Ndërlidhjet

“Shkupi 2014”, sërish debate për çmimin e realizimit


Shkupi 2014
Shkupi 2014
Edhe raporti i dytë i Komisionit për vërtetimin e gjendjes faktike rreth realizimit të projektit “Shkupi 2014”, komision ky i angazhuar nga komuna Qendër e Shkupit, e cila udhëhiqet nga opozita maqedonase, ka nxjerrë në pah se procedurat për përpunimin e përmendoreve dhe skulpturave janë zbatuar me shkelje të Ligjit për furnizime publike, duke e dëmtuar kështu buxhetin e komunës me së paku 8 milionë euro.

Sipas revizionit të bërë, nga tenderët e shpallur janë pranuar oferta më të shtrenjta edhe për 227 për qind, gjegjësisht gati dyfish e gjysmë më të shtrenjta.

Në bazë të dëshmive të mbledhura, komisioni ka konstatuar se në më shumë raste ka pasur kurdisje të tenderëve dhe komuna Qendër ka pësuar dëme të mëdha materiale.

Kryetari i komunës Qendër, Andej Zhenovski, është shprehur se qeverisja e Gruevskit duhet të përgjigjet për keqpërdorimin e parave të qytetarëve.

Unë, njëjtë si edhe herën e parë, materialin do ta dorëzoj në Prokurori. Nuk mund të shpjegoj pse deri më tani, organet kompetente nuk i dëgjuam të prononcohen për pjesën e parë të raportit - ndoshta kanë pritur t’u dorëzohet komplet materiali. Ja, tani kanë rast të mirë. Mendoj se këtu konkluzionet janë aq të qarta sa që nuk ekziston gjyqësi që do të mund ta fshehë këtë punë, por nëse ato nuk prononcohen, atëherë fjala e qytetarëve do të jetë më e fuqishme pas këtyre të dhënave”, ka deklaruar Zhernovski, duke mos dhënë hollësi se pse nuk ngre procedurë gjyqësore, por pret që këtë ta bëjë Prokuroria.

Por, partia në pushtet VMRO-DPMNE, e cila deri para disa muajve ka qeverisur me komunën Qendër, ku janë ndërtuar përmendoret nga “Shkupi 2014”, përmes një reagimi me shkrim, i ka cilësuar si gënjeshtra të paskrupullta qëndrimet e opozitës.

Sipas VMRO DPMNE-së, janë respektuar normat ligjore që janë pjesë e Ligjit për furnizime publike dhe se opozita apo kryetari aktual i komunës Qendër, siç ka thënë partia, mund të ngrejë kallëzime penale në gjyqësor për të gjithë ata që dyshon se kanë shkelur ligjin lidhur me realizimin e projektit “Shkupi 2014”.

Nga ana tjetër, ekspertët juridikë thonë se duhet ndriçuar sa më parë të gjitha dyshimet që e ndjekin projektin “Shkupi 2014”, ngase bëhet fjalë për mjete të siguruara nga mbledhja e tatimeve të qytetarëve.

“Komuna, në këtë rast, po as edhe ndonjë person tjetër fizik ose juridik, nuk ka kompetencë për të ushtruar procedurë penale. Procedura penale ushtrohet në aktakuzë fillimisht me kallëzim penal nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, pastaj nga vetë Prokuroria kompetente me aktakuzë”.

“Pra, për këto akte duhet të prononcohet gjykata, prandaj në rastin konkret jam i mendimit se materiali, i cili është siguruae nga Komisioni komunal është i mjaftueshëm për ngritjen e procedurës nga ana e organeve përgjegjëse penale”, thekson Osman Kadriu, ekspert për çështje juridike.

Ndryshe, “Shkupi 2014” është kritikuar ashpër nga partitë politike shqiptare si projekt mono-etnik që ndikon në prishjen e raporteve ndëretnike.

Projekti në fjalë ka marrë kritika edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë për shkak të shpenzimeve marramendëse nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, në kohën kur vendi përballet me një gjendje të rëndë ekonomike, si dhe shkallë të lartë të papunësisë.
XS
SM
MD
LG