Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Qeveria injoron vërejtjet në raport me mediat


Ilustrim

Ilustrim

Shoqatat e mediave në Maqedoni nuk besojnë se pushteti do t’i marrë parasysh vërejtjet e shumta të institucioneve ndërkombëtare lidhur me respektimin e lirisë së shprehjes dhe heqjen dorë nga miratimi i ligjeve të mediave, të cilat konsiderohen të disfavorshme për pavarësinë e tyre.

Drejtuesit e Federatës Evropiane të Gazetarëve, gjatë vizitës që realizuan ditë më parë në Maqedoni, thanë se dënimi i gazetarit Tomisllav Kezharovski, me 4 vjet e gjysmë burgim, për shkak të zbulimit të identitetit të një dëshmitari të mbrojtur dhe insistimi i Qeverisë për miratimin e dy ligjeve për mediat, janë dëshmi se gjendja e mediave në vend vazhdon të përkeqësohet.

“Përvoja e sindikatës së gazetarëve dëshmon se Qeveria deri tani ka bërë gjithçka për të injoruar apo minimizuar të gjitha vërejtjet, pavarësisht se nga cila adresë vijnë ato. Qeveria ka shkuar deri atje sa që me çdo kusht tenton që të krijojë organizata tjera mediatike, të cilat do të mbështesnin qëndrimet e tyre për punën e mediave në vend”.

“Momentalisht, nuk ekziston asnjë besim mes pushtetit dhe shoqatave që drejtojnë. Draft/ligjet për mediat u prezantuan vetëm pasi ishin përgatitur, pa asnjë konsultim, larg syve të opinionit publik. Edhe nëse pranohet ndonjë ndryshim i vogël, ai nuk do të ketë asnjë peshë pasi nuk do të prekë thelbin e asaj që kërkohet”, tha Tamara Çausidis, nga sindikata e gazetarëve.

Drejtuesit e shoqatave vlerësojnë se ligjet e hartuara nga Qeveria do të kufizojnë lirinë e shprehjes për shkak të shumë paqartësive që lënë hapësira për interpretime të ndryshme apo zbatimin e tyre ashtu siç i konvenon pushtetit.

Kontestues është neni ku thuhet se “liria e mediave mund të kufizohet vetëm kur kjo do të jetë e patjetërsueshme për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose rendit publik, pengimin e trazirave apo të veprave penale, pengimin dhe zbulimin e informatave të besueshme, mbrojtjen e shëndetit dhe të moralit, mbrojtjen e imazhit ose të drejtave të tjerëve”.

Sefer Tahiri, profesor i Gazetarisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se vërejtjet që janë dhënë nga OSBE-ja, Bashkimi Evropian dhe së fundi nga Federata Evropiane e Gazetarëve, nuk do të merren aspak në konsideratë nga Qeveria e Maqedonisë, pasi, sipas tij, ato pengojnë qëllimin përfundimtar të pushtetit për vendosjen e kontrollit të plotë mbi mediat në vend.

Tahiri nuk përjashton mundësinë që të bëhen disa ndryshime, por që do të ishin vetëm sipërfaqësore.

“Në këtë moment, në Maqedoni, nuk ka ambient politik dhe demokratik që të merren parasysh këto vërejtje, meqë pushteti vazhdon të mendojë se mediat janë zëdhënës të politikës, e jo zëdhënës të qytetarëve dhe të opinionit publik. Në këtë drejtim, vlerësoj se duhet të ushtrohet një presion edhe më i fuqishëm, jo vetëm nga gazetarët, por edhe nga opozita politike dhe nga faktori ndërkombëtar që të bindet pushteti në Maqedoni se vendi është pjesë e Evropës”.

“Maqedonia synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, andaj edhe duhet t’i zbatojë rekomandimet e Komisionit Evropian dhe nuk do të jetë vend, i cili radhitet me Togon, Kamboxhian, Bjellorusinë dhe vende të ngjashme që kanë liri të kufizuar të mediave”, vlerëson Tahiri.

Nga Instituti Maqedonas i Mediave thonë se Qeveria ka ende kohë për të përmirësuar imazhin e saj dhe të marrë parasysh kritikat e shumta në adresë të saj.

“Është e paqartë nëse Qeveria do t’i dëgjojë këshillat e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të shoqatave mediatike të vendit, por supozoj se pas samitit të Bashkimit Evropian që do të mbahet në dhjetor, punët ndoshta do të jenë pak më të qarta. Besoj se ekziston hapësirë e gjerë që Qeveria t’i përmirësojë gabimet që ka bërë dhe të ofrojë një kornizë të re, e cila para së gjithash do të përqendrohej në kthimin e besimit me bashkësinë e mediave, besim që tashmë ka humbur”, thotë Biljana Petkovska nga Instituti Maqedonas i Mediave.

Nga Qeveria në vazhdimësi kanë thënë se ligjet e hartuara nuk kanë për qëllim kufizimin e lirisë së mediave, por pavarësinë e tyre dhe se gjatë përgatitjes së tyre janë marrë për bazë përvojat e shteteve më të zhvilluara evropiane.
XS
SM
MD
LG