Ndërlidhjet

Futbolli i Kosovës, në FIFA apo në Bruksel?


football generic

football generic

Institucionet qeveritare përgjegjëse për sportin dhe Federata e Futbollit të Kosovës, nuk do të pranojnë asnjë përfshirje të Federatës së Futbollit të Serbisë në vendimet eventuale që kanë të bëjnë me pranimin e futbollit kosovar në asociacionet ndërkombëtare të këtij sporti, thonë zyrtarët qeveritarë përgjegjës për sportin dhe përfaqësuesit e FFK-së.

Rreth tri javë më parë, përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës - FFK, janë takuar me drejtuesit e Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, kryetari i së cilës, Sep Blater, kohë më parë pati premtuar se kosovarëve do t’iu mundësohet të luajnë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Sekretari i përgjithshëm i kësaj federate, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se në kërkesat e parashtruara deri më tash në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, pozicioni i Kosovës ka qenë i qartë - pjesëmarrja në lojëra e Përfaqësueses A (përfaqësuesja kombëtare) dhe të gjitha grupmoshat tjera.

“Ne gjithmonë kemi insistuar që ne nuk kemi të bëjmë me Federatën serbe, por me FIFA-n. Qëllimi kryesor është që të luajë futboll Përfaqësuesja A e Kosovës, ndërsa, për modalitetet tjera, nëse dalin, atëherë ne do të konsultohemi përsëri me organet tona shtetërore”.

“Është me rëndësi që Kosova më në fund të dalë në arenën ndërkombëtare. Mbledhja (e Komitetit ekzekutiv të FIFA-s) do të mbahet më 5 dhjetor, por vendimi përfundimtar, sipas të gjitha informatave që i ka kryetari Fadil Vokrri, do të merret deri më 10 dhjetor. Për çështjet tjera nuk kemi ndonjë konfirmim zyrtar”
, thotë Salihu.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, përgjegjës për sportin, thonë se Federata e Futbollit të Kosovës është në koordinim të plotë me Qeverinë e vendit, lidhur me çështjen e adresimit të pjesëmarrjes së futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Malësor Gjonabalaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë thotë se Kosova insiston që në pjesëmarrjen eventuale në takime të tilla të prezantohet si shtet.

“Qëndrimi zyrtar i Kosovës, por edhe i Federatës së Futbollit të Kosovës, është që Kosova të prezantohet si shtet, sepse ne jemi shtet që na kanë njohur 105 shtete. Sigurisht që nuk do të jetë një proces i lehtë, sepse kemi të bëjmë me një statut të UEFA-s, i cili përcakton qartë që duhet të jemi anëtarë të OKB-së”.

“Megjithatë, moslejimi që të luajmë, të paktën, ndeshje miqësore, është një shkelje flagrante e të drejtave humane dhe në këtë drejtim, jemi duke bërë të pamundurën që në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës ta realizojmë këtë të drejtë”
, thekson Gjonbalaj.

Ndryshe, Bilbil Sokoli, trajner i futbollit dhe profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se qasja për të kërkuar takime miqësore ndërkombëtare për futbollin e Kosovës, është e gabuar.

“Ajo prejudikon edhe statusin e pozitës së federatës në sport, ndërkaq, kjo prejudikon edhe statusin e shtetit tonë. Me pranimin për të zhvilluar vetëm ndeshje miqësore, ne nuk përfitojmë asgjë apo mund të them, tepër pak, për arsye se në ndeshje miqësore mund t’i shërbej vetëm atyre që do të luajnë bastore. Përpos që Kosova nuk do të fitojë shumë me ndeshje miqësore, ajo vështirë se do të gjejë edhe partner për t’i zhvilluar ndeshjet e tilla”, konsideron Sokoli.

Në anën tjetër, së fundmi, mediat kanë raportuar se Federata e Futbollit të Serbisë nuk do të kundërshtojë pjesëmarrjen e Kosovës në takimet miqësore ndërkombëtare të futbollit me kushtin që ajo të mos i ekspozojë simbolet shtetërore.

Por, kjo federatë përmes një komunikate për media, ka mohuar një gjë të tillë, duke i quajtur “informacione të pasakta” dhe se “asnjëherë nuk do të pajtohet për punë dhe aktivitete legale” të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Megjithatë, në komunikatën e saj, Federata Serbe e Futbollit e pranon se është në presion të madh lidhur me këtë çështje. Ajo ka rikujtuar se lidhur me këtë temë kanë biseduar edhe kryetari i FIFA-s, Blater me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq, dhe se Federata Serbe e Futbollit “është duke pritur instruksione” nga Qeveria lidhur me këtë çështje.

Ndaj, këtij qëndrimi të Federatës së Futbollit të Serbisë, ka reaguar Federata e Futbollit e Kosovës. Sekretari i përgjithshëm i saj, Eroll Salihu ,thotë se nuk pret asgjë nga Federata Serbe.

“Ne e dimë që pala serbe nuk jep asgjë me dëshirën dhe pëlqimin e saj, por zoti Blater është këmbëngulës që ta ndihmojë futbollin e Kosovës, sepse argumentet janë në anën tonë. Ai nen, i cili lidhet me ndeshjet ndërkombëtare miqësore, është në statutin e FIFA-s dhe kompetente për këtë është FIFA. Prandaj, nuk ka shtet në botë që i plotëson kushtet më shumë se Kosova”, shprehet Salihu.

Por, Bilbil Sokoli vlerëson se lidhur me këtë çështje duhet të ndryshohet mënyra e veprimit, për faktin se, sipas tij, ajo tashmë është shndërruar në çështje politike. Ai shpreh mendimin se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, këtë çështje duhet ta shtrojë në tryezën e dialogut në Bruksel.

“Në këtë moment, Brukseli është zgjedhja e vetme, e cila këtë çështje duhet ta fusë në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, shton Sokoli.

Megjithatë, Gjonbalaj thekson se institucionet përgjegjëse për sportin në Kosovë do ta presin vendimin e FIFA-s në dhjetor:

“Pas 5 dhjetorit, nëse kemi rrjedhë tjetër të ngjarjeve, do të diskutojmë se si do të mund t’i realizojmë këto aspirata tona, të cilat janë shumë legjitime”.

Ndryshe, vitin e kaluar, drejtuesit e Komitetit ekzekutiv të FIFA-s kanë marrë vendimin për mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për klubet dhe përfaqësueset e të rinjve të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG