Ndërlidhjet

Me zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, në Kosovë u ndëshkuan të gjitha keqqeverisjet me anë të votave të qytetarëve, thonë analistët politikë në Prishtinë.

Sipas tyre, qytetarët me rezultatet përmbysëse në 20 komuna, dëshmuan se kërkojnë ndryshime dhe qeverisje e menaxhim më të mirë të komunave dhe nuk duan të vazhdojë trendi i deritashëm.

Analisti politik Ardian Arifaj, thotë se asnjë subjekt politik nuk ka arsye të festojë, marrë parasysh rezultatin pasi që në disa komuna u ndëshkua e në tjerat u shpërblye.

Kjo sipas tij, po tregon qartë se votat e qytetarëve në zgjedhjet e 3 nëntorit ishin kundër qeverisjes së keqe në të gjitha komunat.

“Vota në pothuajse çdo komunë ka qenë votë negative. Ka qenë votë kundër qeverisjes së deritashme. Kjo e tregon një vërejtje shumë të madhe për gjithë klasën politike dhe tregon se qytetari i Kosovës nuk është i kënaqur fare me mënyrën se si po qeveriset Kosova dhe kërkon një ndryshim rrënjësor të qasjes që ka klasa politike, kërkon një kompetencë më të madhe, një përgjegjësi më të madhe dhe një llogaridhënie më të madhe”, thotë Arifaj.

Ndërkohë, analisti Ilir Deda thotë se ndryshimet e 1 dhjetorit janë fitore e madhe e qytetarëve dhe demokracisë në Kosovë.

Sipas tij, në 10 vitet e fundit qytetarët nuk kanë pasur besim në proces zgjedhor për shkak të vjedhjes së votave, por me 3 nëntorin u dëshmua se edhe Kosova mund të mbajë zgjedhje të lira e demokratike, që nuk mund të kontestohen nga askush.

“Është treguar një pjekuri e madhe politike e qytetarëve të Kosovës të cilët e kanë dëshmuar se nëpërmjet zgjedhjeve të lira, fer e demokratike e pa keqpërdorime do të votojnë për ndryshim dhe për përparim. Ajo çfarë ka ndodhur në balotazh është një përmbysje politike gjithandej Kosovës dhe fillimi i fitoreve të kualitetit dhe njerëzve me kualitet nëpër komuna”, vlerëson Deda.

Rezultati i zgjedhjeve komunale ka krijuar një hartë të re politike, ku PDK-ja ka shënuar një rënie, LDK-ja ngritje, por ka humbur Prishtinën, AAK-ja ka humbur qeverisjen në dy komunat e Dukagjinit, Vetëvendosje ka fituar në Prishtinë ndërkaq nuk ka korrur rezultate në komunat tjera, kurse AKR-ja ka fituar për herë të parë në dy komuna të rëndësishme si Gjakova dhe Mitrovica e Jugut.

Një hartë e tillë politike, llogaritet se mund të ketë efekte edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Ilir Deda bën një analizë në këtë rrafsh edhe për secilën parti veç e veç.

“Është një humbje e madhe e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe është një fitore e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Fitues të vërtetë janë Vetëvendosja e cila ka fituar kryeqytetin, Shpend Ahmeti, dhe Mimoza Kusari Lila në Gjakovë dhe Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë”, thotë Deda.

Megjithatë, analisti Ardian Arifaj thotë në anën tjetër se qytetarët e Kosovës me votat e 3 nëntorit dhe ato të balotazhit të 1 dhjetorit dëshmuan se dinë të zgjedhin, të dënojnë dhe shpërblejnë partitë politike dhe kandidatët.

Kështu rezultatet e zgjedhjeve lokale nuk i sheh si shumë valide për të parashikuar edhe rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

“Edhe në të kaluarën kemi parë që votuesi është shumë i vetëdijshëm përse po voton dhe për cilat zgjedhje po voton edhe e dinë shumë mirë ta bëj dallimin midis zgjedhjeve komunale dhe zgjedhjeve parlamentare. Kemi parë, për shembull, që në 2010-ën nuk janë përcjellë trendet që janë parë në 2009-n në zgjedhjet komunale. E njëjta mund të thuhet edhe tani”, thotë Arifaj.

Sidoqoftë, analistët tërheqin vërejtjen se kryetarët e rinj që kanë përmbysur rezultatet nëpër komuna, sidomos në Prishtinë, Gjakovë e qendra tjera, duhet të tregohen edhe menaxherë të mirë pasi që ata do të duhet të bashkëpunojnë me partitë tjera në asambletë komunale.

Rezultatet e zgjedhjeve kanë prodhuar një pasqyrë të atillë, ku kryetari vjen nga një parti e caktuar kurse shumicën në asamble do ta përbëjë një subjekt tjetër politik.

Andaj situata të tilla do të diktojnë edhe nevojën e bashkëpunimit dhe koalicioneve nëpër komuna.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG