Ndërlidhjet

logo-print

Hetime për personat që tentuan të manipulojnë me vota


Lidhur me shkeljet të cilat janë bërë në Kosovë me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, në prokurori janë paraqitur gjithsej 44 raste me 81 persona, bëjnë të ditur zyrtarët nga kryeprokuroria e Kosovës.

Koordinatorja për zgjedhje nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar nga hetimet të cilat janë bërë prokurorët kanë ushtruar 16 aktakuza kundër 26 personave.

“Këto statistika kanë të bëjnë deri me datën 1 dhjetor 2013. Këto persona që janë të akuzuar, apo janë në procedurë e sipër kanë të bëjnë me kapitullin e posaçëm që është kapitulli 18 i Kodit Penal të Kosovës, konkretisht me veprat penale kundër të drejtës së votimii”, tha Pula.

Laura Pula, ka deklaruar se procesi zgjedhor i raundit të dytë të zgjedhjeve komunale ka qenë më i qetë, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura më 3 dhjetor.

Ajo tregon se prokurorët dhe autoritetet e rendit me datën 1 dhjetor janë përballur me 7 raste që kanë pasur të bëjnë me pengim të procesit zgjedhor.

Sa i takon ditës së djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes, kemi evidentuar shtatë raste me tetë persona të arrestuar dhe atë një rast në Gjilan. Kemi pasur një rast në Lipjan, në Mitrovicë kemi pasur një person të arrestuar për veprën penale armëmbajtje pa leje. Një rast tjetër në Mitrovicë janë dy persona të arrestuar për veprën penale pengimi i procesit të votimit. Pra, në Mitrovicë kemi arrestimin e një personi për veprën penale, prezantim i rrejshëm etj.”, tregoi për Radion Evropa e Lirë, Pula.

Kurse, përfaqësuesit e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim” që kanë përcjellë procesin zgjedhor kanë vlerësuar se në përgjithësi ai është zhvilluar i qetë, me disa incidente, të cilat ishin nuk kanë qenë të përmasave të mëdha që kanë mundur të pengojnë procesin e votimit.

Shqipe Pantina nga Qendra për Politikë dhe Avokim, organizatë kjo pjesë e koalicionit Demokracia në Veprim konsideron se Kosova me këto zgjedhje ka kaluar në test demokratik.

Kosova ka kaluar një test demokratik edhe të organizimit të zgjedhjeve ne shpresojmë që edhe procesi në vazhdimësi ai në Qendrën e Numërimit të Rezultateve dhe në fund certifikimi i zgjedhjeve do të vazhdojë të jetë në ketë frymë. Ajo që është për t'u përshëndetur është fakti që të gjitha parti politike, qoftë në mënyrë deklarative apo disa prej tyre edhe heshturazi e kanë pranuar procesin zgjedhor”, tha Pantina.

Parregullsitë më të mëdha në ketë proces zgjedhor sipas vëzhgueseve kanë pasur të bëjnë me fotografim të votës, keqpërdorim të detyrës zyrtare, votimi familjar dhe disa veprime të tjera joligjore.

Koalicioni i Organizatave “Demokracia në Veprim”, ka kërkuar nga KQZ që në përput hje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të mos vonojë procesin e numërimit dhe certifikimit të rezultateve përfundimtare, në mënyrë që të mos vonohet konstituimi i institucioneve lokale në implementimin e mandatit dhe obligimin që ato kanë ndaj qytetarëve të Kosovës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Institutit Kosovar për Drejtësi, kanë deklaruar se lidhur me shkeljet gjatë procesit zgjedhor prokuroritë e vendit duhet të bëjnë edhe hetime të tjera dhe të përfundojnë të gjitha raste.

Ata thonë po ashtu se duhet të shihen edhe aspekte të tjera të hetimit në partitë politike kur behët fjalë për mënyrën se si financohen ato.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG