Ndërlidhjet

Simbolet e Kosovës – pëlqimi apo kundërshtimi i tyre edhe 5 vjet pas pavarësisë, vazhdojnë të jenë çështje të diskutimeve të ndryshme.

Flamuri kombëtar me shqiponjë, ngjyra kuq e zi dhe ai i Kosovës, i kaltër, me hartën në mes dhe 6 yjet që simbolizojnë të gjitha komunitetet në vend, nga qytetarët trajtohen në mënyra të ndryshme.

Disa nga qytetarët thotë se janë shumë të lidhur me flamurin kombëtar dhe nuk mund ta krahasojnë me flamurin e Kosovës.

Besa Shala, studente e Fakulteti Filozofit të Prishtinës, thotë se edhe pse Kosova ka simbolet e veta shtetërore, flamurin kombëtar e kanë gjithmonë më afër.

“Se cilin e dua më fort, nuk mund ta them këtë apo atë, por ndjenjë më të madhe kam për flamurin kombëtar kuq e zi. Natyrisht, që edhe flamuri i Kosovës ka një simbolikë më vete, megjithatë ajo atdhetaria jonë dhe patriotizmi ynë edhe për cdo gjë që kemi kaluar gjatë viteve, kemi pasur përballë flamurin kombëtar. Kështu që flamuri kuq e zi ka qenë kudo ku kemi qenë dhe ne”, thotë Besa.

Kurse, Valmira Sahatçiu qytetare nga Gjakova, e cila kishte ardhure në Prishtinë për të festuar 28 Nëntorin, ditën e pavarësisë së Shqipërisë, thotë se i do të dy flamujt - edhe të Shqipërisë ,edhe të Kosovës.

“Unë i dua të dy flamujt, meqë me atë kombëtar jemi të lidhur prej me shumë se 100 vjet. Po edhe flamurin tonë të Kosovës e dua meqë ai e simbolizon shtetin tonë. Po, gjithsesi dihet, ndryshe është lidhja emocionale me flamurin kombëtar”, thekson Valmira.

Nga ana tjetër, sociologët thonë se simbolet shqiptare nuk shprehin vetëm një refleksion politik të organizimit shtetëror, por aty ka traditë, histori, emocion, ndalesa dhe mallëngjime.

Të gjitha këto sipas sociologut Anton Berisha, profesor në Universitetin e Prishtinës, krijojnë një lidhje me atë simbol që është vështirë të distancohesh nga ai.

“Për fat të keq, flamuri i Kosovës këtu u pranua si një simbol, i cili po hyn në mes të lidhjes që kemi ne tradicionalisht me flamurin kombëtar edhe tash u krijua një opinion ,nuk e di as unë pse, që nëse merret (pranohet një flamur tjetër), gjithsesi po ia kthejmë shpinën flamurit kombëtar".

"Po më duket që në ketë aspekt po na duhet kohë, koha që njerëzit ta shohin që kemi të bëjmë me një flamur me një simbol shtetëror, normalisht tash ky është simbol kombëtar që na bashkon gjithë shqiptarëve. Në anën tjetër, kemi flamurin e Kosovës, i cili është flamuri i shtetit”,
shpjegon profesor Berisha.

Sociologu Berisha thotë për Radion Evropa e Lirë se me kalimin e kohë edhe flamuri i Kosovës do të zërë vendin që i takon.

“Anëtarësimi i Kosovës në OKB, hyrja në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar edhe sa më shpesh ta shohim që ai në të vërtetë është simbol i shtetësisë sonë, atëherë edhe qëndrimi i popullatës ndaj atij flamuri do të ndryshojë”.

“Përndryshe, tani ne vetëm në takime të elitës politike nganjëherë e shohim. Ende nuk e ka atë forcën magjike, atë fuqinë që me këtë flamur ne po mund të bëjmë gjëra të mëdha. Me këtë nuk dua të them se tani mungon në masë të madhe sa ne ta përbuzim, por ende ky simbol nuk ka garantuar ose nuk ka sjellë atë që ne kemi pritur”, vlerëson Berisha.

Ndërkaq, historiani Sabit Syla, i cili është edhe ushtrues detyre i drejtorit të Institutit të Historisë së Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se flamuri kuq e zi është simbol i pazëvendësueshëm kombëtar.

“Pa marrë parasysh vendosjen e kufijve të rinj që janë vendosur (flamuri kombëtar) është i pazëvendësueshëm. Në veçanti, për pjesën e ndarë të popullit shqiptar, flamuri ka qenë dhe ka mbetur simbol që i ka paraprirë vazhdimit të luftës për çlirim nga pushtuesi. Me gjithat, mendojmë që me kalimin e kohës, edhe flamuri i Kosovës do ta gjejë vendin e vet që i takon”, konsideron Syla, duke shtuar se flamuri kombëtar, për gjeneratat e tanishme është i ngulitur thellë në ndërgjegjen e cilido shqiptar.

Në shkurt të vitin 2008, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, Kuvendi dhe institucionet tjera për flamurin, stemën dhe himnin e Kosovës, qenë pajtuar që të mos jenë një-etnike, por më shumë të përmbajnë karakterin e simboleve që tregojnë orientimin e Kosovës si shtet pro-integrimeve euro-atlantike.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG