Ndërlidhjet

logo-print

Policia shpërndan me forcë protestuesit pro-evropianë

  • RFE /RL

Në orët e para të së shtunës, policia në Kiev ka përdorur forcën për të shpërndarë qindra protestues nga Sheshi i Pavarësisë.

Dëshmitarët thonë se forcat speciale kanë përdorur gazin lotsjellës dhe granatat e tymit kundër qindra protestuesve. Video-pamjet kanë treguar njerëz me fytyra të gjakosura.

Një protestues me emrin Andriy ka thënë se policia ka rrahur protestuesit pa dallim:

“Policia ka ardhur nga prapa. Ka nisur të rrahë vajza. Vajzat kanë vrapuar drejt nesh dhe nuk kemi mundur t’i mbrojmë”.

Ministria e Brendshme ka thënë se 35 njerëz janë arrestuar për rezistencë ndaj policisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kiev ka dënuar dhunën kundër demonstruesve paqësorë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë së Ukrainës që të respektojë të drejtat e shoqërisë civile dhe parimet e lirisë së shprehjes dhe të lirisë së të tubuarit, të cilat janë themelore për vlerat demokratike”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane.

Një udhëheqës i opozitës, Vitaly Klitschko, ka thënë se “nëse kjo nuk ndalon, Ukraina do të shndërrohet në një shtet të egër policor dhe në burim të jostabilitetit në qendër të Evropës”.

Aksioni i sotëm i policisë ka ardhur pas disa ditësh protesta kundër vendimit të presidentit të Ukrainës, Viktor Yanukovych, për të refuzuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të asociimit me Bashkimin Evropian.

Të premten, rreth 10,000 protestues kanë kërkuar dorëheqjen e Yanukovychit.

Marrëveshja është dashur të nënshkruhet në samitin e BE-së në Vilnius, i cili ka përfunduar të premten.

Yanukovych ka njoftuar javën e kaluar se qeveria e tij pezullon planet e tilla për shkak të presionit nga Moska.

Nënshkrimi i marrëveshjes do të sinjalizonte largim historik të Ukrainës nga Rusia.(v.tela)
XS
SM
MD
LG