Ndërlidhjet

logo-print

Holodomor, tragjedi me miliona të vdekur nga uria

  • RFE /RL

Natalya Churikova

Autorja dhe gazetarja e njohur amerikane, Anne Applebaum, thotë se po e përgatit një libër të ri për urinë shkatërruese, që e kishte përfshirë Ukrainën nën diktatorin Josef Stalin.

Autorja thekson se libri do të fokusohet në aspektin e shkaktuar nga njeriu të periudhës Holodomor, në të cilën ndërmjet viteve 1932 dhe 1933, humbën jetën miliona ukrainas.

Deri tash janë publikuar një numër i punimeve për “Vdekjen nga uria” ose Holodomor, përfshirë edhe studimin fillestar të intelektualit ango-amerikan, Robert Conquest, me titull “Të korrat e pikëllimit”, në vitin 1986.

Por, derisa Ukraina përgatitet ta shënojë 80-vjetorin e urisë shkatërruese, autorja Anne Applebaum, thotë se ajo ndjen se tragjedia ende mbetet shumë pak e njohur në perëndim.

“Mendoj se kjo temë ende duhet të kompletohet mirë, me një përfundim që do ta prezantojë temën dhe veçanërisht atë që ne e dimë për këtë temë, materialin e ri, për një audiencë që nuk di asgjë për të. Mendoj se kjo audiencë është perëndimore dhe në këtë pikë mund të jetë një histori, madje edhe për audiencën ruse dhe ukrainase”, thotë Anne Applebaum.

Uria e kishte përfshirë ish-Bashkimin Sovjetik në periudhën 1932-1933, pas kolektivizimit të dhunshëm të agrikulturës nga ana e Josef Stalinit.

Ukraina e plleshme, që ishte shportë buke e Bashkimit Sovjetik, ishte goditur më së keqi.

Kur të korrat e saj dështuan t’i plotësojnë synimet e Kremlinit në vitin 1932, zyrtarët dhe aktivistët u dërguan në fshatra për ta konfiskuar drithin dhe ushqimin.

Konfiskimi vazhdoi edhe në vitin 1933, duke bërë që familjet e tëra të vuanin nga mungesa e ushqimit.

Disa autorë thonë se lëvizja pjesërisht ishte e shkaktuar nga dëshira për ta thyer nacionalizimin në rritje në Ukrainë, që në Moskë shihej si kërcënim për integritetin e Bashkimit Sovjetik.

Historianët thonë se së paku 3 milionë njerëz kanë vdekur nga uria për më pak se një vit, ndërsa ka të atillë që thonë se numri i të vdekurve ishte deri në 10 milionë njerëz.

Gazetarja dhe shkrimtarja Anne Applebaum është e njohur për veprën e saj “Gulag”, që është një tregim shqetësues për jetën në rrjetin e gjërë të kampeve sovjetike. Për këtë vepër ajo e ka fituar Çmimin Pulitzer për jofiksion.

Ajo thotë se libri i saj i ri, për të cilin ajo është duke bërë kërkime, do të fokusohet në aspektin e shkaktuar nga njeriu të Holodomorit.

“Ajo që qartas do të dalë si gabim dhe katastrofë politike, që ishte pasojë e kolektivizimit, në një moment të veçant të pranverë të atij viti, do të shndërrohet në uri të organizuar. Me fjalë të tjera, rrugët ishin mbyllur, nuk lejohej hyrja e ushqimit brenda, shtëpitë e njerëzve bastiseshin, ushqimi ishte marrë nga njerëzit. Ishte uri masive e organizuar në mënyrë të qëllimshme”, thotë Applebaum.

Autoritetet sovjetike nuk kishin bërë përpjekje për parandalimin e lajmit se masakra po përhapej.

Madje, edhe në Ukrainë, pak njerëz kanë pasur njohuri për atë se çka ishte Holodomor, derisa ky vend e fitoi pavarësinë në vitin 1991.

“Ishte një sekret shumë mirë i menaxhuar. Përpjekjet për të pasur siguri se bota e jashtme nuk do të dëgjonte asgjë për të, ishin shumë të suksesshme”, thekson Applebaum.

Në vitin 2006, Parlamenti i Ukrainës e klasifikoi Holodomorin si gjenoocid. Por, pas zgjedhjes për president të Viktor Yanukovichit, në vitin 2010, ai i tha Asamblesë Parlametare të Këshillit të Evropës, se do të ishte “e gabueshme dhe jokorrekte për ta njohur Holodomorin si një akt i gjenocidit kundër një kombi”.

Nga ana e saj, Rusia, këmbëngul se uria ishte shkaktuar nga thatësia, e cila kishte sjellë uri edhe në pjesët e tjera të Bashkimit Sovjetik dhe e ka akuzuar Ukrainën se këtë tragjedi po e përdor për shkaqe politike. (f. bujupi)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG