Ndërlidhjet

Balotazhi dhe gara për qytetet e mëdha


Në Kosovë ka filluar fushata pesë ditore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale. Balotazhi, përfshinë garën për kryetar në 25 komuna.

Analistët parashohin një garë më të ashpër për kreun e Prishtinës, Gjakovës, Prizrenit, Pejës dhe Lipjanit.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës që bën pjesë në rrjetin e organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe kjo fushatë dhe dita e votimeve do të monitorohet nga afër për të përcjellë gjithë procesin elektoral.

Përsëri do jemi pjesë e procesit si koalicion i OJQ-vë, Demokracia në Veprim. Kemi diku 60 vëzhgues të cilët do të monitorojnë aktivitetet e fushatës gjatë kësaj jave. Normalisht më pas do t’i kemi edhe 1600 vëzhgues të cilët do të jenë në të gjitha qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve deri në përfundim të gjithë procesit”, thotë Selmanaj.

Në periudhën mes votimeve të rrethit të parë më 3 nëntor deri më sot, subjektet politike kanë lidhur edhe koalicione të ndryshme nëpër komuna duke u munduar të sigurojnë përkrahje më të madhe për kandidatët e tyre që shkuan në balotazh.

Diton Selmanaj thotë se një veprim i tillë është i jashtëligjshëm, pasi që fushata ka filluar sot, por sipas tij, ka zbrazësi ligjore të cilat po i shfrytëzojnë partitë politike duke shpëtuar nga sanksionet.

Ndërkaq lidhur me ditën e balotazhit dhe rezultateve të mundshme, Selmanaj parashikon garë të ashpër për disa komuna, kryesisht ato më të mëdhatë.

“Shihet një garë më e nxehtë për Prishtinën, Prizrenin, Lipjanin, Gjakovën e Pejën. Do të thotë këto janë qytetet ku ne po mendojmë se edhe gara e fushatës së kësaj jave do të jetë me tensione, në kuptimin e ofertave e kundër ofertave, si qytete, qendra ku do të ketë një garë bukur të ngushtë, sepse këtë e dëshmuar vet rezultati i votimeve më 3 nëntor”, vlerëson Selmanaj.

Në një analizë rreth votimeve të rrethit të dytë, Shqipe Pantina nga Qendra për Politikë dhe Avokim thotë për Radion Evropa e Lirë se gara në balotazh do të thotë fillimi nga zero, pavarësisht rezultateve të rrethit të parë.

“Gara në balotazh do të thotë fillimi nga zero, pa marrë parasysh rezultatet që kanë ndodhë në rrethin e parë. Megjithatë ato rezultate nuk mund të anashkalohen. Zakonisht nëse e shohim përvojën nga zgjedhjet e kaluara, kandidati i cili ka dalë i pari në rrethin e parë, kryesisht ka fituar edhe në rrethin e dytë. Sidoqoftë kjo nuk është një formulë që domosdoshmërisht vlen”, thotë Pantina.

Në lidhje me pritjet e saj rreth rezultateve të balotazhit, Shqipe Pantina ndalet sidomos në komunat që njihen edhe si bastione të disa partive politike. Ndryshimet eventuale në këto komuna, sipas saj, do të mund t’u paraprinin ndryshimeve politike në nivel vendi.

“Unë mendoj se do të ketë disa ndryshime edhe nga raundi i parë. Do të ishte e vështirë të besohet se që AAK-ja do t’i humbte Pejën e Gjakovën, sikurse që e shoh të vështirë edhe fitoren e Vetëvendosjes në Prishtinë. Nëse ndodhë kjo, do të thotë nëse AAR-ja fiton në Gjakovë e Vetëvendosje në Prishtinë, atëherë këto do të ishin hapat e parë të ndryshimit të politikës në përgjithësi në Kosovë”, thekson Pantina.

Gara e balotazhit do të zhvillohet të dielën, më 1 dhjetor. Po këtë datë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të përsëriten zgjedhjet edhe në tri vendvotime në Komunën e Zveçanit.

Ngjashëm me rrethin e parë të votimeve më 3 nëntor, edhe në balotazh janë certifikuar edhe organizatat joqeveritare vendase e ndërkombëtarë që do të monitorojnë zgjedhjet.

Kurse priten angazhime shtesë të prokurorisë dhe policisë për të siguruar mbarëvajtjen e gjithë procesit. Masa të veçanta sigurie, ndërkaq parashihen sërish në veriun e Mitrovicës, ku do të ketë balotazh po ashtu.
XS
SM
MD
LG