Ndërlidhjet

Westerwelle: Bisedimet me Iranin ende nuk janë punë e kryer


Catherine Ashton (djathtas) dhe Javad Zarif arrijnë në bisedimet me dyer të mbyllura në Gjenevë të Zvicrës

Catherine Ashton (djathtas) dhe Javad Zarif arrijnë në bisedimet me dyer të mbyllura në Gjenevë të Zvicrës

Ministri i jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, tha sot se bisedimet për programin bërthamor të Iranit ende “nuk janë punë e kryer”.

Zoti Westerwelle mëtutje ka theksuar se “ka gjasë reale për marrëveshje, por ende duhet të kryhen shumë punë”.

Këto komente ai i bëri në Gjenevë të Zvicrës, ku ministrat e jashtëm të gjashtë fuqive botërore janë mbledhur, duke shpresuar se në bisedime me Iranin, do të arrihet kthesë vendimtare lidhur me programin e kontestuar atomik të këtij vendi.

Më herët është raportuar se përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, dhe ministri i jashtëm i Iranit, Javad Zarif, kanë arritur “progres në çështjet thelbësore” gjatë bisedimeve të djeshme.

Mediat kineze e kanë cituar një burim në Ministrinë e jashtme të Kinës, që ka thënë se bisedimet e “kanë arritur momentin final”

Grupi P5+1, që përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia, Britania, Franca, Kina dhe Gjermania, i ofron Iranit zbutje të kufizuar të sanksioneve ndërkombëtare në këmbim për suspendimin e disa aspekteve të programit të tij bërthamor.
XS
SM
MD
LG