Ndërlidhjet

Maqedoni: Tërhiqet vërejtja për zgjidhjen e emrit


Maqedoni
Maqedoni
Deklarata e ambasadorit amerikan, Pol Wohlers, se identiteti i Maqedonisë duhet të ndërtohet mbi vlerat e përbashkëta të këtij shteti dhe jo mbi të kaluarën e saj historike, nga njohësit e çështjeve politike, komentohet si tërheqje e vërejtjes ndaj qëndrimit të fortë të qeverisë se kontesti me Greqinë duhet të zgjidhet sa më shpejtë që të jetë i mundur dhe se kompromisi eventual nuk duhet kuptuar si humbje e identitetit.

“Fakti se nuk jetohet nga historia, posaçërisht kur ajo është pakëz e shtrembëruar, pakëz e keqpërdorur, pakëz në shumë funksione dhe e falsifikuar, është një fakt, i cili peshon sot rëndë mbi aktualitetin maqedonas. Thirrja e ambasadorit që të jetohet me aktualitetin është një thirrje pozitiviste, është dashamirëse dhe duhet të gjej vend dhe kjo tregon se nëse në të ardhmen nuk ndodhin këto procese, do të hiqet dorë nga interesimi i SHBA-ve për këtë shtet“, thotë ish diplomati Alajdin Demiri.

Maqedonia ka shumë vlera të cilat duhet të kultivohen dhe të ecet përpara, ashtu siç kanë bërë shumë shtete të botës, para së gjithash Shtetet e Bashkuara të Amerikës, thotë profesoresha Mirjana Malevska duke komentuar porosinë e ambasadorit Wohlers.

“Bëhet fjalë për vlera liberale të cilat i njeh shoqëria amerikane, lufton për to dhe i afirmon gjithandej pasi shtetet që i ndajnë këto vlera vështirë se do të hasin në probleme apo luftëra që i njeh historia. Cila janë ato vlera liberale që duhet t'i kultivojmë? Liria, demokracia, të drejtat e njeriut, të drejtat e bashkësive etnike, liria e fjalës, liria e besimit".

"Pra, janë vlerë që janë të shkruara edhe në kushtetutën tonë, por që duhet të luftojmë apo ti praktikojnë në jetën e përditshme. Pra, në bazë të këtyre vlerave mund të ndërtohet identiteti qytetar dhe në këtë duhet të angazhohen të gjitha bashkësitë etnike që përmes respektimit të këtyre vlerave të ndërtohet një shoqëri e mirëfilltë“, thotë Malevska.

Por, i pyetur se ka ka gjasa që kjo porosi e ambasadorit Wholers të dëgjohet nga klasa politike maqedonase, e në veçanti nga ajo në pushtet, VMRO-DPMNE-ja, e kryeministrit Nikolla Gruevski, e cila tërë kapacitetin e saj e ka përqendruar në ngritjen e identitetit maqedonas mbi të kaluarën antike të këtij vendi, ish diplomati Demiri nuk është optimist se kjo do të ndodhë.

“Unë nuk jam i sigurt se kjo konjukturë është e gatshme të pranoj realitetin, të pranoj porositë dhe të dalë nga kjo katrahurë për arsye se prodhues i vetëm i kësaj katrahure për identitetin ambivalent, për raportet me Greqinë dhe për shumë procese tjera është pikërisht VMRO-ja dhe do ta ketë të vështirë të dalë nga kjo kornizë“, shprehet Alajdin Demiri.

Ambasadori amerikan, Pol Wohlers në ligjëratën që mbajti në Universiteti e Evropës Juglindore në 50 vjetorin e vrasjes së ish presidentin amerikan Xhon Kenedi, bëri thirrje që identiteti i Maqedonisë të ndërtohet mbi vlera e jo duke u kthyer pas në histori.

“Disa njerëz përpiqen që ta krijojnë identitetin e tyre duke u kthyer pas në histori. Por, kjo është një mënyrë e rrezikshme sepse disa kanë për tu ndjerë të përjashtuar dhe shumë njerëz aktualisht ndihen të lënë pas dore nga një qasje e tillë...Ju jeni të gjithë i përkisni grupeve të ndryshme etnike pasi ky është një shtet multietnik dhe kjo është pak a shumë si në SHBA".

"Ju duhet ta përcaktoni veten në bazë të vlerave sepse nuk mund ta përcaktoni veten në bazë të etnitetit që jeni të ndryshëm, nuk mund të përcaktoni veten as në bazë të besimit fetar pasi janë të ndryshëm, nuk mund ta përcaktoni veten në bazë të kulturës, që janë të ndryshme. Ju duhet të gjeni të përbashkëtën, ajo duhet të jetë vlera juaj“, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Deklarata e tij vjen pas prononcimeve të vazhdueshme të zyrtarëve të lartë maqedonas se nuk do të pranojnë me asnjë çmim ndërrimin e emrit të Maqedonisë, me arsyetimin se Greqia përveç ndërrimit të emrit të shtetit, kërkon edhe ndryshimin e gjuhës, identitetin dhe të kulturën maqedonase.

Moszgjidhja e këtij kontesti ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, edhe pse këtij vendi tani gjashtë vite me radhë i vërtetohet statusi i shtetit kandidat.
XS
SM
MD
LG