Ndërlidhjet

Maqedoni: Buxheti i komunave keqpërdoret


Ilustrim
Ilustrim
Në bazë të një hulumtimi që ka realizuar agjencia “Rejting”, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, shumica e qytetarëve të Maqedonisë nuk besojnë se mjetet e buxhetit nga arka e pushtetit vendor shpenzohen për përmirësimin e cilësisë së jetesës në komunat, ku ata jetojnë.

Qytetarët e Maqedonisë, sa i përket qeverisjes lokale, kanë konstatuar se sektori i ndërtimtarisë dhe ai i biznesit privat mbeten pika më e dobët e Maqedonisë kur bëhet fjalë për korrupsionin.

Drejtuesi i agjencisë "Rejting", Nikolla Spasov, duke sqaruar të dhënat e hulumtimit, thotë se qytetarët e Maqedonisë nuk besojnë se buxheti komunal nuk shpenzohet në funksion të interesave të tyre.

“Shumica e qytetarëve, madje 49.8 për qind e tyre, dyshojnë se drejtuesit komunalë i keqpërdorin mjetet e arkës së pushtetit vendor, gjegjësisht shpenzohen për qëllime të tjera. Ndërsa, 45 për qind besojnë se këto mjete shfrytëzohen për përmirësimin e cilësisë së jetesës në komunën, në të cilën jetojnë", thotë Spasov.

Ai shton se si formë më e shpeshtë e korrupsionit ose sjelljes jo etike, apostrofohen lidhjet politike ose të biznesit gjatë ndarjes së lejeve për ndërtim.

Në këtë drejtim, qytetarët ankohen se kryesuesit e komunave pothuajse asnjëherë nuk konsultohen kur marrin vendime që drejtpërdrejt prekin interesat e tyre.

“Në banesat e shumta shumëkatëshe, të cilat ngrihen pothuajse çdo ditë, nuk është bërë organizimi i parkingjeve, sepse çdo pallat duhet të ketë dhe parkingun e vet. Gjithashtu edhe podrumet duhet të shfrytëzohen për garazhe , por meqë kjo nuk është paraparë gjatë dhënies së lejeve për ndërtim, ne tani më shumë se dy dekada gjendemi në një kaos urbanistik”, thotë Jakup Ferati nga Tetova.

"Punoj çdo ditë, me nder siguroj të ardhurat e mia, andaj jam e kujdesshme për çdo denar ku shkon nga buxheti i familjes sime, edhe nga ata të cilët qeverisin me paratë e shtetit, përkatësisht komunës, kërkoj të njëjtën gjë - asgjë më shumë, sepse edhe në kushte krize besoj se mund të bëhet më shumë nga ajo që na ofrohet si shërbim", shprehet e vendosur Blagica Vasileva nga Shkupi.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë theksuar disa herë se lufta ndaj korrupsionit dhe funksionimi i shtetit ligjor është një nga shtyllat themelore, në bazë të së cilave ndërtohet një shtet demokratik.

Ambasadori i OSBE-së, Ralf Bret, ka porositur autoritetet vendore, por edhe qytetarët se të gjithë janë përgjegjës për të siguruar një qeverisje të mirë.

“Mund të llogaritet në një qeverisje të mirë, nëse në vendet e duhura vendosen njerëzit e duhur. Korrupsioni nuk paraqet vetëm problem moral por njëherësh është dhe një stërkëmbëz për qeverisje të mirë”, ka theksuar Bret, duke i inkurajuar të gjithë qytetarët që të gjitha parregullsitë që i detektojnë gjatë qeverisjes së pushtetit vendor, t`i denoncojnë para organeve kompetente.
XS
SM
MD
LG