Ndërlidhjet

Dylan nën hetime për nxitje të urrejtjes


Bob Dylan
Bob Dylan
Bob Dylan është duke u hetuar në Paris nga prokurorët francezë për shkak të komenteve që i ka bërë në një intervistë dhënë revistës Rolling Stone në shtator të vitit të kaluar, njoftojnë mediat botërore.

Një organizatë që përfaqëson kroatët në Francë ka ngritur akuzë kundër zotit Dylan nën dyshimet se ai ka krahasuar konfliktin ndërmjet kroatëve dhe serbëve me persekutimin nazist të hebrenjëve në intervistën e botuar, e në të cilën ka folur për “praninë e racizmit në Amerikë” .

“Nëse në gjak ndihesh si pronar i skllevërve se [Ku Klux] Klan, njerëzit me ngjyrë e ndjejnë atë. Këto gjëra vazhdojnë të jenë të pranishme edhe sot. Sikurse hebrenjtë që mund ta ndjejnë gjakun nazist apo serbët gjakun kroat”, është cituartë ketë thënë këngëtari me nam botëror.

"Përderisa grupi kroat në Paris thotë se Dylan i është referuar dhunës që ka shpërthyer gjatë luftërave të viteve të 90’ta në ish Jugosllavi, është e paqartë nëse muzikanti i njohur mund t’i jetë referuar krimeve të kryera nga ustashët në Kroaci, gjatë Luftës së Dytë Botërore", njofton CNN.

Zyra e prokurorit në Paris ka njoftuar se Dylan është duke u hetuar edhe formalisht që nga muaji i kaluar për “fyerje publike” dhe “nxitje të urrejtjes”.

Një përfaqësues ligjor i organizatës kroate i ka thënë CNN-it të martën se klientët e tij do të ishin të gatshëm t’i hidhnin poshtë akuzat, nëse zoti Dylan kërkon ndjesë publikisht për ato që ka thënë.

“Një kërkim falje mund ta përmirësojë më shumë gjendjen se një kompensim financiar”, ka thënë Ivan Jurashinoviq, duke shtuar se “Bob Dylan është një njeri që adhurohet në masë të madhe në Kroaci”.

Përfaqësuesit e zotit Dylan dhe të revistës Rolling Stone nuk e kanë komentuar ende këtë kërkesë.

Dylan, ndryshe është shpërblyer me Medaljen Presidenciale të Lirisë nga presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2012. Këtë vit ndërkaq, ai është emëruar anëtar nderi i Akademisë Amerikane të Arteve.(a.v.)

* Huazuar nga CNN
XS
SM
MD
LG