Ndërlidhjet

Karzai vë dy kushte për nënshkrimin e paktit me SHBA-në

  • RFE /RL

Presidenti Hamid Karzai gjatë intervistës me me korrespondentin e RFE/RL-së Akbar Ayazi.

Presidenti Hamid Karzai gjatë intervistës me me korrespondentin e RFE/RL-së Akbar Ayazi.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjen dypalëshe të sigurisë me Shtetet e Bashkuara, nëse plotësohen dy kërkesa: t’iu jepet fund bastisjeve ushtarake të SHBA-së në shtëpitë afgane dhe të nisë “procesi real i paqes”.

Karzai kishte thënë më herët se nuk do të nënshkruajë marrëveshjen deri pas zgjedhjeve presidenciale, të parapara të mbahen në prill të vitit 2014, pavarësisht thirrjeve të Këshillit të Madh të Fiseve që ta nënshkruajë atë para fundit të këtij viti.

Por, në një intervistë ekskluzive për Radion Evropa e Lirë, Karzai ka thënë se ka marrë garanci nga këshilltarja për siguri kombëtare e SHBA-së, Susan Rice, se Uashingtoni nuk do të ndërhyjë në zgjedhje dhe se do që zgjedhjet të zhvillohen në kohë, të lira dhe të ndershme.

“Kam kërkuar fundin e të gjitha sulmeve amerikane kundër shtëpive afgane dhe fillimin e procesit real të paqes. Kurdo që amerikanët t’i përmbushin këto kërkesa të mia, unë jam gati të nënshkruaj marrëveshjen. Kur këto dy kërkesa të zbatohen, kjo marrëveshje është në interesa të Afganistanit”.

Sa i përket çështjes së zgjedhjeve, këshilltarja për siguri kombëtare e SHBA-së më ka siguruar se Amerika nuk do të ndërhyjë në zgjedhje dhe se do që ato të zhvillohen në kohë. Por, do të shoh se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Karzai.

Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Shtetit insistojnë që Karzai të nënshkruajë Marrëveshjen Dypalëshe të Sigurisë, të negociuar me Shtetet e Bashkuara, para fundit të vitit 2013, në mënyrë që të mbajë trupat në Afganistan edhe pas 2014-s, për të ndihmuar forcat afgane të sigurisë në luftimin e militantëve.

Pas bisedimeve të së hënës me Karzain, Rice ka thënë se nëse draft-marrëveshja nuk nënshkruhet menjëherë, Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë zgjidhje tjetër, pos të nisin planifikimin e tërheqjes së të gjitha trupave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani.

Karzai i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni duhet të marrë në konsideratë edhe nevojat e Afganistanit.

“Amerikanët kanë agjendën e tyre dhe planet e tyre. Çfarëdo që qëndron pas programeve apo planeve të tyre, u përket atyre. Por ne, afganët, duhet të kemi planet tona. U kemi treguar amerikanëve se Afganistani do miqësi dhe aleancë me ta. Por, në këtë miqësi dhe aleancë me Shtetet e Bashkuara, afganët duan të mbrojnë interesat e Afganistanit. Ne nuk duam të ngrihemi kundër interesave amerikane. Por, ne duam të mbrojmë vendin tonë”.

“Dhe, cilat janë interesat e vendit tonë? Interes yni është të mbrojmë shtëpitë e afganëve nga sulmet e amerikanëve, bastisjet e natës dhe vuajtjet e panevojshme.
Ju e dini mirë se në Afganistan, gjatë viteve të fundit, njerëzit kanë çuar në male gratë dhe fëmijët, vetëm për t’i mbrojtur nga sulmet e amerikanëve gjatë natës”.

“Është e pamundur të kemi marrëveshje të sigurisë me Amerikën, derisa njerëzit tanë detyrohen t’i lënë shtëpitë e tyre, nga frika e forcave amerikane. Pra, nëse Amerika do të arrijë marrëveshje të sigurisë me ne, Amerika duhet të respektojë sigurinë e shtëpive afgane dhe t’i lejojë fëmijët afganë, burrat dhe gratë të jetojnë të sigurt në shtëpitë e tyre”
, ka thënë Karzai.

Ai, po ashtu, ka shprehur skepticizëm në lidhje me qëllimet afatgjata të Shteteve të Bashkuara në Afganistan.

“Varet nga amerikanët nëse duan të qëndrojnë ose të shkojnë. Edhe nëse nënshkruajmë njëmijë marrëveshje me ta, nëse ato nuk u përshtaten interesave të tyre, ata do të largohen, ashtu siç janë larguar në vitet 1990, në vitet pas xhihadit. Unë kam qenë zëvendësministër i Jashtëm atëherë dhe kam parë se si Perëndimi ka braktisur Afganistanin, pas tërheqjes sovjetike”.

“Nëse Amerika do që të qëndrojë në Afganistan sot, do të qëndrojë për shkak të interesave të saj, qofshin të sigurisë apo ekonomike. Si vend i pavarur, ne kemi të drejtë të mbrojmë dhe promovojmë interesat tona
”, ka theksuar Karzai.(v.tela)
XS
SM
MD
LG