Ndërlidhjet

logo-print

Shumë prej të rinjve, financiarisht varen nga familja dhe shpenzojnë shumë, duke mos ditur se ku dhe si i shpenzojnë mjetet e tyre që familja ndan për ta.

Kështu thonë disa të rinj të anketuar për rubrikën “VOX” të Radios Evropa e Lirë.

Ata flasin rreth shpenzimit të parave që kanë në dispozicion në ditë apo në muaj.

Më së shumti paratë i shpenzojnë në kafiteri dhe shumë pak për të blerë ndonjë libër që u duhet për studime. Disa prej tyre thonë se i huazojnë librat dhe paratë më shumë i shpenzojnë për t’u argëtuar me shokë.

Leonik Ahmetxhekaj është student i Fakultetet Ekonomik. Të gjitha mjetet financiare ia siguron familja, të cilët punojnë si shërbyes civilë në institucionet e Kosovës. Shpenzimet thotë se nuk i ka të shumta dhe që janë minimale për një student.

Kam të caktuar për çdo ditë sa shpenzoj, ndoshta më shumë e ndoshta më pak për një ditë. I shpenzoj për bukë, kafe dhe cigare. Financohem nga prindërit, në ditë i shpenzoj deri në 5 euro dhe jo më shumë”, thotë Leoniku.

Shumën e mjeteve që këta të rinj shpenzojnë brenda ditës e diktojnë edhe çmimet e produkteve të konsumit, të cilat në Kosovë vlerësohet të jenë të larta dhe që vazhdimisht nga muaji në muaj shënojnë ngritje.

Kjo ngritje e çmimeve, thonë të rinjtë, po u pamundëson atyre që të kenë shpenzime të vogla. Thonë se është e pamundur që t’ia dalësh të jetosh me pak para.

Antigona Nexhibi, njëzet vjeçe, të cilën e takuam derisa po dilte nga një dyqan rrobash, thotë se gati të gjitha paratë i shpenzon për veshmbathje derisa paratë për shpenzimet e saj ia sigurojnë prindërit. Prindërit e saj thotë se kanë një biznes.

“I kemi të caktuara shpenzimet, shpenzoj më shumë për veshmbathje, dalim me shoqëri në kafiteri, shpenzoj deri në 20 euro në ditë. Jam shpenzuese e madhe. Mjetet financiare për shpenzime i marr nga familja”, tregon Antigona.

Prindërit, të cilët financojnë fëmijët e tyre, nuk e kanë aspak të lehtë t’i sigurojnë paratë. Kosova ballafaqohet me shkallë të lartë të papunësisë dhe ato mbi 30 për qind.

Ndërkaq, për ata që punojnë, të ardhurat mujore janë të ulëta. Paga neto te shumica e punonjësve kosovarë, sipas të dhënave zyrtare është 300 deri 400 euro në muaj.

Numri i të punësuarve në nivel vendi arrin mbi 300 mijë persona.

Rinor Hoxha, student në Fakultetin e Elektroteknikës, thotë se për shpenzimet e tij ditore, përkujdeset familja. Thotë se si student nuk mund t’iu ikë shpenzimeve, pasi që tërë ditën është në fakultete dhe në pauzat që ka ndërmjet ligjëratave, i duhet të ketë para që të dalë diku.

“Gjatë ditës i shpenzoj deri në 10 euro. Mbushje telefoni shpenzoj shumë, për ushqim shpenzoj deri në 5 euro, kafe me shoqëri dhe kështu”, thotë Rinori.

Ndryshe nga këta të rinj, Besa Ajvazi, studente, punon dhe paratë për shpenzimet e saj ditore, i mbulon vetë. Por, se paga që ajo merr, është e pamjaftueshme për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet, kështu që nganjëherë ndihmohet edhe nga prindërit:

“Unë punoj vetë dhe financohem edhe pak nga prindërit. Gjëra të përditshme të domosdoshme. Kam veturë dhe më bie të udhëtoj me të për të shkuar në punë, kjo bën që edhe të shpenzoj më shumë në ditë, deri në 30 euro”.

Derisa Naim Sogojeva, një i ri 21-vjeçar, punon dhe nuk studion. Ndryshe nga të rinjtë e anketuar, ky i ri mban familjen me paratë që ai i fiton nga puna e tij. Shpenzon pak për vete, e ndihmon më shumë familjen.

“Punoj në një parking në kryeqytet dhe jetoj me ato të ardhura, ndihmoj familjen me ato para dhe pak shpenzoj për veten”, shprehet Naimi.

Papunësia te të rinjtë, si në raportet vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare së fundi, është konsideruar një problem mjaft i theksuar në Kosovë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 32 për qind e të papunëve në Kosovë janë të moshës 15 - 24 vjeç.

Sipas këtij institucioni, më shumë se një e treta e personave të moshës 15 deri në 24 vjeç në Kosovë, gjatë vitit 2012 nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim.

Granti Gjocaj është 19-vjeçar. Thotë se financohet më së shumti nga vëllai, i cili punon në Austri:

“Për kafe shpenzoj më së shumti. Vëllai nga Austria dhe babai më përkrahin financiarisht. 10 euro në ditë, blerje bëj më shumë”.

Edona, studente e Fakultetit të Mjekësisë, thotë se familja e saj qëndron mirë financiarisht dhe se ndihmohet nga familjarët.

“Unë jetoj në Prishtinë, nuk kam nevojë të paguaj qira, por gjithçka që shpenzojë gjatë ditës, është ushqimi, kafetë dhe ndonjë libër kur e blej”, thekson Edona.

Ndërkaq, Leotrimi, një i ri i ardhur nga Gjermania, student në Universitetin e Prishtinës, thotë se as vetë nuk e di se si i shpenzon mjetet financiare që familja ndan për të:

“Nuk e di si më shkojnë paratë, nuk di as ku i shpenzoj, por e di që shpenzoj shumë, çdo ditë e më shumë”.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG