Ndërlidhjet

Autoritetet bankare në Kosovë paralajmërojnë se nga 9 dhjetori në Kosovë pritet të zbatohet SWIFT-kodi i Kosovës për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe për bankat komerciale që veprojnë në vend.

Shoqata për Telekomunikim Financiar Ndërbankar Mbarëbotëror, e njohur me shkurtesën SWIFT, ka caktuar një kod të veçantë shtetëror për t’u përdorur në lidhje me identifikimin e institucioneve financiare të Republikës së Kosovës.

Kodi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) do të jetë CBRKXKPR, ndërkaq bankat komerciale do të kenë kode individuale, bën të ditur Florim Maxharraj, këshilltar i lartë i Bordit ekzekutiv për tregjet, instrumentet dhe infrastrukturën financiare në Bankën Qendrore të Kosovës.

Maxharraj tregon se përdorimi i këtij kodi, përveçse mundëson lehtësi për klientët, mundëson edhe luftimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit.

“Përpos përfitimeve të drejtpërdrejta për klientët e bankave, apo urdhëruesve të pagesave në dobi të qytetarëve ose institucioneve të Republikës së Kosovës, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, me qasjen në sistemin SWIFT, do të përfitojë edhe në lehtësimin e luftimit të pastrimit të parave të financimit të terrorizimit”, thotë Maxharraj.

Ndryshe, përdorimi i këtij kodi nga bankat komerciale që operojnë në vend, mundëson lehtësi për transferet dhe transaksionet ndërkombëtare, dhe njëkohësisht ul koston e transfereve ndërkombëtare, thonë ekspertë të kësaj çështje.

SWIFT-kodi bankar për Kosovën është një lajm i mirë për vendin, për arsye se përfitimet janë shumëdimensionale, si nga aspekti ekonomik ,po ashtu edhe nga aspekti politik, konsideron Naim Gashi, profesor në Universitetin e Prishtinës.

“Në aspektin politik, SWIFT-kodi tregon se Kosova ka një identitet ekonomik në sektorin bankar ndërkombëtar, ndërsa në aspektin ekonomik, është se SWIFT- kodi krijon lehtësi në transaksionet financiare, të cilat i bëjnë institucionet financiare në Kosovë”.

“Ai ndikon në uljen e kostos së transfereve bankare nga një vend në vend tjetër. Mirëpo, ajo çka është më e rëndësishme, ai ndikon edhe në shkurtimin e kohës së transaksioneve financiare” , vlerëson Gashi.

Në mungesë të SWIFT- kodit, Gashi thotë se këtë barrë e kanë paguar shtetasit e Kosovës, të cilët kanë pasur kosto më të lartë për transfere ndërkombëtare, në krahasim me vendet e rajonit dhe vendet tjera të Evropës.

Kjo, sepse në mungesë të Kodit të gjitha bankat që veprojnë në Kosovë është dashur të kenë një bankë korrespondente në perëndim, e cila gjithmonë shton koston e transaksioneve.

Përdorimi i SWIFT - kodit, ndikon edhe në rritjen e performancës së bankave komerciale, por edhe të vetë Bankës Qendrore të Kosovës në nivel ndërkombëtar, thotë profesori tjetër në Fakultetin Ekonomik, Safet Merovci, i cili ligjëron lëndën Financat Ndërkombëtare.

Merovci thotë se përdorimi i kodit unik të Kosovës, rrit sigurinë edhe tek investitorët e huaj.

“Kjo ndikon më së shumti tek investitorët e huaj, sepse transaksionet i sheh se i bën me një kod të një shteti tjetër dhe investon në Kosovë, sigurisht që politikisht investitorët të frikësohen nga investimet në Kosovë”, thotë Merovci për Radion Evropa e Lirë.

Në një komunikatë për media, Shoqata e Bankave të Kosovës, ka njoftuar për fillimin e zbatimit të SWIFT-kodit të Kosovës në sistemin bankar në vend.

Në komunikatë thuhet se zbatimi i SWIFT - kodit të Kosovës nga bankat komerciale, do t’u mundësojë lehtësi diasporës shqiptare dhe qytetarëve rezident të Kosovës, pasi që tani transferet dhe transaksionet tjera ndërkombëtare do të bëhen më lehtë, ngase bankat komerciale do të jenë të pajisura me SWIFT - kod të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG