Ndërlidhjet

SHBA: Obama e mbron marrëveshjen me Iranin


Barack Obama
Barack Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka mbrojtur marrëveshjen e re ndërkombëtare për programin atomik të Iranit.

Gjatë fjalimit të tij në San Francisko, ai i ka akuzuar kritikët për lojëra politike, duke mos e mbështetur atë që është më e mirë për Amerikën.

“Fjala e ashpër dhe shfryrja mund të jenë gjëra të lehta për t’i bërë politikisht, por nuk janë gjëra të drejta për sigurinë tonë”, tha Barack Obama.

Aleati amerikan, Izraeli, dhe disa ligjvënës nga Partia Republikane në Shtetet e Bashkuara, e kanë kritikuar administratën Obama për këtë marrëveshje.

Ata akuzojnë se marrëveshja paraqet avantazh për Iranin dhe e zbutë presionin botëror ndaj Teheranit.

Marrëveshja ndërmjet Republikës Islamike të Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, e arritur të dielën, gjatë bisedimeve në Gjenevë të Zvicrës, kërkon suspendimin e disa pjesëve të programit atomik iranian.

Në këmbim, do të lehtësohen disa sanksione ndërkombëtare kundër Iranit, që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane, duke prekur edhe miliona iranianë të rëndomtë, dhe e kanë zvogëluar eksportin e naftës nga Irani, që është burimi kryesor i të ardhurave në këtë vend.

Marrëveshja parasheh një periudhë gjashtëmuajshe, gjatë së cilës Irani dhe fuqitë botërore, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia, do të kenë kohë për një marrëveshje të përhershme.

Në fjalimin e tij lidhur me këtë çështje, presidenti Barack Obama, e ka lavdëruar marrëveshjen, për të cilën tha se e frenon “progresin” bërthamor të Iranit, pasi “pjesët kryesore të programit do të ndalen”.

Ai e mirëpriti marrëveshjen si fitore të diplomacisë, duke theksuar se nëse ajo implementohet, Uashingtoni dhe Teherani, do të kenë rast “të largohen nga mosbesimi”, ndërmjet dy vendeve, që ka ekzistuar për shumë vite.

“Nëse Irani e shfrytëzon këtë mundësi dhe zgjedhë t’i bashkohet komunitetit global, atëherë ne mund të fillojmë të largohemi nga mosbesimi, që ka ekzistuar për shumë vite ndërmjet dy vendeve tona. Asnjëra prej këtyre punëve nuk do të jetë e lehtë, pasi mbesin sfida të mëdha. Por, ne nuk mund t’ia mbyllim derën diplomacisë”, tha Barack Obama.

Më tutje ai ka thënë se synon që të bëjë presion për zhvillimin e mëtejshëm të negociatave gjatë muajve të ardhshëm, për ta gjetur zgjidhjen e përhershme për mospajtimet lidhur me programin atomik iranian, për të cilin Uashingtoni dhe aleatët e vet, kanë dyshime se po përdoret për zhvillimin e armatimit atomik.

Irani i ka hedhur poshtë pohimet se po zhvillon program për armatim atomik, duke thënë se ai përdoret për prodhim të energjisë dhe në fushën e mjekësisë.

Inspektorët ndërkombëtarë do të kenë qasje të paprecedente në kapacitetet e ndërlidhura bërthamore të Iranit, prandaj kjo do ta pengoj Iranin nga prodhimi i armatimit atomik. Gjatë muajve të ardhshëm, ne do ta vazhdojmë diplomacinë tonë me qëllim, që të arrijmë zgjidhje gjithëpërfshirëse, që njëherë e përgjithmonë merret me kërcënimin e programit atomik të Iranit”, tha Barack Obama.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë thënë se me gjasë disa sanksione kundër Iranit do të tërhiqen deri në fund të këtij viti, apo në fillim të vitit të ardhshëm.

Zyrtarët perëndimorë kanë theksuar se sanksionet, megjithatë, mund të zbatohen përsëri, nëse Irani dështon t’i plotësoj obligimet e veta sipas marrëveshjes.

Irani, me këtë marrëveshje, është pajtuar që të mos e pasuroj uraniumin në shkallë mbi 5%, dhe për t’i “neutralizuar” sasitë e uraniumit, që janë pasuruar deri në 20%, që paraqet shkallë e cila është afër asaj të armatimit.

Irani, po ashtu, është pajtuar që të mos instaloj më tepër centrifuga të pasurimit, e as të mos e aktivizojë reaktorin me ujët të rëndë në Arak, i cili mund të prodhoj plutonium.

Marrëveshja parasheh që inspektorët e Kombeve të Bashkuara ta përmirësojnë qasjen në kapacitetet atomike iraniane në Natanz dhe Fordow.

Në këmbim, do të lehtësohen sanksionet ndërkombëtare, që vlerësohet se arrijnë vlerën prej afro 7 miliardë dollarësh, në sektorët që përfshijnë petrokiminë dhe metalet e çmuara.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e vet, po ashtu, kanë premtuar, që të mos imponojnë sanksione të reja për gjashtë muaj. (f. bujupi)
XS
SM
MD
LG