Ndërlidhjet

Shqipëri: Dhuna në familje, shtohen kërkesat për urdhër mbrojtjeje


Ilustrim
Ilustrim
Për herë të parë në legjislacionin penal shqiptar në vitin 2013, autori i krimit në familje dënohet nga 28 vjet burg deri në burgim të përjetshëm dhe nëse krimi është i përsëritur, dënimi shkon nga 38 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Por as ashpërsimi i ligjit nuk ka ndalur krimet brenda familjes.

Sipas drejtorisë së Përgjithshme të policisë, 25 është numri i grave të vrara nga bashkëshortët apo bashkëjetuesit e tyre gjatë këtij viti.

Një tjetër aspekt i përmirësimit të sistemit ligjor për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje janë edhe ndryshimet në ligjin për urdhrin e mbrojtjes.

Edhe këtu vihet re një numër i lartë i grave të cilat kërkojnë ndihmë nga policia.

Kështu deri në muajin nëntor të këtij viti pranë gjykatës së Tiranës, janë regjistruar 684 çështje civile me objekt lëshimin e urdhrit të mbrojtjes dhe të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

Janë gjykuar rreth 611 çështje prej këtyre ankesave prej të cilave 166 janë pranuar për dhënien e urdhrit të mbrojtjes.

Pavarësisht masave ligjore që aplikohen për dhunën fizike, një tjetër aspekt është diskriminimi gjinor që vihet re në të gjitha aspektet e jetës në Shqipëri.

Sipas komisioneres kundër diskriminimit, Irma Baraku, ndonëse ka një numër më të lartë ankesash nga burrat, viktimat më të shpeshta të diskriminimit janë gratë.

“Dhuna ndaj grave është forma më e egër e shfaqjes së diskriminimit, edhe sipas Konventës Evropiane për parandalimin e dhunës. Por format e diskriminimit ndaj grave janë të shumta, të ndryshme. Gjatë hartimit të një raporti për diskriminimin me bazë gjinore ajo që bën përshtypje është se numri i ankesave për diskriminim është thuajse i afërt mes burrave e grave e madje janë më të larta ankesat nga burrat, por në bazë të vendimeve të marra, numri më i lartë i viktimave nga diskriminimi janë gra”, thotë Baraku.

Ende pas shumë vitesh në Shqipëri mbeten mister vrasjet dhe zhdukjet e disa grave.

Erieta Avdyli u zhduk në vitin 2000. Trupi i saj u gjet i copëtuar në një fshat pranë Durrësit. Ende sot vrasja e saj është pa autor.

Irena Seli u zhduk në dhjetor të vitit 2004. Trupi i saj nuk u gjet asnjëherë. Ende zhdukja e saj është mister.

Në të dyja rastet, vrasjet kanë mbetur pa autor, ndonëse të dyshuar kanë qenë ish bashkëshortët e tyre.

Në ditën e dhunës ndërkombëtare ndaj grave, shoqata të ndryshme që merren me të drejtat e tyre, protestuan për më shumë bashkëpunim dhe ndërgjegjësim për këtë fenomen, që ende vazhdon të jetë i pranishëm në përditshmërinë shqiptare.
XS
SM
MD
LG