Ndërlidhjet

Kroacia tërheq akuzën ndaj Serbisë, me kushtin e të zhdukurve


Vesna Pusiq

Vesna Pusiq

Ministrja për Çështje të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë, Vesna Pusiq, ka thënë se Qeveria kroate është e gatshme të bisedojë me Serbinë për tërheqjen e akuzave të ndërsjella për gjenocid, por vetëm nëse bëhet “ndryshim dramatik” në lidhje me zbulimin e fatit të personave të zhdukur në Kroaci.

“Partnerëve nga Serbia u kemi thënë se mund të ulemi në tryezë dhe të vendosim se çfarë të bëjmë me akuzat nëse sigurojnë të dhëna për të zhdukurit”, ka thënë Pusiq për mediat kroate.

Zbulimin e fatit të 1,674 personave të zhdukur dhe të arrestuar në luftën e viteve 1991 – 1995, gjykimet për krime lufte dhe kthimin e trashëgimisë së vjedhur kulturore, Kroacia, për kohë të gjatë, i vë si kushte kryesore për tërheqjen e mundshme të akuzës për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Hagë.

Pusiq ka hedhur poshtë deklaratat e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se Kroacia nuk është e gatshme për hapa seriozë dhe historikë, derisa Serbia ka treguar guxim dhe gatishmëri për të tërhequr padinë.

“Kroacia nuk ka nevoja të veçanta për guxim, por ka nevojë për informacione në lidhje me të zhdukurit”, ka thënë Pusiq.

Seanca verbale mbi akuzat e ndërsjella për gjenocid të Kroacisë dhe Serbisë pritet të mbahet në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG