Ndërlidhjet

logo-print

Kosova numëron 90 persona të prekur me HIV/AIDS. Nga viti 1986, kur edhe është identifikuar rasti i parë në Kosovë, deri tash kanë vdekur 40 persona.

Sipas epidemiologëve, mosha më e përfshirë me HIV/AIDS është 25 -34 vjeç, derisa, sipas tyre, në aspektin gjinor, 69 për qind janë meshkuj.

Por, sa janë të informuar të rinjtë lidhur me virusin e HIV- it , dhe sëmundjen e AIDS-it, flasin ata vetë në rubrikën tonë të përjavshme VOX.

Sadet Rexhepi, student, thotë se sa i përket këtij virusi, nuk ka njohuri të gjerë:

“Nuk jam shumë i informuar për virusin HIV/AIDS. Por, me sa e di , kjo sëmundje përhapet përmes marrëdhënieve seksuale. Sa i përket testimit, asnjëherë nuk kam bërë testim”.

Ndërsa, Bujar Shabani, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se e di çka është HIV/AIDS , derisa shton se sa i përket testimit për këtë infeksion, ai asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Përmes mjeteve të informimit jam informuar. Nuk e di aq mirë, por për aq sa di, përhapet përmes gjakut ose marrëdhënieve. Sa i përket testimit, kam dëgjuar që testimi bëhet falas, por unë personalisht asnjëherë nuk e kam bërë testimin edhe pse e di që është falas”, shprehet Bujari.

Agnesa Uka, nxënëse e klasës së 11 të , në shkollën ‘’Mehmet Akif" , thotë se është informuar në shkollë për këtë sëmundje:

“Veç në shkollë çka kemi mësuar, ose në internet. Kjo sëmundje bartet përmes marrëdhënieve, gjakut. Sa i përket testimit, nuk e kam bërë asnjëherë se konsideroj se nuk kam nevojë”.

Ndryshe, Java Evropiane e Testimit për HIV, në Kosovë këtë vit është bërë që nga data 22 deri më 29 nëntor.

Mbi 370 organizata dhe institucione në Evropë kanë pranuar këtë nismë, e cila ka për qëllim të ngrejë vetëdijen për dobitë që sjell testimi, për virusin vdekjeprurës HIV.

Motoja e Javës së parë Evropiane të Testimit për HIV është: Flisni për HIV-in, bëni testet për HIV-in.

Ndërkaq Alketa Syla, studente në Fakultetin e Aktrimit, pohon se ka lexuar shumë për këtë sëmundje dhe është mirë e informuar:

“E di që është dita ndërkombëtare kundër sëmundjes së AIDS-it. Është sëmundje që bartet përmes marrëdhënieve seksuale, por edhe mënyrave tjera. Unë kurrë nuk kam bërë testim. Nuk më është dukur se kam mundur të infektohem. Kam lexuar për sëmundje të ndryshme si për kancerin, por edhe për HIV-in, por sipas asaj që kam lexuar për simptomat e sëmundjes, nuk kam pasur nevojë të bëj test”.

E Dhurata Hoti, studente në Fakultetin e Dramaturgjisë, nuk e di se sa është e përhapur si sëmundje në vendin tonë, por ajo thotë ka informata lidhur me HIV/AIDS-in.

“HIV/AIDS është sëmundje që bartet seksualisht, përmes gjakut. Nuk kam informacione sa është e përhapur në vendin tonë. Nuk kam bërë testim për vete, sepse mendoj se s’kam pasur nevojë”, thotë Dhurata.

Edhe Butrint Kelmendi, student i vitit të tretë në Fakultetin Ekonomik, mendon se është mirë i informuar lidhur me HIV/AIDS-in, por që mendon se për vete nuk ka nevojë të bëjë testim.

“Mendoj se jemi të informuar dhe kemi masat mbrojtëse rreth saj. Kjo është sëmundje që merret përmes aktit seksual, pa masa mbrojtëse. Nuk kam bërë test, nuk kam nevojë”, shprehet Butrinti.

Sidoqoftë, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, kanë bërë të ditur se që në vitin 2003 ka filluar puna në Qendrat për këshillim dhe testim vullnetar në Kosovë, derisa në shkurt të vitit 2005 ka filluar të përdoret terapia retrovirale për personat që jetojnë me HIV.

Këto qendra ofrojnë sot shërbime falas dhe deri tani në këtë qendër janë testuar dhe këshilluar më shumë se 3 mijë klientë.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG