Ndërlidhjet

Liderët iranianë dhe botërorë e mirëpresin marrëveshjen

  • RFE /RL

Liderët iranianë dhe ata botërorë e kanë përshëndetur marrëveshjen e përkohshme atomike ndërmjet Iranit dhe fuqive botërore për programin e kontestuar bërthamor iranian.

Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha të dielën se marrëveshja e arritur në Gjenevë, është “bazë” për progres të mëtejshëm.

Këto komente u bënë disa orë, pasi Irani dhe fuqitë botërore e arritën marrëveshjen për programin e kontestuar atomik iranian, në bisedimet në Gjenevë të Zvicrës.

Grupi P5+1, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, i kanë ofruar Iranit zbutje të kufizuar të sanksioneve ndërkombëtare, në këmbim për suspendimin e disa aspekteve të programit të tij bërthamor.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se rezultat i bisedimeve është se “fuqitë botërore e kanë njohur të drejtën atomike të Iranit”.

“E drejta e kombit të Iranit për pasurim të uraniumit është në tokën iraniane. Çdokush që dëshiron, mund t’i bëjë interpretimet e veta për këtë të drejtë. Në tekstin e marrëveshjes thuhet qartas se Irani do ta mbajë pasurimin e uraniumit. Për këtë arsye e shpalli para popullit të Iranit se aktivitetet iraniane të pasurimit do të vazhdojnë si përpara”, tha Rohani.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton, sot në mëngjes e ka shpallur arritjen e marrëveshjes.

“Ky është hapi i parë, por është, siç do ta shihni, shumë brenda kornizës në kërkimin për marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Kjo, pa dyshim, është ajo që ne dëshirojmë të arrijmë. Kjo është, po ashtu, ajo që besoj se edhe Qeveria e Iranit e dëshiron. Pra, derisa lëvizim kah implementimi i marrëveshjes, ky është një hap i parë i rëndësishëm”, ka deklaruar Ashton.

Sipas Ashtonit, “plani i përbashkët i aksionit” do të “krijojë ambient për zgjidhje gjithëpërfshirëse”.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, presidenti amerikan, Barack Obama, ka thënë se marrëveshja i mundëson Iranit një “rrugë të dinjitetshme” për t’iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar.


“Ne sot kemi mundësi reale për arritjen e zgjidhjes paqësore dhe gjithëpërfshirëse dhe besoj se ne duhet ta testojmë atë. Hapi i parë, që ne e kemi ndërmarrë, shënon progresin më të rëndësishëm dhe të prekshëm, që ne e kemi bërë prej se unë u zgjodha president. Tash ne duhet ta shfrytëzojmë periudhën e disa muajve të ardhshëm për ta ndjekur zgjidhjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila do ta mbyllë çështjen, e cila ishte kërcënim për sigurinë tonë dhe sigurinë e aleatëve tanë për dekada”, ka theksuar Obama.

Më tutje, ai ka shtuar se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë e Izraelit dhe partnerëve të Gjirit, “që kanë arsye të mirë për të qenë skeptikë për synimet e Iranit”.

Sipas Obamas, “vetëm diplomacia do të sjellë zgjidhjen e qëndrueshme për sfidat, që paraqet programi atomik iranian”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka dënuar marrëveshjen duke e cilësuar si “gabim historik”, dhe ka thënë se nuk ndihet i obliguar nga dokumenti.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është shprehur se marrëveshja paraqet përfitim për të gjitha palët. “Askush nuk humb, çdokush fiton”, ka thënë Lavrov.

Ministria e Jashtme e Kinës ka shprehur qëndrimin se marrëveshja me Teheranin do të “ndihmoj në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme”.

Sipas një njoftimi për media nga Qeveria amerikane, Irani është pajtuar për ta ndalur gjithë pasurimin e uraniumit mbi 5 për qind dhe për t’i neutralizuar sasitë ekzistuese të afro 20 për qind të uraniumit të pasuruar mbi 5 për qind, gjatë periudhës gjashtëmujore.

Në këmbim, grupi P5+1 është pajtuar ta suspendojë pjesën më të madhe të sanksioneve lidhur me arin dhe metalet e çmuara dhe ndaj eksporteve të naftës iraniane. Do të lejohet edhe mirëmbajtja e ndërlidhur me siguri e aeroplanëve civilë iranianë.

Në përgjithësi, në pako përfshihen afro 7.2 miliardë dollarë lehtësim nga sanksionet kundër Iranit. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG