Ndërlidhjet

logo-print

Ukrainë: Protestuesit bllokojnë ndërtesën e qeverisë

  • RFE /RL

Qindra protestues kanë bllokuar ndërtesën e Qeverisë në Kiev.

Ata kanë vazhduar thirrjet për dorëheqjen e presidentit ukrainas, Viktor Yanukovych, për shkak të refuzimit të tij për të nënshkruar një marrëveshje asociimi me Bashkimin Evropian.

Protestuesit kanë bllokuar selinë kryesore të qeverisë dhe rrugët përreth, duke i penguar punëtorët që të hyjnë brenda.

Ish-ministri i Brendshëm, Yuriy Lutsenko, tani udhëheqës i opozitës, është zotuar se protestat do të vazhdojnë.

“Kabineti i ministrave duhet të largohet dhe të nisë një jetë e re”, ka thënë ai.

Rrethimi i qeverisë pason protestën e gati 500,000 njerëzve të dielën në Sheshin e Pavarësisë në Kiev. Kjo ka qenë demonstrata më e madhe në kryeqytetin e Ukrainës që prej Revolucionit të Portokalltë, më 2004-05.

Pranë adiministratës presidenciale ka pasur përleshje midis protestuesve dhe policisë, pasi kjo e fundit ka përdorur gazin lotsjellës dhe shufrat e gomës për t’i larguar ata.

Mbi 200 njerëz - edhe civilë, edhe policë - janë lënduar gjatë trazirave të së dielës. Në mesin e të lënduarve ka pasur edhe gazetarë ukrainas dhe të huaj.

Qindra protestues kanë kaluar natën në një kamp në Sheshin e Pavarësisë, ndërsa sot në mëngjes atyre u janë bashkuar edhe të tjerë.

Në mesin e tyre është edhe Nikolai Kovalenko:

“Do të qëndroj deri në fund. Nuk kam asgjë për të humbur. Kam një mbesë, kam fëmijë të rritur. Të paktën ata të kenë jetë të mirë”, thotë ai.

Protesta raportohet të ketë edhe në qytete të tjera të Ukrainës.

Një zëdhënës i kryeministrit Mykola Azarov ka hedhur poshtë raportet se qeveria po konsideron shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Opozita ka bërë thirrje për grevë të përgjithshme dhe do që të përmbysë qeverinë në një votë të besimit, të martën në parlament.

Komisioni Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së, u ka bërë thirrje të dyja palëve që të përmbahen.

Disa udhëheqës të opozitës në Ukrainë kanë bërë thirrje po ashtu për sanksione të BE-së kundër Yanukovychit, por një zëdhënëse e bllokut ka thënë se masat e tilla nuk janë tani për tani në shqyrtim.

Marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe Ukrainës është dashur të nënshkurhet në një samit që është mbajtur javën e kaluar në Vilnius të Lituanisë.

Por, Rusia i ka bërë presion Ukrainës që ta pezullojë atë.(v.tela)
XS
SM
MD
LG