Ndërlidhjet

logo-print
Ndryshimet sjellin rezultate pozitive, thonë disa qytetarë të Prishtinës pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

Ndryshimet që kanë sjellë zgjedhjet në kryeqytet ku kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka arritur të fitojë kundër kandidatin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë që qytetarët të shpresojnë se do të përmirësohet mirëqenia e tyre.

Jahir Bekteshi, mbi të 50-at , punëtor në një kompani private në Prishtinë, nuk e fsheh gëzimin e tij, pas fitores së Shpend Ahmetit.

“Kënaqësi e madhe, kurrë më i lumtur nuk kam qenë se mbrëmë kur fitoi Shpend Ahmeti. Pres ndryshime të mira, besoj se nuk janë të korruptuar, njerëz të pasur, djem të mirë. Kështu që unë mendoj se me këtë edhe Kosova ka fituar”, thotë Bekteshi.

Kjo është hera e parë qe votimet kanë qenë të drejta, demokratike dhe të pa ndikuar nga askush, thotë Gazmend Bajra, pjesëmarrës në një projekt të Bankës Botërore në Kosovë.

Megjithatë, ai thotë se fitorja e Shpend Ahmetit, është privilegj por edhe përgjegjësi shumë e madhe.

“Unë shpresoj se kjo përkrahje që i është dhënë Shpend Ahmetit, në zgjedhje është privilegj por edhe përgjegjësi e madhe t'i përmbushë shpresat e popullatës e cila ka dashur ndryshim", thotë Bajra.

"Këtu nuk ka qenë në pyetje partia aq shumë sa ka qenë dëshira për një ndryshim. Besoj se pas 15 vitesh qytetarët kanë filluar të vetëdijesohen të votojnë sipas mendjes se vetë dhe sipas mirëqenies që kanë gëzuar në periudhën paraprake”, shton Bajra.

Fahrije Selimi, punëtore në një qendër të mobileve në Prishtinë, beson se furnizimi me ujë do të rregullohet, premtim ky i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pres punësim të rinjve dhe një jetë më të lumtur për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Shpresoi të kem ujë dhe rrymë", thekson Selimi.

Ndryshimet kanë qenë të nevojshme, thotë ekonomisti nga Gjilani, Shpresimi, i cili punon në një bankë komerciale në Prishtinë.

Ndryshimet gjithmonë janë të mira. Në Kosovë nga këto zgjedhje ka pasur ndryshime që janë shumë pozitive. Edhe në Gjilan pres ndryshime, nuk presim diçka konkrete, por mirë është një energji e re, pozitive”, thotë Shpresimi.

Juristja Shpresa Miftari, pret rritjen e numrit të të punësuarve.

“Shpresoj të ketë ndryshim. Besoj se Kuvendi Komunal i Prishtinës do të krijojë kushte për punësimin e të rinjve. Pasi e ardhmja jonë është rinia”, tha Miftari për Radion Evropa e Lirë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG