Ndërlidhjet

Qeveria: Kosova po emancipohet


Ilustrim

Ilustrim

Ekzekutivi i Kosovës ka vlerësuar lartë mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, të cilat u mbyllën me 1 dhjetor.

Përmes një komunikate për shtyp, qeveria shkruan se qytetarët me pjesëmarrjen e tyre në procesin zgjedhor “dëshmuan një emancipim të lartë politik dhe demokratik”.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira, fer dhe transparente, dhe siç thotë qeveria, të organizuara mirë dhe me standardet më të larta ndërkombëtare, “është sinjali më i mirë që u dërgua nga Kosova për mbarë botën demokratike, për miqtë dhe mbështetësit e proceseve demokratike në Kosovë”.

“Sot për shtetin e Kosovës, për të gjithë qytetarët e saj është një ditë e lumtur, pasi përmbyllëm një proces jashtëzakonisht të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit tonë, sovranitetit dhe institucioneve demokratike dhe legjitime të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Në këtë njoftim citohet kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi duke falënderuar qytetarët dhe të gjitha subjektet politike për pjekurinë e treguar në këtë proces zgjedhor.

“Për herë të parë, në historikun e saj, pas luftës, Kosova organizon zgjedhjet në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë këtu edhe katër komunat veriore të Kosovës. Për herë të parë, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova organizon zgjedhje me pjesëmarrje të të gjitha grupeve etnike në gjithë territorin e saj".

"Kjo është një histori e re për Kosovën, është hapur një kapitull i ri, kapitulli evropian i konsolidimit të shtetit tonë”, citohet të ketë thënë kryeministri Thaçi.
XS
SM
MD
LG