Ndërlidhjet

OSBE: Procesi zgjedhor në Kosovë - hap i rëndësishëm përpara


Lamberto Zannier
Lamberto Zannier
Sekretari i përgjithshëm i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Lamberto Zannier, e ka mirëpritur votimin paqësor dhe të rregullt në zgjedhjet komunale në Kosovë, si një “hap të rëndësishëm drejt besimit dhe sigurisë”.

Këto komente ai i bëri pas mbylljes së votimeve në rundin e dytë të zgjedhjeve, që u mbajtën dje, ndërsa OSBE-ja i ka lehtësuar zgjedhjet në katër komuna veriore të Kosovës, në linjë me marrëveshjen e Brukselit, ka njoftuar OSBE-ja, me seli në Vjenë.

“Ky paraqet moment shumë të rëndësishëm në procesin kompleks, duke ndërtuar besim dhe duke hapur perspektiva për stabilitetin dhe për të ardhme prosperuese për popullin e këtij rajoni”, tha zoti Zannier, dhe ka shtuar se “kjo ka dëshmuar se Marrëveshja e 19 prillit e arritur nga Beogradi e Prishtina, dhe me sukses e ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, po fillon të japë rezultate”.

Mëtutje, ai ka theksuar se OSBE-ja “mbetet e gatashme për tu angazhuar në mbështetje të këtij dialogu të rëndësishëm, i udhëhequr nga BE-ja dhe në implementimin e tij”.

Shefi i OSBE-së, Lamberto Zannier, ka shfaqur kënaqësi për angazhimin konstruktiv nga të gjitha palët, gjatë negociatave komplekse dhe intensive për modalitetet e zgjedhjeve dhe e ka falënderuar policinë e Kosovës, misionin EULEX dhe KFOR-in, për krijimin e ambientit të sigurtë për zgjedhje në pjesën veriore të Kosovës.
XS
SM
MD
LG