Ndërlidhjet

Largimi i trupave franceze, në përputhje me rrethanat


Ilustrim

Ilustrim

Vendimi i Francës për largimin e kontingjentit të saj ushtarak të stacionuar në Kosovë, nga ekspertë të fushës së sigurisë konsiderohet si një vendim në përputhje me rrethanat e sigurisë në vend.

Ata shprehin mendimin se një prezencë më e madhe e KFOR-it në Kosovë, nuk është më e nevojshme.

Nga Kosova priten të largohen 600 trupa të kontingjenti ushtarak francez, vendim ky i marrë ditë më parë.

Me mbarimin e luftës në qershor të vitit 1999, në Kosovë u stacionuan 50.000 trupa paqeruajtëse. Por, tani 14 vjet më pas NATO-ja në Kosovë ka të angazhuar mbi 5 mijë ushtarë të KFOR-it.

Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se prezenca KFOR-it në këtë numër është në përputhje me rrethanat që ekzistojnë.

“Vendimi është i drejtë në përputhje me rrethanat e sigurisë në Kosovë, ku nuk mund të thuhet që një prezencë më e madhe e KFOR-it, se sa ajo që është për momentin do është e nevojshme, kur kemi parasysh se Policia e Kosovës i ka marr kryesisht ingerencat nga prania ndërkombëtare në aspektin e sigurisë, por edhe në anën tjetër ka një prezencë të vogël të EULEX- it në aspektin policor”, thekson Qehaja.

Policia e Kosovës është mekanizmi kryesor në vend, i cili, bashkë me pjesëtarët e policisë së Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX është përgjegjës për mbajtjen e rendit dhe të sigurisë në Kosovë.

Mbrojta, ndërkaq, garantohet nga trupat e misionit të NATO-s.
Kryetari i Komisionin Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, Ahmet Isufi, vlerëson se reduktimi i numrit të pjesëtarëve të KFOR-it, në këtë rast trupave ushtarak francez është i vendim i mirëpritur, pasi që sipas tij, në Kosovë duhet të vendosen trupa që garantojnë siguri më të madhe.

“Garanci më të madhe do të krijonin gjermanët dhe sidomos trupat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të cilët gjithmonë kanë qenë garanci jo vetëm për Ballkanin, por në përgjithësi për Evropën dhe botën”, vlerëson Ahmeti.

Ndërkaq, sa i përket sigurisë që ofron Policia e Kosovës, Isufi thekson se ky mekanizëm në bashkëpunim me EULEX-in mund të krijojë qetësi dhe rend për të gjithë qytetarët.

Florian Qehaja, ekspert i fushës së sigurisë konsideron se KFOR –i me këtë prezencë që është aktualisht duhet të jetë më aktiv në parandalimin e ekseseve dhe në kontributin e paqes dhe sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas paralajmërimeve të NATO-s, numri prej pesë mijë pjesëtarëve të KFOR-it nuk do të zvogëlohet.

Qehaja konsideron se ajo çka pritet të ndodhë është që ky vakum i shkuarjes së pjesëtarëve francez do të mbulohet nga ana e shteteve tjera.

“Unë jam pak kritik sa përket prezencës së shteteve tjera që po kontribuojnë në kuadër të KFOR-it, por nuk e kanë marr vendimin që ta njohin shtetin e Kosovës, fjala është për disa shtet si Moldavia, Rumania, Ukraina e të tjera, të cilët në njëfarë mënyre e shfrytëzojnë prezencën e tyre në KOFOR për të kontribuar në vend dhe njëfarë mënyre i referohen kësaj si një kontribut ndaj paqes botërore, mirëpo nuk i kontribuojnë sa i përket asaj që duhet të marrin vendimin për ta njohur Kosovën. Shteti i Kosovës duhet të ketë një zë dhe një qëndrim sa i përket këtyre shteteve”, shprehet Qehaja.

Pavarësisht, deklarimeve të autoriteteve të sigurisë në Kosovës se gjendja e sigurisë në përgjithësi në vend është e qëndrueshme, në veri të vendit situata e sigurisë mbetet e brishtë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG