji, për Radion Evropa e Lirë, thotë se kjo çështje është dashur të planifikohet edhe me buxhetin e vitit të ardhshëm, pasi kryeministri ka premtuar se i ka borxh kësaj kategorie.

Ai thotë se nëse ky shpagim nuk realizohet, sindikata do të bëjë presion në forma të ndryshme.

“Ne do të bëjmë presion, për të treguar se ky arsim, këta arsimtarë, nxënës, këta studentë, e kanë sjell Kosovën këtu është. Dhe, ky shtet i ri i Kosovës, i ka borxh kësaj kategorie njerëzish, të cilët dhanë gjithëçka nga vetja për të realizuar këtë. Unë vetëm një po e përmendi, se gjatë luftës, për çlirimin e Kosovë janë vrarë, rreth 400 mësimdhënës. Prandaj, do të bëhet presion. Format sindikale dihen, ne do të bisedojmë për të gjetur forma dhe mënyrën për të zbatuar ligjin”, thotë Shabani.

Ndërkaq, zyrtarë të ekzekutivit theksojnë se në projektbuxhetin e vitit 2014 nuk janë ndarë mjete të veçanta për kompensimin e punës së punonjësve të arsimit. Por, megjithatë, kjo çështje mund të diskutohet, thotë Gëzim Baxhaku, këshilltar në Ministrinë e Financave.

“Në këtë moment, nuk mund të flasim për zgjidhje tjera të mundshme, por në procedurën e rishqyrtimit të ligjit kur të përgatiten të gjitha dokumentet e nevojshme për të siguruar kompensim, mund të bisedohet”.

“Por, po theksoj edhe një herë se kjo çështje është përgjegjësi drejtpërdrejt e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe ata duhet në Ministrinë e Financave të paraqitet me të gjitha dokumentet e parapara sipas udhëzimeve të Republikës së Kosovës për të siguruar aplikimin e këtij kompensimi
”, shpjegon Baxhaku.

Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, është në fazën përfundimtare të projekt-ligjit në për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës, që nga viti shkollor 1990 -1999.

Me këtë ligj do të shpaguhet puna e mësimdhënësve për atë periudhë, por kjo do të ndodhë në kohën kur pensionohen ata, thotë Ragip Gjoshi, këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Gjoshi nuk e konsideron problem financimin e këtij projekt ligji. Ai thotë se kompensimi mund të ndodhë pasi të miratohet ligji për statusin e punëtorëve dhe pas rishqyrtimit të buxhetit në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, nuk është pengesë çështja financiare, sepse kjo do të bëhet në mënyrë suksesive, nuk do të bëhet përnjëherë për të gjithë mësimdhënësit. Dhe, njohja e kontributit të tyre nuk do të thotë se është problem te çështja materiale, fillimisht është njohja e stazhit që janë gjenerata të vjetra dhe përballen me pensionimin. Dhe, në këto vite së pari do të njihet stazhi i punës”, thekson Gjoshi,

Sipas projektligjit, mësimdhënësit që konsiderohen të jenë 22 mijë, do të marrin një pagë të plotë të pagës së garantuar si pension. Edhe pronarët e shtëpive, që në atë kohë kanë lëshuar objektet e tyre, të shfrytëzohen si shkolla, e që llogariten të jenë 3200, do të gëzojnë një pagë të plotë me rastin e pensionimit, ndërkaq 80 për qind të pagës minimale do të gëzojnë punëtorët teknik dhe shërbyes.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, ndërkaq, bëjnë të ditur se tashmë për këtë çështje, janë mbledhur dëshmi të mjaftueshme dhe të sakta.
XS
SM
MD
LG