Ndërlidhjet

"Shkupi 2014" - Revizionet pa asnjë epilog


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Revizioni për projektin kundërthënës, “Shkupi 2014“, vështirë se do të ketë ndonjë epilog në drejtim të hapjes së një procesi gjyqësor për keqpërdorimet financiare që pretendohet të jenë bërë nga ish pushteti lokal në komunën, Qendër të kryeqytetit.

Kështu vlerësojnë njohësit e kësaj lëmie të cilët kanë qenë të kyçur në hetime të ngjashme, e që asnjëherë nuk kanë përfunduar me ndonjë epilog konkret.

Mirjana Najçevska, eksperte e të drejtave të njeriut dhe profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Shkupit, nuk është aspak optimiste se prokuroria do të marrë në konsideratë revizionin e bërë nga drejtuesit aktual të komunës, në raportin e të cilit flitet për të paktën 8 milionë euro keqpërdorime që janë bërë gjatë tenderëve për ngritjen e përmendoreve të shumta në sheshin e qytetit.

Najçevska, e cila gjithashtu është një nga kundërshtaret më të theksuara të projektit "Shkupi 2014“, thotë se pushteti qendror do të bëjë gjithçka për të pamundësuar zbulimin e siç shprehet, kësaj afere të madhe korruptive.

“Nga rezultatet që i kemi parë lidhur me revizionet për harxhimin e parave nga ana e partive politike gjatë fushatave zgjedhore, pastaj nga revizionet e bëra për punën e qeverisë dhe të disa ministrive pa anashkaluar këtu edhe pushtetin lokal si dhe ndërmarrjet publike, mund të paramendojnë edhe se edhe për revizionin e fundit apo kërkesën për nisjen e hetimeve, nuk do të ketë asnjë përfundim, jo se revizioni nuk është i mirë apo nuk e ka dokumentacionin e duhur, por se tek nuk kemi sistem gjyqësor të pavarur që do të del në mbrojtje të drejtësisë“, thotë Najçevska.

Mersel Bilalli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin FON të Shkupit dhe ish anëtar i komisionit parlamentar hetues, gjithashtu nuk beson në ndonjë përfundim konkret në nismën e ndërmarrë nga komuna Qendër.

Bilalli, thotë se edhe më parë ka pasur nisma të tilla për projekte tjera kundërthënëse apo për hetimin e ngjarjeve të caktuara, por ato përveç ndonjë rekomandimi, nuk kanë pasur ndonjë epilog tjetër.

Ai thotë se e gjithë kjo është pasojë e mosfunksionimit dhe politizimit të skajshëm të institucioneve.

“Te ne sikur është bërë traditë që kur jeni në pushtet të jeni edhe imun nga çfarë do qoftë shkelje të ligjit. Kështu që edhe prokuroria, edhe gjyqësia janë të nënshkruara para pushtetit, kurse komisionet janë vetëm për një shpëlarje të moralit, por realisht nuk kemi asgjë efikase".

"Madje fatkeqësisht edhe kur ndërron pushteti gjithçka lihet në harresë në stilin se kur ata e kanë bërë, mund të bëjmë edhe ne, andaj le të ngelë gjithçka e fshehur
.Pra, ende nuk ka opinion, ende nuk ka kulturë të respektimit të institucioneve, nuk ka shtet të së drejtës, ky është realiteti“, thotë Mersel Bilalli.

Edhe profesori i sociologjisë në Universitetin e Shkupit, Gjorgji Tonovski, vlerëson se e gjithë kjo që po ndodhë është pasojë e politizimit dhe si rrjedhojë e mosfunksionimit normal të institucioneve.

“Politizimi ka arritur deri atje sa që si duket e kemi pranuar një thënie të një analisti amerikan se politika ka depërtuar edhe në dhomat tona të gjumit. Kjo që po ndodhë te ne pa përshkuar asnjë rast qoftë të hetimit të aferave korruptive apo të ngjashme është pasojë e politizimit dhe partizimit të skajshëm të institucioneve“, thotë Gjorgji Tonovski.

Komisione sikur ky i “Shkupit 2014“ ka pasur edhe ngjarje tjera politike.

Një ndër to është edhe ai për incidentin e para një viti në Kuvend, por ai jo vetëm që nuk ka dalë me një raport përfundimtar por puna e tij thuajse ka dështuar për shkak të qëndrimeve të kundërta të palëve të përfshira në të.
XS
SM
MD
LG