Ndërlidhjet

Ashpërsimi i gjuhës në fushatë, si bumerang


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Java e fushatës për balotazhin që do të zhvillohet në 25 komuna të Kosovës, më 1 dhjetor, ka sjellë edhe një ashpërsim të fjalorit politik dhe shtim të akuzave të ndërsjella ndërmjet kandidatëve në garë dhe subjekteve politike.

Analistët politikë e shohin këtë si një zhvillim që reflekton mungesën e kulturës për debat politik dhe mungesë të ofertave konkrete për qytetarët.

Një fjalor më i ashpër, po vërehet sidomos në Prishtinë, Gjakovë e Pejë.

Ismet Kryeziu, drejtor i Institutit Demokratik të Kosovës, që bën pjesë edhe në rrjetin e organizatave joqeveritare monitoruese të zgjedhjeve, “Demokracia në Veprim”, thotë se ashpërsimi i gjuhës gjatë fushatës, është shkelje e kodit të mirësjelljes dhe shpërfaq mungesën e kulturës për debat politik.

Një gjuhë e tillë, sipas tij, është tregues se nuk po zgjidhen mjetet për të ruajtur apo për të ardhur në pushtet. Po ashtu, me sjellje e tilla partitë politike, sipas Ismet Kryeziut, po rrezikojnë që të tensionojnë gjendjen në ditën e balotazhit, më 1 dhjetor.

“Mendoj se me këtë gjuhë, partitë politike mobilizojnë partizanët për votim, por humbin qytetarët e papërcaktuar apo jo partizanët, të cilët janë votues potencialë. Është demotivuese për pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin zgjedhor më 1 dhjetor, e po ashtu, kjo gjuhë ndikon edhe në tensionimin e procesit dhe polarizimin apo edhe përplasjet e partizanëve në ditën e votimit”, thotë Kryeziu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë.

Kryeziu u bën thirrje partive politike që ta ruajnë gjuhën e standardeve që i kontribuon ruajtjes së qetësisë dhe mbarëvajtjes së zgjedhjeve më 3 nëntor.

Profesori Mazllum Baraliu, rektor i Universitetit të Prizrenit mendon se ashpërsimi i gjuhës, ka të bëjë me fazën e fundit të zgjedhjeve. Këto zhvillime ndikojnë në elektrizimin e atmosferës dhe ngritjen e tensioneve, por ende fushata mbetet në kufijtë e tolerancës dhe së lejuarës, thotë Baraliu.

Megjithatë, ai beson se akuzat dhe gjuha e ashpër shpesh mund t’u kthehen kandidatëve të caktuar edhe si bumerang.

“Tejkalon atë që quhet kufi dhe shije e mirë. Domethënë, përmendja e çështjeve ndërpersonale dhe situatave të ndryshme agjituese e tjera. Pra, do të duhej ruajtur patjetër fjalorin, mënyrën e komunikimit dhe kulturën e një komunikimi normal, sepse nuk shkon në favor dhe mund të ketë efekt negativ te votuesit dhe të ndikojë që të mos votojnë pikërisht për shkak të fjalorit të ashpër dhe që tejkalon suazat e shijes së mirë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mazllum Baraliu.

Ndërkohë, profesori Ismajl Hasani, ligjërues në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjuha politike që po përdoret në fushatën e tashme për balotazh, mund të jetë pasojë e kulturës politike në përgjithësi që mbretëron në Evropën Juglindore, por edhe e koalicioneve joparimore që kanë lidhur subjektet politike nëpër komuna.

“Paraqitjet e kandidatëve, që janë aktualisht në balotazh, janë rezultat, para së gjithash, i koalicioneve jo të natyrshme, të cilat janë bërë në nivel të komunave. Pjesa dërmuese e këtyre koalicioneve nuk kanë asnjë bazë parimore, as pikëmbështetje ideologjike, e as ngjashmëri tjera, por janë thjesht koalicione të grupimeve të interesit, diku me miratimin e liderëve qendrorë, diku me gjysmë- miratim, e diku edhe pa miratim”, vlerëson Hasani.

Profesori Hasani thotë, po ashtu, se disa kandidatë janë figura të njohura politike brenda dhe jashtë vendit, kështu që lëshimi i tyre në përdorimin e gjuhës akuzuese, mund të dëmtojë jo vetëm imazhin e zgjedhjeve, por mund të ketë efekte në procesin e ardhshëm të zgjedhjeve parlamentare.

Ndërsa, fushata po hyn në ditët e fundit, ashpërsimi i gjuhës dhe shtimi i akuzave nuk pëlqehet as nga qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë.

Ermira Jashari nga Prishtina mendon se gjuha që po përdorin partitë politike reflekton me nivelin e politikës në Kosovë.

“Mendoj se ashpërsimi i gjuhës gjatë balotazhit paraqet nivelin e politikës në Kosovë. Tani kur po afrohet dita e votimeve, mbase nga frika, kandidatët dhe partitë politike, nuk zgjedhin mjete vetëm e vetëm të bindin elektoratin t’i votojë. Por, ky nivel i politikës te ne që po shohim sot, është edhe alarm për qytetarët se nuk mund të presin ndryshime për të mirën e gjeneratave të ardhshme, por mbase vetëm kthim në të kaluarën”, thotë Ermira Jashari.

Edhe Fitim Krasniqi, po nga Prishtina, thotë se partitë politike dhe kandidatët e tyre janë lëshuar pa ndonjë nevojë në një ofensivë akuzash e kundër-akuzash, që, sipas tij, mund të jetë edhe pasojë e mungesës së ofertave për qytetarët.

“Si duket, ata, në mungesë të programeve dhe ofertave konkrete, po provojnë që përmes shantazheve, kritikave, fyerjeve apo denigrimeve të kundër-kandidatëve, të tërheqin vëmendjen e votuesit. Mirëpo, sharjet e fyerjet më nuk bëjnë punë. Duhen programe konkrete dhe jo ashpërsime të fjalorit”, thekson Fitim Krasniqi.

Fushata për balotazhin e zgjedhjeve lokale do të përmbyllet të premten vonë. Më pas, siç parashihet edhe me ligj, pason dita e heshtjes zgjedhore, kurse të dielën, në 25 komuna do të zhvillohet gara për kryetarët e rinj.
XS
SM
MD
LG